Investitorët ikin edhe nga Shqipëria

Në një kohë kur ekonomia shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për investime, që do të rrinin punësimin dhe do të nxisnin konsumin, kompanitë vendase dhe ato të huaja duket se po preferojnë të investojnë jashtë vendit.

Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë për vitin 2014, zëri mjete në Investimet direkte, i cili nënkupton flukset dalëse të investimeve direkte arriti në 76 milionë euro, nga 22 milionë euro një vit më parë, me një rritje prej 245%.

 
Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë, në këtë zë përfshihen investimet e kompanive shqiptare jashtë, ose huatë që bijat në Shqipëri mund t’u kenë dhënë mëmave.
 
Bizneset kishin paralajmëruar që rritja e vazhdueshme e taksave, që po e bën vendin më pak atraktiv në rajon, barrierat administrative dhe mjedisi i paqëndrueshëm për të bërë biznes po i “detyronte” ata të transferonin kapitalin jashtë vendit. Më e dukshme kjo ka qenë për sipërmarrjet e ndërtimit, që po vuajnë jo vetëm maturimin e sektorit por edhe bllokimin e lejeve të ndërtimit.
 
Në një dukuri të kundërt, në 2014-n u trefishua dhe transferimi i fitimeve të kompanive të huaja, që nxituan të çojnë dividendët në vendin mëmë, për të shmangur rritjen e tatimit mbi dividendin nga 10 në 15%, nga 1 janari 2015.
Artikulli paraprakS’ka para për rrugët Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Mitrovicë
Artikulli vijuesDavutoglu: Stabiliteti politik, sekreti i rritjes ekonomike