Shërbimi sekret rus pas vrasjes së aktivistëve çeçenë në Turqi?

Në një proces në Stamboll prokuroria akuzon agjentë të supozuar të shërbimit sekret rus se kanë vrarë aktivistë çeçenë në metropolin turk.

Një natë shkurti të vitit 2009 aktivisiti musliman çeçen Ali Osajev vdiq në një nga rrugët e metropolit turk Stamboll. Vrasësi e qëlloi Osajevin nga afër në fytyrë. Dy vjet më vonë tre aktivistë të tjerë çeçenë zbritën nga makina e tyre në lagjen e Stambollit Zejtinburnu ku njerëz të armatosur ishin në pritje të tyre. Të tre vdiqën nën një breshëri pumbash, autorët u larguan pa lënë gjurmë.
Tani në opinionin publik turk krimet e dhunshme të njohura si “vrasjet e çeçenëve” po përpunohen juridikisht. Që prej kësaj jave vrasësi i supozuar i Osajevit, Temur Makhauri, i quajtur “Zona” gjendet para një gjykate të Stambollit. Ai ishte arrestuar në vitin 2012 në aeroportin e Stambollit. Prokurori Gökhan Sajin e sheh të provuar fajin e tij dhe mbështetet për këtë edhe në pamjet nga kamerat e survejimit dhe material vëzhgues të shërbimit sekret turk. Sipas prokurorit, “Zona” madje ka qenë i pranishëm me gjakftohtësi në varrimit e Osajevit pak ditë pas vrajses së tij. I padituri i hedh poshtë të gjitha akuzat, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm.

Prokuroria sheh të provuar përfshirjen e FSB

Ndryshe nga vrasja e Osajevit prokuroria nuk ka mundur të nxjerrë para gjyqit asnjë të akuzuar për vrasjen e tre aktivistëve të tjerë çeçenë, Berg-Khas Musajev, Zaurberk Amrijev dhe Rustam Altemirov, kështu që procesi kundër tyre zhvillohet në mungesë. Sipas padisë, vrasësit janë Aleksander Sharkov dhe Nadim Ajupov, agjentë të shërbimit të fshehtë rus FSB. Pas vrasjes së trefishtë ata kanë arritur t’i ikin policisë turke dhe janë larguar pa probleme nga vendit.
Sipas prokurorisë nuk ka dyshime se plumbat mbi Osajevin ashtu si ato në lagjen Zejtinburnu kanë qenë të urdhëruar nga Moska për të hequr qafe rebelët. Osajev ishte përfaqëues në Stamboll i Emiratit të Kaukazit, një grupi luftarak i muslimanve te Kaukazit. Të paktën dy nga tre viktimat e Zejtinburnusë, sipas shtypit, ishin pjesëtarë të Emiratit.

“Një pikë kthese”
Në Turqi, ku rreth pesë milionë njerëz janë me origjinë nga rajoni i Kaukazit, ka tradicionalisht simpati të madhe për çeçenët dhe çerkezët. Fushatat ushtarake ruse në Çeçeni gjatë dekadave të kaluara patën sjellë sërish refugjatë në Turqi. Shoqatat çeçene i akuzojnë prej kohësh autoritetet ruse se përdorin dhunë ndaj të ashtuqujaturve rebelë jashtë vendit. Për këtë arsye procesi që ka filluar tani është “një moment kthese”, tha për Deutsche Wellen Murat Özer, shef i shoqatës çeçene Imkander.
Për herë të parë shteti turk ka bërë përgjegjës në një aktpadi të prokurorisë, shtetin rus, për vrasje politike në Turqi, tha Özer. Ai u shpreh shumë i kënaqur me qendrimin e trupit gjykues në ditën e parë të procesit. Gjykatësi Ilhami Yilmaz refuzoi kërkesën e mbrojtjes për t’i trajtuar në procese të ndryshme vrajsen e Osajevit dhe ato në Zejtinburnu: mesa duket gjykata mendon se të dy aktet janë kryer “nga e njëjta organizatë”, tha Özer.

Vrasje të çeçenëve edhe në shtete të tjera

Në 21 prill do të zhvillohet një tjetër seancë, deri në shqiptimin e vendimit pritet të kalojnë muaj, veçanërisht nëse gjykata vendos që ta shqyrtojë me themel fenomenim e vrasjeve të çeçenëve në mërgim. Presidenti rus Vladimir Putin pati deklaruar në 2002 se ekstremistët çeçenë do të ndiqen “kudo që të ndodhen”.
Në vitin 2004 një gjykatë në Katar dënoi me burgim të përjetshëm dy agjentë rusë për shkak të vrasjes së kreut të rebelëve Zelimkan Jandarvijev. Moska deklaroi se burrat ishin të pafajshëm. Para pesë vitesh policia në Dubai akuzoi një politikan çeçen prorus nga Rusia, se kishte organizuar vrasjen e rebelit Sulim Jamadajev.

Kufizim i dëmit
Deri tani qeveria turke nuk është shprehur për pasojat e mundshme politike të “vrasjeve të çeçenëve” në Stamboll. Nëse gjykata në Stamboll tani do të arrinte në përfundimin se Moska qendronte pas akteve të dhunshme, Ankaraja do të vihet nën trysni për ta ngritur këtë temë me qeverinë ruse.
Orkhan Gafarli, specialist për Rusinë pranë institutit Bilgesam në Stamboll, nuk pret megjithatë ndonjë krizë në themel të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Do të ketë irritime mes qeverive, por rasti nuk do t’i trondisë deri në palcë marrëdhëniet”, tha Gafarli për Deutsche Wellen.

Interesa të forta për marrëdhënie të mira
Në fund të fundit të dy palët kanë interes të kufizojnë pasojat politike të “vrasjeve të çeçenëve”. Rusia është e interesuar të mos ketë shumë jehonë për këtë cështje. Dhe Turqia nuk dëshëron të vërë pa nevojë në lojë raportin e saj të mirë me Moskën. Rusia i livron Turqisë 55 për qind të sasisë së gazit natyror dhe 12 për qind të naftës. Firmat ruse do të ndërtojnë centralin e parë bërthamor turk. Numri i pushuesve rusë në Turqi rritet me shpejtësi dhe aktualisht është 4,3 milionë në vit.

Artikulli paraprakRusia kërcënon SHBA-të me braktisje të dollarit
Artikulli vijuesAfganistan: NATO vret 5 ushtarë afganë