Ministria e jashtme e Iranit thotë se po synon “dialog direkt” me Arabinë Saudite rivale për zgjidhjen e mospajtimeve rajonale.
Lidhur me konfliktet në Siri, Irak dhe Jemen, Irani i udhëhequr nga shiitët dhe Arabia Saudite e udhëhequr nga sunitët, kanë marrë qëndrime diametralisht të kundërta.
Irani e mbështet qeverinë e Sirisë dhe atë të Irakut dhe u ndihmon me këshilltarë ushtarakë në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik. Nga ana tjetër, Arabia Saudite i mbështetë grupet e armatosura opozitare në Siri.
Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Iranit, Hossein Jaber Ansari, tha dje se ambasadori i ri saudit së shpejti do të vendoset në Teheran, pasi paraardhësi i tij ishte larguar pothuajse para një viti.
Zëdhënësi Ansari i është shmangur kritikës direkte të Arabisë Saudite për krijimin e një koalicioni antiterrorist me 34 vende myslimane sunite, duke mos përfshirë Iranin, Irakun dhe Sirinë.
Megjithatë, ai ka theksuar se Rijadi “duhet tu shmanget standardeve të dyfishta” dhe ta respektoj “integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar” të vendeve ku bëhen operacionet, duke aluduar në rolin e Arabisë Saudite në mbështetje të grupeve opozitare në Siri.