Migrimet e jashtme dhe “migrimi ilegal” kanë shpjegime dhe zgjidhje!

0
207

Lëvizjet migruese gjatë gjithë historisë së njerëzimit ishin përcjellëse të përhershme të evolucionit të përgjithshëm demografik dhe shoqëror të tij, duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zgjerimin e hartës popullative të botës, rigrupimin e bashkësive popullative me përkatësi të ndryshme racore, etnike, fetare, gjuhësore dhe socioekonomike e kulturore dhe rrjedhimisht të krijimit të diasporave. Migrimet, si fushë tradicionale e shkencës mbi popullsinë, kurrë nuk ishin procese spontane dhe autonome, sikundër që nuk janë as sot, ndonëse kanë ndryshuar motivet, drejtimet, distanca hapësinore, selektiviteti, efektet e tyre për zhvillimin demografik dhe jetën shoqërore-ekonomike etj.

 

Migrimet e jashtme, të njohura si migrime ndërkombëtare (midis vendeve), kanë një historik më të gjatë dhe për shumë rrjedha dhe karakteristika janë më të ndërlikuara se migrimet e brendshme (brenda një shteti), për nga distanca territoriale janë më të gjata, më të shtrenjta dhe bartin pasiguri dhe rreziqe të ndryshme. Këto migrime janë intensifikuar veçanërisht pas zbulimeve të mëdha gjeografike dhe popullzimit të “Botës së re”, duke pësuar ndryshime të mëdha pasqyra etniko-demografike e ekumenës sonë, të përshpejtuara me revolucionin teknik dhe zhvillimin e komunikacionit, si dhe me ndryshimet e mëdha në sferën mendore dhe materiale të njerëzimit; ato lanë gjurmë të rëndësishme në jetën e popujve, të grupeve të ndryshme të popullsisë, të familjeve dhe të individëve. Ky tip i migrimeve përcillet dhe nga fazat e adaptimit, integrimit dhe asimilimit në mjedisin e ri natyror dhe sociokulturor, në shoqëritë e vendeve imigruese, ndërsa nostalgjia e migrantëve mbetet komponent përcjellës i të gjitha fazave.

 

Kompleksiteti i migrimeve ndërkombëtare

 

Nga teoria e migrimeve dhe hulumtimet empirike mësohet se në migrimet ndërkombëtare ndikon një varg i tërë i faktorëve, të ndërlikuar dhe shpeshherë reciprokisht të lidhur e të kushtëzuar, ku në një anë janë push faktorët (repulzivë) dhe në anën tjetër pull faktorët (atraktivë). Skema e përgjithshme e determinanteve te këto migrime në dy drejtimet mund të përmblidhet në ato të natyrës ekonomike, politike, historike, fetare, raciale, klasore etj. Në vendimin e individit për të marrë pjesë në procesin e migrimit njëri nga këta determinantë është pothuajse kryesor.

 

Por në rrethana të hapjes së botës dalin edhe shkaqe të tjera të natyrës individualo-psikologjike, çfarë janë shkuarja pas fatit në vend të panjohur, veçanërisht i të rinjve, dëshira për t’i njohur vendet e huaja dhe për udhëtime në vendet perëndimore, ëndrrat dhe shpresat për një jetë më të mirë, pastaj motivet e ndryshme familjare, aventuriere etj. Migrimet për këto motive janë veçori e të gjitha vendeve, të pazhvilluara dhe të zhvilluara, të popullatave të vendeve deri dje të izoluara në pikëpamje fizike, sociale dhe kulturore (kryesisht të vendeve ish-komuniste), dhe popullatave të vendeve të hapura tashmë një kohë të gjatë.

 

Migrimet e jashtme, të nxitura nga shkaqet gjeopolitike, shtetomëdha dhe shoviniste, që morën përmasa të gjera në kohën moderne dhe veçanërisht në shekullin XX, që njihet edhe si shekull i kthesave progresive të njerëzimit, por edhe si shekull i brutaliteteve -, janë migrime të planifikuara, sistematike dhe të detyrueshme të popujve të tërë, të cilësuara si migrime etnike, si “migrime humane”, si “spastrime etnike”. Edhe hapësira ballkanike, historikisht me shumë zhvillime luftërash e përleshjesh, edhe sot e gjithë ditën politikisht e pastabilizuar dhe e përshkuar nga tensione dhe konflikte ndëretnike, u përfshi në këtë valë të migrimeve. Luftërat e përgjakshme në fund të shekullit XX në ish-shtetin, artificialisht të komponuar, të nxitura nga ekspansionizmi dhe hegjemonizmi serbomadh, shkaktuan shpërngulje masive, lanë shumë viktima dhe tragjedi njerëzore e materiale. Në pjesën e parë të viteve të 90-ta e pësuan shumë, së pari kroatët dhe boshnjakët, dhe krejt në fund të këtyre viteve, edhe shqiptarët, të cilët një tragjedi të tillë e kishin provuar që nga fundi i shekullit XIX.

 

Për shkak të ndërlikueshmërisë së fenomenit, ishte i domosdoshëm një prezantim telegrafik i disa çështjeve të përgjithshme që lidhen me problemin e migrimeve, historikun dhe rëndësinë e tyre. Kosova dhe viset përreth janë shembulli më tipik i migrimit, përkatësisht i shpërnguljes së shqiptarëve me masa të dhunshme dhe sistematike institucionale të regjimeve serbe nga Lidhja e Prizrenit (1878) dhe veçanërisht nga pushtimi i tyre në vitin 1912, me masa të presionit politik dhe ekonomik, ushtarak dhe policor deri te ndërmarrjet e hapëta gjenocidale gjatë gjithë shekullit XX, kur edhe u realizuan disa valë të kolonizimit me serbë dhe të ndjekjes dhe dëbimit të shqiptarëve.

 

“Proletariati” jashtë vendit të origjinës

 

Në pjesën e dytë të shekullit XX në Evropë dhe, më gjerë, në botë ndodhën ndryshime të mëdha ekonomike, sociale, politike, kulturore etj., ku u intensifikua edhe mobiliteti hapësinor dhe social i popullsisë dhe kryesisht i pjesës së saj aktive, i fuqisë punëtore. Edhe pse lëvizja territoriale e popullsisë në kërkim të punës është relativisht e vjetër, e manifestuar në një formë të caktuar dhe në shoqërinë agrare dhe veçanërisht në vendet e zhvillimit të hershëm të kapitalizmit dhe të akumulimit të kapitalit, migrimi me këtë motiv (të punës) dhe vëllimit të migrantëve qenësisht dallon nga çdo mobilitet i mëparshëm. Masa të konsiderueshme të kontingjentit të punës nga vendet e Evropës së pazhvilluar (Siujdhesa Pirineje, Apenine dhe Ballkanike) dhe nga Turqia iu drejtuan vendeve të Evropës Perëndimore, Qendrore dhe Veriore, industrialisht të zhvilluara, me deficit të fuqisë punëtore dhe mundësi të mëdha për punësim në ato degë dhe profesione ku mungonte fuqia punëtore ose i refuzonte punëtori i vendit. Rrjedhën e migrimit të “proletariatit” jashtë atdheut e mundësoi jo vetëm disproporcioni midis zhvillimit të hovshëm ekonomik dhe rritjes demografike, por edhe tejkalimi i mosmarrëveshjeve dhe normalizimi i raporteve politike midis vendeve evropiane.

 

Bashkësia Ekonomike Evropiane (Franca, Italia, Gjermania Federale dhe vendet e Beneluksit) që nga formimi në vitin 1957 kishte paralajmëruar “qarkullimin e njerëzve, të shërbimeve dhe të kapitalit”, ndërsa në vitin 1970, kishte proklamuar “qarkullimin e lirë të punëtorëve” brenda gjashtëshes evropiane dhe jashtë saj. Deri në vitin 1974 brenda BEE-së, përfshirë edhe Zvicrën, kishin hyrë tashmë rreth 12 milionë punëtorë të huaj dhe anëtarë të familjeve të tyre. Pas përfundimit të “luftës së ftoftë” dhe rënies së komunizmit u intensifikuan migrimet e miliona njerëzve nga vendet e lindjes drejt vendeve të perëndimit, proces ky që po vazhdon, por i reduktuar dhe i kontrolluar.

 

Struktura sociodemografike e “proletariatit” jashtë vendit të origjinës, që nga fillimi i shkuarjes në vendet e huaja i përkiste moshës së re, biologjikisht të shëndoshë, kryesisht të gjinisë mashkullore, të kualifikuar ose të rikualifikuar në vendet e punës të shteteve imigruese. Meqenëse tregu i punës së vendeve importuese të fuqisë punëtore është më mirë i organizuar sa i përket kushteve të punës dhe fitimeve të migrantëve, në shtetet e punës vjen edhe një pjesë e fuqisë punëtore, e cila është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme për ekonominë dhe shoqërinë e vendeve emigruese. Duhet gjithashtu vënë në pah edhe faktin se në këto lëvizje imigruese të fuqisë së huaj punëtore, në vendet importuese të këtij “prolet
ariati”, përveç dobive të mëdha materiale e financiare, shkaktohen edhe probleme e implikime, të përcjella me ksenofobinë ndaj migrantëve të huaj.

 

Duke ardhur nga një sistem shoqëror dhe kulturor në tjetrin, imigranti i punës bie në konflikt me shumëçka në mjedisin dhe universumin e ri, duke u ballafaquar me shumë të panjohura dhe probleme. Vështirësitë e para janë mosnjohja e gjuhës dhe e kulturës së vendit imigrues, traditës, strukturimi institucional i shoqërisë, normat ligjore etj. Gjithnjë ndjehet i përbuzur, inferior, i dyshimtë për gjithçka keq që ndodhë aty ku ai sillet, i frikësuar se po përcillet në çdo kënd nga sigurimi e policia dhe do të burgoset, do të ndiqet nga vendi, duke mos i ditur as të drejtat e veta për t’u mbrojtur etj.

 

Humbjet dhe dobitë ekonomike, demografike e të tjera janë të ndryshme për vendet emigruese dhe vendet imigruese. Në kuadër të migrimit ekonomik të fuqisë punëtore, të ofertës dhe të kërkesës për punë, midis vendeve të pazhvilluara dhe vendeve të zhvilluara, janë migrimet selektive si një veçori e posaçme, përkatësisht lëvizjet migruese të punëtorëve me kualifikime të larta (shkencëtarë, inxhinierë, kuadro teknike, mjekë etj.), që njihen si “migrim i truve”. “Migrimet intelektuale” kanë marrë hov pas viteve të 70-ta të shekullit të kaluar dhe për vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim, si eksportues kryesor i “migrimit të truve” në vendet e zhvilluara; ky tip i migrimit paraqet një humbje të madhe të kapitalit njerëzor. Dhe më keq: “brain drain” është një rrugë njëkahshe, ndërsa shumë më produktive është që të jetë rruga dykahshe.

 

Në anën tjetër, zgjerimi i Bashkimit Evropian në fillim të shekullit XXI, kryesisht drejt lindjes (në muajin maj të vitit 2004 u bënë anëtare të BE-së 10 vende: Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Letonia, Estonia, Malta dhe Qipro), përcillej nga një frikë pikërisht për shkak imigrimit masiv të njerëzve nga vendet e lindjes në vendet e UE, përkatësisht të destabilizimit të tregut të punës në këto të fundit. Ka qarqe politike e të tjera brenda BE-së sot që janë kundër migrantëve të huaj (ksenofobia), veçanërisht migrantëve ilegalë, kritikat e tyre i arsyetojnë me faktin se të huajt po i ngarkojnë fondet sociale dhe shërbimet publike, se kriminaliteti është më i madh te ata sesa te vendorët, se po u zënë vendet e punës punëtorëve të vendit etj.

 

Te procesi i zgjerimit të UE-së vërehet dhe një paradoks nga se Unioni në një anë hapet, por në anën tjetër mbyllet! Mbyllja ndaj disa vendeve kushtëzohet kryesisht nga domosdoshmëria që rrjedhat migruese të vihen nën kontroll. Prandaj edhe kushtet dhe kriteret për integrimin e vendeve të reja në BE, veçanërisht të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjithnjë u ashpërsuan (në vitin 2013 u anëtarësua vetëm Kroacia, të tjerat duhet të presin!).

 

Kosova dhe shqiptarët në migrimet e jashtme

 

Kosova si pjesa më e pazhvilluar e ish-Jugosllavisë dhe e Evropës nuk mbeti e papërfshirë në procesin e emigrimit të fuqisë punëtore në vendet e zhvilluara evropiane, edhe pse pak më vonë se njësitë e tjera të ish-Federatës. Shkaqet janë moszhvillimi ekonomik dhe shoqëror: mundësitë e kufizuara të në industri, rritja e dendësisë agrare dhe presioni i madh në sipërfaqet e punueshme, tepricat e fuqisë punëtore, rritja e kontingjentit të popullsisë në periudhën e punës, por edhe motivet e tjera të natyrës familjare, individuale etj. Më të goditurit ishin shqiptarët, edhe pse përbënin shumicën dërmuese. Kështu në vitin 1958 nga 55.490 të punësuar në sektorin shoqëror vetëm 26.247 ose 43,7% ishin të kombësisë shqiptare dhe në vitin 1966 ky numër mezi e kalon gjysmën: nga gjithsej 91.673 të punësuar në këtë sektor 48.804 ose 51% janë shqiptarë, ndonëse sipas regjistrimeve zyrtare janë shumë mbi këtë përqindje (më 1961 67,2% dhe më 1971 73,4%).

 

Rrethanat dhe motivet e përmendura socioekonomike, ishin të pranishme edhe më parë, madje në formën më të ashpërsuar, por nuk pati emigrim të fuqisë punëtore jashtë ish-shtetit deri në fillim të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar. Kosova ishte entiteti i fundit që u inkuadrua në migrimet e punës në botën e jashtme. Së paku ishin tre faktorë që kanë ndikuar në këtë drejtim: a) mungesa e traditës në mobilitetin hapësinor dhe social të popullsisë e të fuqisë punëtore të Kosovës në vendet e huaja; b) mungesa e informatave mbi mundësitë, përparësitë, të metat, mënyrën e punësimit dhe hollësitë e tjera lidhur me emigrimin ekonomik jashtë vendit; dhe c) inkuadrimi i vonë i shërbimeve kosovare të punësimit, si ndërmjetësuese të punësimit në botën e jashtme.

 

Pastaj, më vonë, përveç shërbimeve të punësimit të Kosovës dhe më gjerë, u hapën kanale jashtinstitucionale të punësimit në vendet evropiane (shkuarja si turistë, punësimi në të “zezë” etj.), gjë që u konvenonte firmave dhe punëdhënësve të huaj, sepse me këtë mënyrë të punësimit, nuk merrnin përgjegjësi formale për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve; punëtorët e punësuar në këtë mënyrë, numri i të cilëve gjithnjë rritej, as që dinin se çfarë të drejta u takonin. Në fillim të viteve të 70-ta vendet evropiane punësonin afër 96% të punëtorëve të Kosovës (74,7% në RF të Gjermanisë, 8,6% në Austri, 5,9% në Zvicër dhe 4,2% në Francë), ndërsa pjesa tjetër i përkiste vendeve të tjera jashtë Evropës. Ndërsa në fillim të viteve të 80-ta Gjermania mbeti vendi që printe me emigrantë të punës nga Kosova (51,9%), ndërsa Austria dhe Franca ruajtën përafërsisht numrin e mëparshëm, por u rrit shumë numri i punëtorëve tanë në Zvicër (nga 5,9 më 1971 në 32,1% më 1981 të të gjithë punëtorëve në botën e jashtme). Edhe sot në Gjermani më tepër se në çdo vend tjetër punojnë dhe jetojnë më shumë shqiptarë nga Kosova. Pa dyshim se migrimi ekonomik i shqiptarëve në këto vende kishte efekte shumë pozitive në Kosovë (sigurimi i ekzistencës së familjes, ndërtimi i shtëpive të reja, blerja e teknologjisë dhe futja e risive në përparimin e bujqësisë, pajimi i amvisërive, ngritja e standardit jetësor, investimet në shkollimin e fëmijëve etj., por edhe pasoja negative, në radhë të parë në rrafshin demografik dhe ekonomik (mospunimi i tokës, “ugari social”, investimi në luks etj.).

 

Në vitet e 80-ta të shekullit XX vargut të push-determinantëve zhvillimorë u shtohen edhe presionet politike, policore dhe ushtarake që ushtroheshin mbi shqiptarët, veçanërisht mbi rininë. Ndërkaq në vitet e 90-ta, për shkak të represionit të egër të regjimit të Beogradit, vala e ikjes së shqiptarëve nga Kosova u masovizua deri te tragjedia e paparë në Evropën e pas Luftës II Botërore – deportimi i haptë i afër 1 milion shqiptarëve, për çka edhe pasoi intervenimi NATO-s.

 

Absurdi i Evropës: vetëm Kosova dhe shqiptarët në “karantinë” brenda saj!

 

Kjo që po ndodh sot me migrimin ilegal, proces ky që ka marrë hov vitet e fundit, u bë një problem shqetësues për autoritetet e Kosovës dhe më shumë për vendet e BE-së. Ky migrim nuk është karakteristikë vetëm për Kosovën a vetëm për vendet e Ballkanit, por është fenomen evropian dhe botëror, prandaj nuk mund të konsiderohet çështje alarmante në shkallë në çfarë e kanë ngritur institucionet evropiane në Kosovë. Problemi i kësaj dukurie, që po e kërkon përfaqësuesi i BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të BE-së veç e veç, ka shpjegime dhe zgjidhje, natyrisht jo të shpejtë, me urgjencën çfarë këta e kërkojnë!

 

Motivet që i përmendëm më lart, e që lidhen kryesisht me ba
zën ekonomike, janë evidentë edhe sot, madje janë ashpërsuar, çfarë janë mungesa e vendeve të punës dhe investimet në degët propulsive, që kanë fuqi më të shpejt akumuluese dhe e rrisin normën e punësimit. Sot mund të flitet dhe për qeverisjen e keqe, për korrupsionin, nepotizmin dhe grabitjen e pasurisë kombëtare përmes rrugëve antiligjore dhe krimit të organizuar. Por këto probleme ishin edhe dje, edhe në vitet e mëparshme, por migrim ilegal sikur nuk kishte në këtë formë apo ai nuk hetohej. Të shitet një pjesë e pasurisë, deri te traktori, kafshët, madje edhe shtëpia dhe të merret rruga e kurbetit, me plot pasiguri dhe rreziqe, është një çështje që kërkon shpjegime. Cilët janë motivet e nxitjes? Kush janë bartësit e kësaj shtytjeje? Kush e krijoi psikozën e ikjes kur dihet se vendet evropiane nuk japin më azil as politik e as ekonomik? Një psikozë të migrimit jashtë vendit e njohim nga shpërngulja e shqiptarëve në Turqi në vitet e 50-ta, por këtu nuk ka ama asnjë paralele midis asaj dhe kësaj që është krijuar sot: dallojnë koha, rrethanat, instrumentet, që ishin shtetërore, dhe drejtimi pa kthim – përplasja në shkretëtirat e Anadollisë.

 

Përveç rrethanave të përmendura repulsive, sipas observimeve tona, janë dy faktorë kryesorë të këtij procesi të paperspektivë, por edhe të dhimbshëm: në një anë sigurisht janë matrapazët dhe grupet e krimit të organizuar dhe në anën tjetër është mungesa e liberalizimit të vizave dhe e lëvizjes së lirë të qytetarëve në truallin evropian. Me problemin e parë duhet të merren policia dhe organet e ndjekjes në përgjithësi, duke e zbuluar rrjetin e grupeve kriminale Kosovë-Serbi-Hungari e tutje dhe natyrisht duke u dhënë përgjigjen ligjore bartësve të kësaj dukurie në Kosovë.

 

Na duket se këtu faktori vendimtar në migrimin ilegal është mbyllja e Kosovës: bota është në Kosovë, ndërsa kosovarët nuk janë të pranishëm në Evropë dhe në botë! Dhe brenda Kosovës, në lëvizjen e lirë, më të goditura janë popullata shqiptare si shumicë dhe grupi etnik RAI. Serbët e Kosovës, pa përjashtim mund të marrin pasaporta në Serbi, turqit në Turqi, boshnjakët në Sanxhak dhe BeH, goranët në Maqedoni, madje edhe në Bullgari. Shqipëria nuk u jep shqiptarëve pasaporta, me përjashtim të ndonjë politikani a tregtari. Nuk ka shpjegim izolimi vetëm i Kosovës dhe i shumicës së saj shqiptare dhe ky është absurdi i BE-së! Të gjitha vendet përreth nuk e kanë plotësuar ama asnjë kusht për liberalizim të vizave në kuptimin çfarë e kërkon BE-ja nga Kosova: as Maqedonia, as Shqipëria, as Mali i Zi, as Serbia dhe as Bosnja e Hercegovina. Janë të njohura arsyet politike pse Bullgaria dhe Rumania janë bërë anëtare të BE-së.

 

Pse qytetarët e këtyre vendeve, përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë nuk po e marrin rrugën e migrimit ilegal? Sepse i kanë pasaportat, në bazë të të cilëve shkojnë, qëndrojnë deri 90 ditë, strehohen te të afërmit e tyre dhe kthehen ose një numër mbetet, punësohet a pret ndonjë punë. Para dy-tri vjetësh edhe këta shqiptarë, pas marrjes së pasaportave, shkonin në vendet e BE-së në numër jo të vogël, por sot nuk raportohet për ndonjë shqetësim të moskthyerjes apo të kërkimit të azilit. Gati nuk ka familje shqiptare të Kosovës që nuk e ka të paktën një anëtar jashtë, ku do të mund të gjenin strehim të përkohshëm migrantët po të kishin mundësi të lëviznin lirshëm në hapësirën evropiane.

 

Është e qartë se për shkallën e tanishme të zhvillimit shoqëroro-ekonomik të Kosovës, të papunësisë ose të punësimit të pamjaftueshëm në bujqësi (tepricat latente), duhet përkrahur emigrimin ekonomik jashtë vendit përmes rrugëve të lejueshme, sepse shumë familje kosovare jetojnë nga ndihmat që vijnë nga mërgata jonë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, si dhe një studimi të Programit të KB për Zhvillim në Kosovë (UNDP), dërgesat a remitencat, të cilat kryesisht transferohen përmes kanaleve joformale, e bashkatdhetarëve tanë për familjet e tyre në Kosovë nuk janë të vogla: këto vitet e fundit remitancat mesatarisht në vit kapin shumën prej më se 500 miliona eurove, që nënkupton më se një të tretën e buxhetit të Kosovës. Rreth 33% të remitencave vijnë nga Gjermania, 23% nga Zvicra, 7% nga Italia dhe po aq nga Austria dhe pjesa tjetër nga vendet e tjera dhe pjesa më e madhe e tyre shpenzohen për konsum të përditshëm.

 

Mirëpo, njëkohësisht duhet menduar vazhdimisht për kthyerjen e punëtorëve dhe punësimin e tyre. Një pjesë e tyre e dëshiron këtë, sidomos ata që janë një kohë të gjatë jashtë dhe sot gjenden afër përfundimit të karrierës së punës. Problemi qëndron në gjendjen shumë të rëndë në sferën e punësisë për fëmijtë e tyre, meqë struktura e ekonomisë së Kosovës është akoma e tillë që nuk mundëson hapjen e vendeve të shumta të punës dhe atë në kushtet kur gjithnjë po rritet kontingjenti i popullsisë aktive në Kosovë; në vit mesatarisht hyn në periudhën e punës rreth 25.000-26.000 veta, ndërsa tërhiqen në pension afër 10% e tyre, që do të mund të punësoheshin në vendet e liruara të punës.