Intervistë ekskluzive me Imam Vehbi Sulejman Gavoçin, dijetar i madh musliman Shkodran
Vehbi Sulejman Gavoçi nuk është dijetari i vetëm musliman shqiptar në botën islame, përveç atij numërohen edhe dijetarë të tjerë njohur si: Shejh El-Albani, Shejh Abdul-Kadir Arnauti, Shejh Nuhi, gjyshi i Shejh Shuajb el-Arnautit etj.
——————————————————————————–
Le të kthehemi te i intervistuari ynë, Shejh Vehbi Sulejman Gavoçi
Pyetje: I nderuar Haxhi Vehbi Sulejman Gavoçi, ju e keni lënë Shqipërinë në moshë të vogël dhe keni ardhur në Damask (Siri); a mund të na tregoni se kur keni ardhur ju dhe familja juaj këtu?
Përgjigje: Bismil-lahirr-Rrahmanirr Rrahim.
Falenderimi i takon Zotit të të gjitha botërave, i Cili është Një dhe i pashoq, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij, Muhamedin (a.s.) dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.
Unë jam Vehbi Sulejman Gavoçi. Nga Shqipëria në Siri kemi ardhur në vitin 1937. Babai im e la Shqipërinë me familjen e vet dhe të vëllanë e tij dhe erdhën në Siri.
Pyetje: Cilat ishin arsyet të cilat ju shtynë që të vini në Siri?
Përgjigje: Arsyeja kryesore ka qenë se mbreti Zog në kohën e tij bëri disa reforma të cilat nuk kanë lidhje me fenë Islame. Ai e detyroi gruan që të heqë perçen, e barazoi vëllain me motrën në mirath (trashëgimi), dhe i urdhëroi nëpunësit dhe studentët që të vendosin kapele në kokë. Gjithashtu edhe disa gjëra kundër fesë të cilat i zbatoi ai, e detyruan babain tim që ta lërë Shqipërinë dhe të vijë në Siri, thënë më qartë në vendin ku kanë emigruar pejgamberët (të dërguarit e Allahut-profetët) e fundit.
Pyetje: Ku jeni vendosur në fillim në Damask?
Përgjigje: Kur kemi ardhur në fillim në Damask kemi ndenjur në lagjen “Huk-kul Sarajja”, mandej u vendosëm në Divanije, e cila njihet si mëhalla (lagja) e shqiptarëve. Aty babai me mirësitë e Zotit, na ndërtoi një shtëpi, mandej ndërtoi edhe një xhami e cila quhet xhamia “Arnaut”.
Aty, ai vetë ka qenë imam në atë xhami (gjatë faljeve), ka studiuar aty, dhe që të gjithë shqiptarët e vjetër që ndodheshin aty kanë mësuar prej babait për fenë e tyre.
Pyetje: Si ju kanë pritur arabët si shqiptarë?
Përgjigje: Arabët si shqiptarë na kanë pritur si s’ka më mirë. Shqiptarët që janë këtu mund të ndahen në dy parti (grupe): Partia (grupi) i parë janë kosovarët, të cilët kanë ardhur këtu gjatë luftës ballkanike, kur serbët i vranë, i prenë dhe i torturuan. Një shumicë e tyre shkuan në Turqi, e disa erdhën në Siri. Kur ata erdhën këtu, qeveria e vendit u propozoi atyre një tokë e cila quhet Shbele, një katund, që të punojnë në të. Mirëpo ata përtuan në vend të huaj, duke mos ditur gjuhën dhe vendin, dhe preferuan që të rrinë në qytet. Ne kemi ardhur nga Shqipëria, Shkodra, në vitin 1937 siç e përmenda më herët. Haxhi Nuhi dhe babai i Shuajb el-Arnautit, Muharremi, kanë ardhur para nesh në vitin 1926, po nga Shkodra. Ne jemi grupi i dytë nga Shkodra që kemi ardhur në Siri. Arabët na kanë pritur shumë mirë, dhe kur kemi pasur ndonjë nevojë na kanë ndihmuar.
Pyetje: Sa është numri i përafërt i të shpërngulurve shqiptarë në Siri?
Përgjigje: Nuk mundem të jap një shifër të përafërt të shqiptarëve këtu, sepse unë, për rreth njëzet e ca vjet kam qëndruar jashtë Sirisë. Mirëpo besoj se jemi më shumë se 10.000 vetë.
Pyetje: Cila ka qenë veprimtaria juaj personale, dhe me çfarë jeni marrë në Damask?
Përgjigje: Kur kam ardhur në Siri, në vitin 1937, jam njohur me një akraba (të afërt), i cili quhej Hasan Smaja dhe babai më pyeti nëse kisha dëshirë të shkoja në mejtep (shkollë e ulët islame) me të? Dhe unë pranova. Pastaj shkova në Misir (Egjipt) dhe atje qëndrova dhjetë vjet. Atje mësova gjuhën arabe dhe fenë, dhe mora dy diploma të larta, një të universitetit (laike) dhe një të Sheriatit (jurisprudencës islame). Gjithmonë jam marrë me mësime, duke lexuar dhe duke shkruar libra qysh nga viti 1937 e deri më sot. Lexoj ende edhe kësaj dite, shkruaj ende artikuj, libra dhe shkrime, ashtu siç punojnë edhe djemtë e rinj. Jam marrë vetëm me mësime dhe arsim e jo me politikë, dhe gjatë viteve 1948-1980 e më tej kam dhënë mësim në Siri. Mandej kam shkuar në Medine (Arabi Saudite) dhe kam qëndruar për disa vite. Mandej kam shkuar në Emiratet e Bashkuara Arabe ku kam qëndruar për afro katërmbëdhjetë vjet. Ndërsa në vitin 2000 jam kthyer në Siri, në vendin tim, për të qëndruar aty deri sa të kem jetë.
Pyetje: Ku dhe kur i keni mbaruar studimet tuaja?
Përgjigje: Studimet i kam mbaruar në Kajro në vitin 1947, nga viti 1937-1947.
Pyetje: Çfarë aktivitetesh keni bërë në lidhje me shqiptarët kur jeni kthyer nga Egjipti?
Përgjigje: Kur jemi kthyer prej Misirit (Egjiptit) menduam që të mblidhnim të gjithë shqiptarët kudo që janë në Siri. Prandaj, formuam një shoqëri bamirëse, mirëpo nuk qëndroi më tepër se tre vjet. Kam qenë sekretar i përgjithshëm i kësaj shoqërie. Kam dhënë edhe intervista në disa gazeta; dhe në një rast kur erdhën për Ahmet Zogun dhe folën keq për të duke thënë se ai e ka shitur vendin e vet e ne vetë jemi të shitur. Në njëfarë mënyre, ne jemi munduar t’i gjendemi pranë dhe t’i ndihmojmë bashkatdhetarët tanë. Mirëpo disa që janë me origjinë shqiptare, nuk i kanë ndjenjat tona, ata kanë lindur dhe kanë ndenjtur në Shqipëri deri sa qeveria e mbylli atë shoqatë (shoqëri) dhe ne mbetëm të ndarë, secili në vendin e vet.
Pyetje: A mendoni që të ktheheni ndonjëherë në Shqipëri me familjen tuaj?
Përgjigje: Në Shqipëri kam shkuar çdo vit, por nuk mendoj se do të kthehem përgjithmonë atje, sepse këtu në Siri jemi të lidhur me punë dhe familje, dhe kjo është një punë e vështirë. Emigrimi në këtë vend është sevap, mandej ne këtu jemi pranë burrave dhe baballarëve tanë (paçin rahmet-mëshirë) të cilët e lanë Shqipërinë për të ruajtur fenë.
Pyetje: Cila është përshëndetja juaj për bashkatdhetarët, për shqiptarët?
Përgjigje: Kur pata shkuar për herë të parë në Kosovë, më pritën shumë mirë, dhe e pashë të udhës që për t’i falenderuar ata të shkruajta një libër në gjuhën shqipe i cili quhet “Si dhe Pse”? Dashuria ime për vendin tim është në gjakun tim, është në jetën time; atje kam lindur, të afërmit, vëllezërit e shokët i kam atje, mendoj gjithmonë mirë për Shqipërinë tonë, mirëpo tani që jam plakur e kam të vështirë që të kthehem prapa, por në qoftë se Zoti do të më kthente përsëri djalë të ri do të vija përsëri.
Intervistoi: Ermal BEGA Damask – Siri