Imami shqiptar zbutë mëkatet e të burgosurve muslimanë në Zvicër

Imami i caktuar për të burgosurit në burgun më të madh zviceran të Champ-Dollon, Rijad Aliu, tash e tetë muaj është duke u angazhuar për t`iu përgjigjur pyetjeve të shumta të të burgosurve.

Sfidat me të cilat ai përballet janë zbutja e tensioneve dhe reduktimi i rrezikut të radikalizimit. Për çdo të premte, ai e udhëheq lutjen për një orë, për rreth tridhjetë të burgosur.

„Rregullisht e rezervoj një çerek ore për të biseduar me ta. Në mënyrë të veçantë i trajtojmë lajmet më të reja dhe perceptimet e tyre“, ka spjeguar për „20 Minutes“, imami shqiptar nga Maqedonia, Rijad Aliu. Ai ka kryer arsimin e lartë në Kajro të Egjiptit, ndërsa në Gjenevë ka ardhur në vitin 2008.

Gjatë vitit të tij të parë në këshillimin e të burgosurve, ai u ballafaqua me një aktualitet shumë delikat, pasi më 13 nëntor të vitit të kaluar ndodhën sulmet e Parisit. „Kur i dëgjova lajmet në televizion, pyeta vetveten se çfarë do tu them të burgosurve të premten e ardhshme“, ka pohuar imami për portalin frankofon, njofton „Shtegu.com“.

Pas ngjarjeve dramatike, ai për pesë javë të tëra kishte filluar nga zero: „Unë iu spjegova se si duhet të jetë një mysliman i mirë. Po që se ata janë të burgosur, me siguri se kanë bërë ndonjë faj, ndërsa Islami urdhëron të dëshmohet shembëlltyra. Çështja e luftës në Siri dhe Irak është shumë sensible dhe nuk ka nevojë që të importohet lufta këtu. Unë iu spjegova se edhe nëse ata janë bombarduar nga perëndimorët, duhet përgjigjur me të mirë e jo me dhunë“, pohon imam Rijad Aliu.

Imami gjithashtu ka dëshmuar se në mesin e të burgosurve nuk ka radikalizim. „Gjatë të premteve, të gjithë të burgosurit bashkohen dhe kryesisht vijnë për tu lutur, pasi kam fituar përshtypjen se ata kanë nevojë“.

Burgu Champ Dollon, më 14 shkurt kishte 683 të burgosur për 376 vende. Pothuajse gjysma e tyre janë myslimanë. Një lokal mund t`i pranojë 35 besimtarë që kanë nevojë për tu lutur.

 

Artikulli paraprakQanë në Hutbe hoxha Muharem Ismaili – Po humbet respekti ndaj Nënave (video)
Artikulli vijuesVIDEO – A ban me lexu Kuran me pare