Imam Maliku

0
344

Imam Maliku

Imami i Medinës, njëri prej katër imamëve më të njohur, imami i medh-hebit Malikij, autori i Muvetta-së, njeriu për të cilin Imam Shaf’iu ka thënë: Kur të përmenden dijetarët, Imam Maliku është yll.

Emri i plotë dhe lindja e tij:

Ai është Shejhul Islam, Huxhetul Umme (autoriteti i Ummetit), Imami i Medinës, Ebu Abdil-lah, Malik ibën Enes ibën Malik ibën Ebi Amir ibnë Amër ibën El Harith ibën Gajman ibën Huthejl El Esbuhij El Himjeri.

Ka lindur në vitin 93 H., në vitin në të cilin ndërroi jetë sahabiu i njohur, shërbëtori i Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, Enes ibën Malik, radijall-llahu anhu. (Es-Sijer 8/48)

Në kërkim të diturisë:

Prej moshës dhjetëvjeçare filloi të kërkoi diturinë ashtu që në moshë 21 vjeçare arriti të bëhet mësues të cilin e vizitonin shumë dijetarë për të përfituar prej tij.

Duke kërkuar diturinë është takuar me shumë dijetarë prej të cilëve përfitoi shumë. Imam Dhehebiu në librin e tij “Sijer A’lam Nubela” (8/49-51) përmend me emër 121 mësues prej të cilëve ka transmetuar hadithe në librin “El Muvetta”

Prej mësuesve më të njohur do t’i përmendim:

Nafi’ meula Abdil-lah ibën ‘Umer

Se’id El Mekburij

Ejjub Es-Sihtijanij

Rebi’atur-Re’ji

Humejd Et-Tavil

Salih ibën Kejsan

Ez-Zuhri

Muhammed ibën El Munkedir

Hisham ibën ‘Urve ibën Zubejr

El ‘Ala ibën Abdur-Rahman dhe shumë tjerë.

Nga Imam Maliku, këtij oqeani të dijes, përfituan shumë kërkues të diturisë. Imam Dhehebiu me emër përmend mbi 240 nxënës që kanë transmetuar prej tij. Më të njohur prej tyrë janë:

Ibën Xhurejxhi

Ebu Hanife

Amër ibën El Harith

Sufjan Eth-Theuri

Shu’betu ibën El Haxh-xhaxh

El-Lejth ibën S’ad Imami i Egjiptit

Jahja ibën Ebi Kethir dhe shumë tjerë që arrijnë gradën e Imamit në shkencat islame. ( Es-Sijer 8/52-55)

Disa fjalë të imamëve për Imam Malikun:

Imam Jahja ibën Se’id El Kattan thotë: Askush nuk i ka hadithet më të sakta prej Imam Malikut, ishte Imam i hadithit

Imam Muhammed ibën Hasen Esh-Shejbani (nxënësi i Ebu Hanifes) thotëek Imam Maliku qëndrova mbi 3 vjet dhe prej gojës së tij mësova mbi 700 hadithe.

Imam Abdur-Rahman ibën Mehdi thotë: Imamë të kohës së tyrë: Theuriu, Maliku, Evzaiu dhe Hammad ibën Zejdi. Nuk kam parë njeri më të mençur se Maliku

Imam Sufjan Ibën Ujejne ka thënë: Maliku ishte dijetari i banorëve të Hixhazit, autoriteti i kohës së tij.

Imam Shafi’iu ka thënë: Kur të përmenden dijetarët, Maliku është ylli i tyre.

Vuhejbi ka thënë: Me i dituri mbi shkencën e hadithit dhe transmetuesit e tij…

Imam Dhehebiu ka thënë: Medineja pas Tabi’inëve nuk ka pasur dijetar të rangut të Malikut …

Imam Hakimi ka thënë: Tek asnjë prej dijetarëve të Medinës nuk janë nisur kërkuesit e diturisë siç janë nisur tek Imam Maliku. Këtë e pranuan Lejthi, Imami i Egjiptit dhe Magribit, Evzaiu, dijetari i Shamit, Theuriu, i pari i Kufës dhe Shu’beja, dijetari i Basrasë.

Disa qëndrime të Imam Malikut:

Thoshtë: Nuk fillova të përgjigjem në pyetjet e parashtruara para se të marr leje prej Reb’iasë dhe Jahja ibën Se’id el Ensari.

Kur Halifeja i muslimanëve i tha se do të urdhëron që libri i tij “El Muvetta” të shkruhet dhe të shpërndahet në gjitha krahinat e hilafetit tha: Mos e bë atë o Emir i besimdrejtëve sepse shokët e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, janë shpërndarë nëpër vende të ndryshme dhe në të janë përhapur fetvatë e tyre të cilat populli i ka pranuar dhe kanë vepruar sipas tyre e ti e din se mes as-habëve të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka pasur mendime të ndryshme dhe largimi i njerëzve nga ajo që e konsiderojnë si të vërtetë, është gjë e vështirë…

Në një rast halifeja i muslimanëve i kishte dërguar 2000 ose 3000 (dyshon transmetuesi) dinar dhuratë dhe më vonë ka dërguar njeri që t’i ofron Imam Malikut të shkon në Bagdad për të jetuar në afërsinë e halifës. Imam Maliku është përgjigjur: Medineja është më e mirë për të, nëse ata janë njerëz që dijnë dhe parat që mi solle janë paprekur.

Kur halifeja kërkoi që ta viziton u përgjigj: Të diturit janë ata që duhet vizituar…

Një ditë në tubimin e tij erdhi një njeri dhe pasiqë lexoi ajetin: I gjithëmëshirshmi u ngrit mbi Arsh (Ta-Ha, 5) pyeti: Si u ngrit? Imam Malikun u përgjigj: Istivaja është gjë e njohur (e përmendur në Kur’an), mënyra e saj nuk është e njohur, të besuarit në të është obligim kurse të pyeturit për (mënyrën) është bidat dhe ti je një bidatxhi dhe urdhëroi të përjashtohet prej tubimit.

Në një rast është pyetur për 48 çështje dhe në 32 prej tyre është përgjigjur se nuk e din.

Disa fjalë të tij:

Pas vdekjes së pejgamberve dhe shkruarjes së librave dituria dita ditës po pakohet.

Është fesat i madh që njeriu të fol çdo gjë që dëgjon.

Grindja (gjatë diskutimit) nuk ka asgjë me fenë.

Mburoja e dijetarit është fjala “nuk e di”, nëse e harron goditet për vdekje.

Dijetarët duhet që nxënësve të tyre t’ua trashigojnë fjalën “nuk e di”.

Prej katër persona nuk mirret dituria: prej mendjelehtit që flet pa dituri, prej bidatxiut nese thërret në bidatin e tij, prej gënjeshtarit, prej njeriut të devotshëm nëse nuk ka kujtesë të fortë (harron çfarë ka transmetuar).

Veprat e tij:

• Risaletu fi kader

• Risaletun fi Ekdije

• Xhuz’un fi tefsir

• Risaletun fi ixhmai ehlil Medine

• El Mudvvene El Kubra (e botuar)

• El Vadiha

• El Muvetta (e botuar)

Vdekja e tij:

Ndërroi jetë me 14 Rebi’ul Evvel 179 H., fjalët e fundit që i tha ishin ajeti: Vendosja e çështjes, para dhe pas është vetëm nga All-llahu… (Er-Rum, 4)

All-llahu e mëshiroftë Imam Malikun dhe e shpërbleftë me kopshtet e gjëra të xhennetit, në afërsi të krijesës më të zgjedhur, Muhammed, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, sunnetin e të cilit, ai aq shumë dhe me vendosshmëri e mbronte. Amin.

Talha Kurtishi

Referenca kryesore për këtë biografi libri:“Sijer A’lam Nubela” i Imam Dhehebiut 8/48-135

Shprëndaje
Artikulli paraprakImam Shafi
Artikulli vijuesImam Buhariu