IRANI PAS ZGJEDHJEVE

Hasan Ruhani është zgjedhur president i  Iranit, duke marrë mbi 51 për qind të votave që në raundin e parë të zgjedhjeve, që u mbajtën më datë 14 qershor 2013. Në këto zgjedhje konkurruan 6 politikanë, që morën miratimin e Këshillit të Mbrojtësve të Kushtetutës ndërmjet gjithsej 680 kandidatëve.

Fitimi i zgjedhjeve presidenciale nga Hasan Ruhani, i cili njihet me pozicionimin e tij politik pranë reformistëve, u prit me qetësi në shkallë vendi. Këtë herë nuk u panë protesta popullore si ato, që u organizuan pas zgjedhjeve të vitit 2009 me pretendimin për manipulim të votave. Një prej arsyeve të kësaj është se Ruhani rezulton një politikan në përputhje me ideologjinë e shtetit, ndërsa tjetra është qëndrimi i tij pranë zgjedhësve reformistë. Fitorja e Ruhanit, madje që në raundin e parë, përballë 5 kandidatëve të tjerë, të cilët gëzonin mbështetjen e liderit suprem fetar Ali Hamanej, përmban në thelb disa mesazhe. Për t’i kuptuar më mirë këto mesazhe duhet të analizojmë fillimisht performancën e Presidentit konservator në largim, Mahmud Ahmedinexhad, i cili ka lënë gjurmë të thella gjatë 8 viteve të fundit në Iran, pastaj premtimet elektorale të vet Hasan Ruhanit.

Shoqëria iraniane gjendet prej shumë vitesh brenda një procesi të veçantë në politikën e brendshme dhe atë të jashtme. Ajo drejtohet nga një regjim i ri, që u themelua pas revolucionit islam të 1979-s. Edhe pse në formimin e udhëheqjes populli luan rol një herë në 4 vjet, duke zgjedhur presidentin dhe deputetët, çdo gjë zhvillohet në përshtatje me përzgjedhjet ideologjike të shtetit. Ashtu si konservatorët apo statukuoistët (mbështetësit e statukuosë), të cilët janë besnikë të përbetuar të ideologjisë së shtetit, në Iran ka edhe shumë reformistë, që kërkojnë ndryshim në politikat shtetërore. Në fakt, janë pikërisht këto dy prirje në politikën iraniane që gjatë zgjedhjeve shkaktojnë përplasje ndërmjet përkrahësve të statukuosë dhe reformistëve.

Dallimet themelore midis reformizmit dhe statukuoizmit qëndrojnë më shumë te zbatimet e politikave të jashtme se sa te politikat e brendshme. Në krye të këtyre dallimeve renditen pozita e Iranit në botë dhe problemet ndërkombëtare të tij. Edhe në zgjedhjet e fundit, dy çështjet që u ngritën kryesisht në rend të ditës kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe atë të jashtme gjatë presidencës 8-vjeçare të Ahmedinexhadit, si dhe me pozicionin e Iranit në të ardhmen.

Performanca e Ahmedinexhadit në politikën e jashtme mund të analizohet në tri pika:

Së pari; ai ka ndjekur një politikë agresive (hawk politics = politikë fajkua, ang.) në kuadër të programit bërthamor, veçanërisht në negociatat me vendet P5+1. Ky qëndrim i Ahmedinexhadit, sado që është toleruar nga Rusia dhe Kina, ka tërhequr në veçanti reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve evropiane. Për pasojë, Irani është përballur me embargo tepër serioze nga shumë shtete të botës, me në krye SHBA-të dhe vendet e BE-së. Ekonomia e Iranit vijon të përjetojë vështirësi shumë të mëdha për shkak të trysnisë dhe efekteve të embargove të rënda. I përjashtuar nga tregjet perëndimore, Irani po kacafytet me nivele tepër të larta inflacioni, papunësie dhe zhvlerësimi të monedhës kombëtare. Megjithëse në këtë proces ka marrë vazhdimisht mbështetje ekonomiko-politike nga Moska dhe Pekini, këto përkrahje nuk kanë mjaftuar për të zgjidhur problemet e Teheranit. Ndërkohë që, pjesërisht edhe për arsye ideologjike, pothuajse i ka shkëputur të gjitha lidhjet me Perëndimin, Ahmedinexhadi është përpjekur t’i zhvillojë marrëdhëniet me liderin e ndjerë të Venezuelës Hugo Çavez, Presidentin sirian Beshar Esad dhe qeverinë irakiane të Nuri al-Malikit.

Dimensioni i dytë i politikës së jashtme të Ahmedinexhadit ka të bëjë veçanërisht me qëndrimin e tij në procesin e Pranverës Arabe. Gjatë zhvillimeve të Pranverës Arabe, Ahmedinexhadi ka shfaqur përgjithësisht një përqasje pozitive; ai është pozicionuar pranë kërkesave legjitime të popujve arabë dhe është shprehur pro përmbysjes së diktatorëve. Pozicioni i Iranit deri këtu ka qenë mjaft i arsyeshëm dhe i pranueshëm, por në çështjen e Sirisë qëndrimi i Teherani ka ndryshuar 180 gradë. Pavarësisht sulmeve të panumërta të udhëheqjes së Esadit, Irani ka vazhduar ta mbështesë regjimin e Damaskut pa i dëgjuar aspak kërkesat e opozitës siriane. Kjo përqasje e Iranit ka gjetur mbështetjen e Putinit dhe Al-Malikit, por ka tërhequr reagimin e botës arabe dhe Turqisë.

Përmasa e tretë e trashëgimisë së politikës së jashtme të Ahmedinexhadit është e lidhur ngushtë me rezultatet negative, që janë shfaqur në marrëdhëniet me Turqinë dhe vendet e tjera islame. Dihet që Turqia i kushton rëndësi stabilitetit të Iranit, një vend fqinj dhe mik i përjetshëm i saj, të cilin Ankaraja e mbështet gjithashtu për zhvillimin e marrëdhënieve me të gjithë botën. Në veçanti duhet të kujtojmë përkrahjen e madhe që Turqia i jep Iranit veçanërisht në problemin e programit bërthamor të tij. Në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Ankaraja ka votuar guximshëm kundër vendimit për embargo ndaj Teheranit dhe është renditur pranë këtij vendi për zgjidhjen e problemit me metoda paqësore. Turqia ka kërkuar gjithnjë vazhdimësinë e marrëdhënieve të fuqishme historike, ekonomike dhe shoqërore me Iranin. Por Teherani, në veçanti për shkak të politikave të tij lidhur me Esadin dhe Al-Malikin, ka mbajtur një qëndrim kundër Ankarasë. Kjo situatë jo vetëm që ka shkaktuar zhgënjim në palën turke, por njëkohësisht ka bërë që Irani të izolohet edhe më shumë nga pjesa tjetër e botës.

Në zgjedhjet e fundit, shumica e popullit në Iran tregoi se nuk i mbështet politikat e Ahmedinexhadit, duke ia dhënë votën një politikani reformist si Hasan Ruhani. Në fakt, ky i fundit ka bërë premtime reformiste veçanërisht për sa i takon politikës së jashtme dhe e ka kritikuar Ahmedinexhadin me pretendimin se e ka vënë Iranin në pozita të vështira, duke përdorur “fjalë të papeshuara, të pa llogaritura dhe të jo të mirëmenduara”./TRT

Kritikat në drejtim të Ahmedinexhadit demonstrojnë se Ruhani kërkon të hapë një faqe të re në Iran. Presidenti i porsazgjedhur ka premtuar se do t’i japë fund izolimit të Iranit, do të gjejë një marrëveshje me Perëndimin mbi dosjen e programit bërthamor dhe si rezultat do të eliminojë embargot. Të gjithë e dinë se Hasan Ruhani, i cili ka qenë kreu i negociatave nukleare gjatë periudhës së ish-presidentit Hatemi, ka mjaft përvojë në këtë fushë. Ruhani thekson gjithashtu se do të zhvillojë të drejtat dhe liritë e njeriut, ekonominë dhe moralin shoqëror në vend.

Bota pret me padurim të shikojë se sa do t’i realizojë Ruhani premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale dhe në ç’drejtim do ta orientojë ai Iranin. Në rast se Ruhani arrin të vërë në jetë reforma efikase mbi problemin e programit bërthamor dhe politikën rreth luftës civile në Siri, atëherë ai jo vetëm që do të lehtësojë barrën e popullit iranian dhe do të fitojë më shumë mbështetjen e tij, por njëherësh do të eliminojë shqetësimet e shoqërisë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, bashkësisë ndërkombëtare do t’i duhet të shpalosë një reagim nxitës për reformat e Ruhanit, në mënyrë që të dalë në dritë një Iran i ri.

Edhe pse nuk gëzon pushtet të mjaftueshëm për t’i përmbushur të gjitha premtimet e bëra, shumica e analistëve janë të mendimit se Hasan Ruhani mund të sjellë ndryshime falë politikave të tij “më të moderuara” nga Mahmud Ahmedinexhadi.

] ]>

Artikulli paraprakEvropa të pranojë Islamin si pjesë e familjes së saj
Artikulli vijuesSerbët kërkojnë Ujmanin e Gazivodës dhe telefoninë