Lideri i Lëvzijes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Mustafa, i cili Vetëvendosjen e kishte quajtur SHIK. Në një postim në Facebook, Ymeri i ka thënë Mustafës se ai si kryeministër është duke i shërbyer SHIK-ut.
Sipas tij, “meqë përballë SHIK-ut real është i pafuqishëm, ai shpif e mashtron sikur Lëvizja VETËVENDOSJE! është SHIK”.
Lexojeni të plotë reagimin e Ymerit:
“Kur vjen puna tek mashtrimi, Isa Mustafa mund të merret si shembull studimor nga departamentet universitare.
Ky njeri, që flet për respektim të të drejtave të barabarta të gruas, por që i gjykon gratë të padenja për të protestuar përballë tij, që flet për shtrirje të sovranitetit në Veri ndërkohë që i jep Serbisë Zajednicën, ka vazhduar me mashtrime të reja. Pafytyrësia nuk është strategji apo taktikë e tij, është esencë kryesore.
Zoti Mustafa i përket një partie që shumë shpesh është ankuar për SHIK-un dhe veprimtarinë famëkeqe të kësaj organizate kriminale-politike, e cila sipas tij edhe i ka vrarë disa figura të njohura të LDK-së. Por, sa herë që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kërkuar nënshkrimet për të hetuar SHIK-un, LDK-ja e kryesuar nga Mustafa nuk i ka dhënë nënshkrimet. Arsyet mund të jenë vetëm frika prej SHIK-ut, ose bashkëpunimi me të. Ose të dyja. Së fundmi Mustafa ka pranuar që kreun e SHIK-ut ta vërë në krye të institucionit më të rëndësishëm të vendit, pra në krye të Kuvendit. Mustafa ka pranuar të hyjë në koalicion qeverisës me SHIK-un, të cilin dikur e akuzonte nëpër media e nëpër tubime. Pra ose po e drejton Mustafa SHIK-un, ose po e drejton SHIK-u Mustafën. Sjelljet histerike të Isa Mustafës në rrjete sociale, reagimet agresive policore ndaj qytetarëve dhe pranimi haptazi i impotencës së tij për të refuzuar Zajednicën tregon që më shumë ka gjasa që të jetë SHIK-u drejtues, dhe Mustafa i drejtuari. Kjo është arsyeja pse Mustafës i duhet një adresë e re shpifjesh. Meqë përballë SHIK-ut real është i pafuqishëm, ai shpif e mashtron sikur Lëvizja VETËVENDOSJE! është SHIK.
Ai flet për 70 lëndët e mbledhura në Prishtinë a thua se ato janë letra të parëndësishme. Por ato dosje shpjegojnë se si u ndërtua pasuria milionëshe e oligarkëve të LDK-së, dhe e vetë Isa Mustafës e familjes së tij. Ndërkohë që populli është varfëruar e ka mbetur pa punë, ndërkohë që Prishtina është mbindërtuar dhe është bërë një qytet i vështirë për t’u rekuperuar nga ana mjedisore e nga ajo urbane, Isa Mustafa është pasuruar shpejt e shumë, dhe e ka investuar pasurinë e tij në rançin e Prapashticës dhe në bizneset “e ligjshme” të besnikëve të vet. Qytetarët e Prishtinës vetëm në dy vitet e fundit po shohin një punë të rregullt e sistematike, ndërsa më parë kanë parë veç vjedhje, mbipopullim, ndotje e asfalt elektoral.
Secili kryeministër i qytetëruar i një vendi demokratik, me vetëm një dosje në prokurori do të jepte dorëheqjen, dhe do të lejonte drejtësinë të vijonte punën e pa ndikuar nga pushteti i postit më të fuqishëm të ekzekutivit.
Isa Mustafa e urdhëron policinë e gjykatën në shërbim të tij, që të arrestojë aktivistë apo qytetarë, që të burgosë njerëz vetëm për një koment në facebook. Ndërkohë që policët e tij kërcnojnë vazhdimisht, në rrjete sociale e në jetën reale, qytetarë, gazetarë e deputetë. Si çdo mashtrues profesionist, edhe Isa është dyfytyrësh, dhe drejtësia e tij i ka dy standarde. Për 70 dosjet e veta dhe për kërcënimet që vijnë nga servilët e tij drejtësia ecën shumë ngadalë, ose ngec. Për të tjerët, dhe përgjithësisht për popullin e papunë e të varfër, ajo vrapon, madje ecën aq shpejt sa humbet edhe vetë natyrën e të qenit e drejtë procedurialisht.
Isa Mustafa i ka dhe i përdor policët, por akuzon Lëvizjen VETËVENDOSJE! për logjikë policore. Ai e ka dhe e mirëmban krimin, por akuzon Lëvizjen VETËVENDOSJE për shërbime kriminale. Mustafa bashkëpunon dhe i shërben SHIK-ut por e akuzon Lëvizjen VETËVENDOSJE! për SHIK. Të gjitha këto ai i bën për një arsye të vetme, që të zhvendosë vëmendjen nga mllefi popullor kundër Zajednicës së tij, kundër varfërimit dhe shtrenjtimit të jetës, kundër korrupsionit dhe dobësimit të shtetit që e ka sjellë ai. Ai dëshiron t’i trembë aktivistët dhe qytetarët, duke ndërsyer kundër nesh njerëzit e vet. Por ne nuk na ka trembur as PDK-ja e SHIK-u, kështu që s’ka për të na trembur as vartësi i tyre i pafuqishëm, Isa Mustafa” (sic.), ka shkruar Ymeri.