Tetë miliarderë zotërojnë pasuri aq sa gjysma e popullsisë së botës

Tetë biznesmenët më të pasur në botë zotërojnë sipas organizatës humanitare Oxfam po aq para sa gjysma e popullsisë së botës, pra 3.6 miliardë vetë.

Në raportin e saj organizata Oxfam bën thirrje për një ndreqje të asaj që përshkruhet si një deformim ekonomik, i cili u lejon tetë miliarderëve të zotërojnë pasuri aq sa gjysma e popullsisë së botës ose 3.6 miliardë vetë.
Raporti u publikua një ditë para fillimit të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ku do të marrin pjesë politikanë dhe biznesmenë nga e gjithë bota e që zhvillohet në Davos në Alpet zvicerane. “Pabarazia nuk është vetëm të mbash miliona njerëz në varfëri, ajo po copëton shoqërinë tonë dhe po helmon politikën tonë´´, tha Mark Goldring, shefi ekzekutiv i Oxfam-it.
“Është përtej groteskes që një grup i vogël njerëzish që mund të zënë vend brenda një makine golfi zotërojnë më shumë se gjysma e varfër e njerëzimit.”

Të varfërit kanë më pak pasuri nga sa mendohej më parë
Oxfam njofton edhe për raportet e pagave duke thënë se paga mesatare e një drejtori ekzekutiv të një kompanie në Britaninë e Madhe është 129 herë më e lartë se e punëtorit mesatar. Dhe është ekuivalente me pagën e 10,000 vetëve që punojnë në fabrikat e veshjeve në Bangladesh. “Është e turpshme që kaq shumë pasuri gjendet në duart e një grupi të vogël, kur 1 ndër 10 vetë mbijetojnë me më pak se $ 2 (1.88 euro) në ditë,” tha Winnie Byanyima, drejtor ekzekutiv i Oxfam International.
Të dhëna të reja dhe më të mira në shpërndarjen e pasurisë botërore, veçanërisht në Indi dhe Kinë, tregojnë se të varfërit kanë më pak pasuri sesa mendohej më parë. Oxfam raportoi se kishte informacionet e vitit të kaluar, që tregonin se nëntë miliarderë zotëronin po aq shumë sa gjysma e shtresës së varfër të planetit, në vend të 62 të pasurve.
Thirrje për përmirësim
Oxfam u bëri thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë të përmirësojnë bashkëpunimin për të parandaluar shmangien e taksave dhe për të inkurajuar kompanitë që të marrin masa për të mirën e personelit, si dhe aksionerët.

Ajo bëri thirrje për taksat e pasurisë që të financojnë shëndetësinë, arsimin dhe krijimin e vendeve të punës. Oxfam sheh gjithashtu se ka mundësi për të përmirësuar gjendjen e grave, ndaj u bëri thirrje biznesmenëve të paguanin detyrimet e pagës për jetesë, si dhe të paguajnë pjesën e tyre të taksave. Korrupsioni dhe nepotizmi kanë shtrembëruar tregjet, thekson Oxfam. “Së bashku ne kemi nevojë të krijojmë një qëllim të njjtë, një ekonomi me qëllimin kryesor që të përfitojnë 99 përqind, e jo 1 përqind.”
Forumi Ekonomik Botëror ka lëshuar javën e kaluar një Raport te Risqeve Globale, në të cilin thuhet se “të ardhurat në rritje dhe pabarazia pasurore është vlerësuar … si prirja më e rëndësishme në përcaktimin e zhvillimeve globale gjatë 10 viteve të ardhshme”, duke shtuar se “reformimi I kapitalizmit të tregut gjithashtu duhet të shtohet në agjendë´´

Artikulli paraprakFtesat për në ceremoninë e Trump, Top Channel zbulon “mashtrimin” me bileta
Artikulli vijuesIkën një ishull, por vjen një tjetër !