Irani paralajmëron manovra masive

0
202

Në javët e ardhshme, Irani do të zhvillojë manovra në shkallë të gjerë të forcave kundërajrore, ka njoftuar komandanti i forcave kundërajrore të Gardianëve të Revolucionit, gjenerali Farzad Esmaili, i cituar nga mediet.

“Të gjitha sistemet e mbrojtjes kundërajrore të Gardianëve si dhe ato të ushtrisë do të përdoren gjatë këtyre manovrave, të cilat janë paraparë të zhvillohen gjatë muajit iranian Mehr (që nis më 21 shtator e përfundon më 20 tetor)”, ka treguar gjenerali Esmaili për agjencinë zyrtare të lajmeve “Irna”.

“Në manovra do të përfshihen edhe avionët bombardues dhe ata sulmues”, ka shtuar ai, duke precizuar se synimi kryesor është të testohet kapaciteti i menaxhimit të krizave i forcave iraniane në raste të “skenarëve të papritur”.

Gjenerali Esmaili ka thënë në Klubin e Gazetarëve të Rinj, që është në varësi të televizionit shtetëror, se prioriteti i mbrojtjes kundërajrore të Gardianëve të Revolucionit ishte mbrojtja e qendrave nukleare të vendit. “Pjesa më e madhe e mjeteve tona është dislokuar rreth këtyre qendrave”, ka pohuar ai./zeri/kohaislame