Insektet ushqim i zgjedhur apo provë guximi?

Popullsia e globit rritet me ritme të shpejta. Me insekte të ushqyeshme mund të mbulohet kërkesa për proteina. A janë buburrecat, karkalecat e fushës dhe krimbat e miellit zgjidhja?
Në një kafene plot jetë në mes të Parisit, tre të rinj përkulen mbi një kavanoz qelqi të mbyllur me kapak dhe shohin me vëmendje përmbajtjen. “Mbajnë era spec”, thotë Katie Evans, dhe pastaj nxjerr nga kavanozi një karkalec të vogël të pjekur. Në Meksikë ata konsiderohen ushqim i zgjedhur, në kryeqytetin evropian të kulinarisë së zhvilluar, janë përkundrazi thuajse të panjohur. Evans e fut karkalecin në gojë.

“Shumë pikant”, thërret ajo. “I gjithë karkaleci nga koka tek bishti ka shijen e farave të kungullit.”
Karkalecat e pjekur prodhohen nga firma gourmet e erëzave “Terre Exotique”, dhe aktualisht mund të merren prej saj vetëm me porosi paraprake. Në të ardhmen e afërt kjo mund të ndryshojë. Me insekte të ngrënshme Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), synon të luftojë urinë në botë dhe inkurajon edhe vende të pasura, të zëvendësojë qoftet e hamburgerave me karkaleca apo buburreca të pjekur.

Proteina për popullsinë në rritje të globit
Me një popullsi botërore prej aktualisht rreth shtatë miliardë njerëzish dhe pritje për nëntë miliardë në vitin 2050, siguria e ushqimit është një nga temat më të rëndësishme për politikanët në mbarë botën. Rritja e kafshëve në blegtori është sipas FAO-s një nga shkaqet kryesore për problemet e mëdha me mjedisin në të gjithë botën: ngrohja e globit, degjenerimi i tokës, ndotja e ujit dhe ajrit dhe rënia e shumëllojshmërinë së specieve. Konsumi i mishit nuk mund të vazhdojë të jetë në nivelin aktual, tërheq vëmendjen organizata e OKB-së për mjedisin dhe i referohet insekteve si alternativë praktike, e pasur me proteina dhe e padëmshme për mjedisin.
Insektet, ashtu si shumë ushqime të tjera shtazore, janë të pasura me proteina. Ata përmbajnë hekur dhe kalcium, vitamina A, B1, B2 dhe D dhe përqindja e yndyrnave është shumë më e ulët se tek mishi i lopës apo derrit.
Ushqime nga insektet të prodhuara nga firma,Ynsect
“Insektet janë shumë të ushqyeshme”, shpjegon Eva Ursula Müller, përgjegjëse për politikat për pyjet pranë FAO-s. “Ato luajnë një rol të rëndësishëm për sigurinë e ushqimit. Dy miliardë njerëz, ose një e treta e popullsisë së botës, ushqehen ndërkohë me insekte.”
Entomofagia – konsumimi i insekteve nga njerëzit – mbështetet edhe nga mbrojtësit e ambjentit. Insektet prodhojnë më pak gazra të efektit serrë se lopët, kanë nevojë për ndoshta vetëm një të katërtën e sasisë së ushqimit dhe kultivuesve u nevojitet shumë më pak hapësirë për rritjen e buburrecave, krimbave dhe karkalecave të fushës. Fermat e rritjes së kafshëve në blegtori zgjerohen në zona pyjore, ndërsa për prodhimin e insekteve mjaftojnë ndërtesa të vogla, të mbyllura.

Potencial i madh ushqimi
Në Evropë entuziasmi për entomofaginë është ende i kufizuar por firma të reja si ajo franceze “Ynsect” punojnë tashmë për produkte të reja. Në zyrat e tyre në qendër të Parisit, punonjësit përreth sipërmarrësit Jean-Gabriel Levon, merren me zhvillimin e ushqimit të kafshëve nga miell insektesh. Produkti përfundimtar duket si pluhur druri. “Vjen erë si ushqim peshku”, thotë Levon me krenari. “Peshqit e pëlqejnë produktin tonë.” Ky lloj ushqimi është menduar të përdoret edhe për pulat dhe derrat.
Në të vërtetë Levon donte të prodhonte produkte ushqimore me bazë insektesh për njerëzit. Me partnerët e tij ai zhvilloi biskota dhe çips me bazë insektesh, por ligjet në thuajse gjithë vendet e BE-së, i lejojnë vetëm firmave të vogla të spedicionit të livrojnë tek klientët produkte të ngrënshme me bazë insektesh. Kështu “Ynsect” kaloi tek prodhimi i ushqimeve për kafshët me bazë insektesh, dhe edhe ky është shumë i kërkuar. BE importon rreth 70 për qind të ushqimit të nevojshëm për kafshët: soja dhe drithërat sillen nga vende të ndryshme të globit, për të ushqyer lopët, derrat etj. Firma e Levon mund të prodhojë ushqim alternativ nga insektet në Francë, mendon Levon, i cili merret ndërkohë me zhvillimin e produkteve të tjera nga insektet.

Në qindra vende në të gjithë botën, në menutë e ushqimit gjen më shumë se 1900 specie insektesh. Por do të kalojë me siguri ende kohë derisa recetat për ushqime me bazë insektesh, të këmbehen edhe në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Ligjet e BE-së nuk janë pengesa e vetme mendon Levon: që insektet e ngrënshme të mbërrijnë në pjatat e evropianëve, njerëzit duhet të ndryshojnë qendrim. Pranimi i gjellëve aziatike me peshk të gjallë, e bën atë optimist për të ardhmen: “Para 30 vjetësh askush në Evropë nuk hante sushi. Tani të gjithë hanë”, thotë Levon. “Përse të mos ndodhë kështu edhe me insektet?” Megjithatë sipërmarrësi francez mendon se do të duhen disa dekada derisa konsumatorët të pranojnë në shkallë të gjerë alternativën e re.

BE investon tek insektet
Në kafenenë në Paris Katie Evans dhe shokët e saj i kanë ngrënë plotësisht ushqimet me bazë insektesh, por janë skeptikë për të ardhmen e entomofagisë në Evropë.
BE i ofron vendeve anëtare tre milionë euro për kërkime, për t’ua bërë evropianëve më të shijshmeqë insektet. Me titullin “Insekte për të ushqyer botën”, FAO planifikon në 2014 një konferencë në Holandë. Ka shumë gjasa që 10 vitet e ardhshme pjesa më e madhe e ligjeve kundër shitjes së insekteve të ngrënshme të shfuqizohen./dw

Artikulli paraprakInsektet ushqim i zgjedhur apo provë guximi?
Artikulli vijuesIsh kritiku i AKP-së kryekëshilltar i Erdoganit