Interesimi i kosovarëve për të migruar jashtë vendit me leje pune, është rritur jashtëzakonisht shumë.
Statistikat e Qendrës për Aftësimin Profesional, tregojnë se vetëm vitin e kaluar aty u trajnuan rreth shtatë mijë veta, të cilët u pajisën me certifikata, raporton KTV.
Arsyeja e rritjes së numrit të të interesuarve për t’i ndjekur trajnimet në 13 profesione të ndryshme, është certifikata e cila u njihet nga të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën.
Tashmë në këtë Qendër janë duke u trajnuar rreth 130 persona si të riatdhesuar dhe të papunë, ndërsa në pritje për t’u trajnuar pa pagesë, janë edhe një mijë të tjerë.
Sipas Rrustemit, në bazë të raporteve, shumica e atyre që janë certifikuar, kanë arritur të inkuadrohen në punë, kryesisht në Gjermani.
Ndërsa, vetëm vitin e kaluar 400 furrtarë, të cilët kishin leje pune në Hungari, u kthyen për t’u certifikuar në këtë Qendër.
Ky numër tejet i madh i të regjistruarve dhe atyre që po presin, po u shkakton telashe të mëdha trajnerëve, sipas të cilëve kapacitetet që i ofron kjo Qendër, krahas numrit, janë shumë më të vogla.
E, Mërgimi, i cili udhëton nga Kaçaniku për të ndjekur trajnimin për ndërtimtari në këtë qendër, mezi pret ta marrë certifikatën dhe të aplikojë për vizë pune në shtetin gjerman.
Marrëveshja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për punësim jashtë vendit, ka ndikuar në rritjen e të interesuarve për aftësim në 8 qendra sa i ka kjo ministri në tërë vendin.