Ish kritiku i AKP-së kryekëshilltar i Erdoganit

Yigit Bulut është kryekëshilltari i ri i kryeministrit turk Erdogan. Gazetari i polemizuar vitet e fundit ka ndryshuar orientimin politik, nga analist financiar liebral në mbështetës pa kushte të AKP-së.
“Teoricieni i komploteve do të bëhet kryekëshilltari i Erdoganit”, titullonte portali i lajmeve në internet “Spiegel Online”, artikullin për emërimin e Bulutit. “Jo, nuk është shaka”, komentonte gazeta britanike “The Guardian” emërimin. Si ish-kryeredaktor i kanalit televiz të afërt me qeverinë “Haber Türk”, Yigit Bulut, ka mbështetur qendrimin e Erdoganit gjatë protestave të parkut Gezi. Ashtu si kryeministri Erdogan edhe Bulut bënte përgjegjës “lobin e interesave” për trazirat në vend. Bankierët janë të pakënaqur me uljen e planifikuar të normës bazë të interesit. Qeveria synonte në radhë të parë gjallërimin e ekonomisë, pasi ulja e normës bazë të interesit stimulon kryesisht konsumin. Turqia për herë të parë pas 52 vjetësh nuk ka borxhe tek FMN-ja. Kjo nuk i ka pëlqyer disa njerëzve, argumentonte Bulut.

Protesta në Stamboll, parku Gezi Protestat në Turqi janë të nxitura nga jashtë, thotë Bulut.
Në një edicion lajmesh, të transmetuar pak kohë më parë nga kanali televiz turk “25TV”, Bulut theksonte se forca të huaja po përpiqen të vrasin Erdoganin me anë të “psikokinezës” (forcës së mendimeve). Edhe gjermanët ai i fajësonte se kanë ndezur protestat. “Prej muajsh kompania ajrore gjermane Lufthansa ushtron trysni që në Stamboll të mos ndërtohet aeroporti i tretë.” Synimi është të pengohet që miliona pasagjerë nga Gjermania ta përdorin në të ardhmen Turqinë si bosht rrotullues. “Meqenëse demonstruesit protestojnë edhe kundër aeroportit, është e qartë që nxiten nga Gjermania”, tha Bulut në televizionin turk. Prej një jave ai është kryekëshilltar i Erdoganit. Nëpërmjet Twitter ai vazhdon të shpërndajë komente si “Perëndimi donte ta përdorte parkun Gezi për kapitullimin e qeverisë.”
Durul Türkmen politolog dhe këshilltar. Durul Türkmen politolog dhe këshilltar i disa deputetëve të AKP-së.

“Model i keq për brezin e ri”
Aydin Özdalga e njeh mirë Yigit Bulutin. “Ai është miku im. Më pëlqen shumë”, thotë Özdalga, botuesi i “Haber 3”, një prej portaleve më të mëdha turke të lajmeve. Yigit Bulut është një njeri shumë inteligjent dhe intelektual, që ka marrë një formim shumë të mirë, thekson Özdalga. “Por problemi është që Bulut aktualisht nuk është i sigurt për mendimin e tij politik”, thotë gazetari. Özdalga thekson se Bulut në shumë artikuj të tij të mëparshëm e ka kritikuar ashpër qeverinë. P.sh. në vitin 2008 në një artikull të gazetës “Vatan”: “Sistemi po rrëshqet nga demokracia në fashizëm. Unë shqetësohem shumë për Turqinë. Rreziku është i madh. AKP duhet të ndalohet”, shkruante Bulut atëherë. Por suksesi i AKP-së e bëri për vete Bulutin, thotë Özdalga. “Ai është një njeri që punon sipas interesit dhe dobisë së vet”, thotë Özdalga. Pikëpamjet e tij politike kanë ndryshuar krejtësisht, vlerëson gazetari. Në 2010 Bulut ra në sy negativisht tek kolegët e tij gazetarë, kur në një takim zyrtar me Erdoganin kërkoi një censurë të medieve në internet nga autoriteti shtetëtor për radiotelevizionin RTÜK.

“Të gjithë e ndryshojnë mendimin kohë pas kohe. Kjo është normale. Por sapo AKP të humbasë pushtetin, çka do të ndodhë herët ose vonë, Bulut do të mbajë menjëherë anën e një partie tjetër”, shpreh bindje Özdalga. Dhe kjo do ta zemërojë, thotë gazetari, pasi Bulut bëhet kështu një model i keq për brezin e ri. “Të jesh inteligjent nuk mjafton. Duhet të jesh i ndershëm. Si mund t’i besohet drejtimit politik nga Bulut, kur ai e ndryshon vazhdimisht mendimin e tij politik?”, kritikon Özdalga.
Në gjirin e qeverisë së AKP-së, kritikat për emërimin e Yigit Bulutit si kryekëshilltar të Erdoganit, janë të kufizuara, thotë Durul Turmen. Politologu 33-vjeçar këshillon disa deputetë të AKP-së. “Komentet e fundit të Bulutit tregojnë se ai është dikush që e mbron kryeministrin në raportet me jashtë. Kështu shihet brenda qeverisë. E vetmja kritikë është: përse u desh të merrej dikush nga mediet?”, thotë Türkmen. Sipas tij mund të ishte marrë dikush me më shumë dije. “Megjithatë Bulut nuk është zgjedhje fare pa kuptim. Ai është specializuar mirë në fushën e ekonomisë”, pranon Türkmen.

“Askush nuk debaton me Erdoganin”

Erdogan ia dëgjon fjalën gruas së tij, Emine Erdogan
Türkmen thekson se kryeministri vërtet i dëgjon këshilltarët, por në fund vendos vetë. “Erdogani dëgjon edhe gruan dhe të bijat”, thotë politilogu i afërt me AKP-në. Ndikimi i gruas së tij Emine Erdogan, duket qartë veçanërisht në lidhje me tema të gruas dhe familjes . “Për shembull ajo ishte kundër atyre deputeteve të cilat ishin martuar për herë të dytë. Ajo nuk lejoi që ato të kandidonin si deputete për legjislaturën e re”, thotë Türkmen. Dhe kjo u respektua në pjesën më të madhe të rasteve.
Gazetari Cengiz Aktar e sheh Erdoganin si një “autokrat të vetmuar”. Rrethi i tij bëhet çdo ditë e më i vogël. Megjithatë Erdogani në fund vendos gjithçka vetë dhe askush nuk guxon që t’i kundërshtojë, thotë gazetari. “Kur dikush ka një këshilltar, atëherë edhe debaton me të. Por me Erdoganin askush nuk debaton”, thotë Aktar. Edhe Aydin Özdalga thekson se Erdogan nuk i dëgjon këshilltarët. “Ai nuk interesohet as për reagimet e shoqërisë në lidhje me parkun Gezi. Ashtu si Bulut edhe ai vazhdon të pretendojë se trazirat janë një komplot i lobit të bankierëve. Ai nuk do ta pranonte kurrë që nuk ka të drejtë”, thotë Özdalga. Edhe me kryekëshilltarin e ri nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe pasi Bulut ka të njëjtat pikëpamje si Erdogan. Dhe ai nuk do ta kundërshtonte kurrë shefin e tij të ri, për këtë është emëruar, mendon botuesi./dw

Artikulli paraprakInsektet ushqim i zgjedhur apo provë guximi?
Artikulli vijuesMjekësi e personalizuar