Ish drejtori i arsimit, jep të dhëna dhe ofron zgjidhje për problemin e "Kishës së Llapushnikut"

Ish drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaci, i cili aktualisht jeton dhe vepron  në Prishtinë, përmes rrjetit social facebook është prononcuar mbi atë se çfarë realisht po ndodh në vendlindjen e tij, doke ofruar një sërë faktesh si dhe duke ofruar një zgjidhje mbi këtë problematik,e cila tash e ca ditë është bërë temë aktuale pothuajse në të gjitha mediet në Kosovës
 
Më poshtë mund të lexoni atë se çfarë të dhënash dhe çfarë zgjidhje ofron Jusuf Thaçi, për varrezat dhe Kishën, e cila pretendohet të ndërtohet në Llapushnik.
 
Taktizimi me fenë në Llapushnik
 
Tashmë u bë temë në nivel vendi kjo çështja e “Kishës së Llapushnikut”. Dhe siç ndodh gjithmonë tek ne, njerëzit flasin pa pasur informata se çfarë realisht po ndodh atje. Unë jam pikërisht nga Llapushniku dhe isha në fundjavë atje për të takuar njerëz dhe për të marrë informata më të sakta se çfarë realisht është duke ndodhur atje. Prandaj desha të ndajë me publikun këto informata dhe gjithashtu të jap dhe qëndrimin tim në lidhje me këtë çështje.
 
1. Historiku dhe sfondi i problemit
Llapushniku është fshat i Komunës së Drenasit dhe ka afër 5 mijë banorë. Prej tyre janë rreth 4-5 familje (rreth 30 banorë) që para ca vitesh janë deklaruar si katolikë, ndërsa pjesa tjetër janë myslimanë. Llapushniku nuk njihet si fshat me traditë të madhe fetare dhe pavarësisht se disa banorë kanë provuar që të ndërtojnë një xhami në këtë fshat që nga paslufta, fshati ende nuk ka xhami. Në anën tjetër, me kërkesën e Ipeshkvisë së Kosovës, Komuna e Drenasit ka ndarë një parcelë 2.5 hektarë për varrezat e katolikëve (në të cilën pretendohet të ndërtohet edhe një kishë katolike), por vendi i caktuar ka një simbolikë për Llapushnikun dhe luftën e fundit të UÇK-së. Banorët e fshatit kanë bërë peticion kundër ndarjes së kësaj parcele, por Komuna e Drenasit nuk e ka marrë parasysh. Tashmë ka filluar së ndërtuari muri rrethues i parcelës dhe banorët e fshatit kanë filluar të protestojnë dhe i kanë bllokuar ndërtimet. Me këtë rast janë shtrembëruar disa armatura dhe janë hequr disa gurë të murit, por nuk është e vërtetë se ka pasur konflikte apo kërcënime mes banorëve.
 
2. Aspekti ligjor
Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës (nr. 04/L – 144) parasheh që dhënia e pronës komunale duhet të bëhet përmes votimit në Kuvendin Komunal. Në rastin e Llapushnikut, nuk ka vendim të Kuvendit Komunal të Drenasit për ndarjen e kësaj parcele 2.5 hektarëshe. Nëse do të kishte një të tillë, atëherë komuna do duhej ta bënte publike, meqë vendimet e Kuvendit Komunal duhet të jenë publike. Nëse nuk ka një vendim të tillë (në këtë insistojnë të gjithë banorët e fshatit), atëherë vet ndarja e kësaj parcele është e kundër-ligjshme.
 
3. Madhësia e parcelës në shpërputhje me nevojat
Siç u përmend më sipër, në fshatin Llapushnik janë 4-5 familje që janë deklaruar si katolikë (rreth 30 banorë), ndërsa komuna ka ndarë parcelë 2.5 hektarë për varrezat katolike. Dhe pikërisht për këtë arsye banorët e Llapushnikut shtrojnë pyetjen se çfarë duhen 2.5 hektarë për varreza për 4-5 familje?! Madje, edhe nëse do të ndërtohej kisha, pse duhen 2.5 hektarë tokë?! Kosova ka me qindra xhamia dhe le ta gjejë dikush qoftë edhe një xhami të vetme në Kosovë që ka oborr 2.5 hektarë, shumica i kanë 10-20 ari. Kur jemi te varrezat, është me rëndësi të përmendet që banorët myslimanë të Llapushnikut nuk kanë kërkuar që katolikët t’i ndajnë varrezat, por janë vet banorët e deklaruar katolikë që kanë kërkuar që t’i kenë varrezat e ndara nga myslimanët. Po ashtu, nëpër tërë Kosovën, parcelat për varreza konsiderohen pronë publike dhe janë pronë komunale (jo pronë e BIK-ut), ndërsa në rastin e Llapushnikut parcela për varrezat katolike i ka kaluar në pronësi Ipeshkvisë së Kosovës.
 
4. Simbolika e vendit të ndarë
Parcela 2.5 hektarëshe e ndarë për varrezat e katolikëve (ku më vonë pritet të ndërtohet edhe kisha) është në një vend që ka rëndësi të madhe simbolike për Llapushnikun dhe banorët e tij, sepse pikërisht aty janë zhvilluar disa nga betejat më të ashpra të grykës së Llapushnikut dhe pikërisht aty kanë rëndë disa dëshmorë të UÇK-së. Pikërisht për këtë arsye, ajo zonë ka qenë e shpallur “zonë me rëndësi historike” dhe në të dy anët e parcelës janë lapidarët e dëshmorëve të luftës së UÇK-së të rënë pikërisht në atë vend (në njërin lapidar do të pamundësohej hyrja kur do të vendoseshin muret e parcelës). Nisur nga rëndësia e kësaj simbolike, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe ushtarët që kanë luftuar në Grykën e Llapushnikut i kanë bërë peticion Komunës së Drenasit (ndaras nga peticioni i banorëve) për ta ndryshuar vendimin dhe për të mos ndryshuar destinacionin e kësaj parcele (meqë ka qenë zonë me rëndësi historike), por as këtë peticion Komuna e Drenasit nuk e ka marrë parasysh. Këtu është me rëndësi të përmendet që po të kishte kërkuar Bashkësia Islame e Kosovës pikërisht këtë parcelë në këtë vend simbolik për varreza e për xhami, po kështu do të reagonin banorët e Llapushnikut dhe nuk do të lejonin ndërtimin e xhamisë aty, ndërsa analistët e mediat “parimore” do ta etiketonin këtë si tendencë për përdhosje të identitetit kombëtar për hir të fesë, e gjëra të tilla.
 
5. Taktizimi me fenë
Ipeshkvia e Kosovës ka kërkuar pikërisht atë parcelë për varreza të katolikëve (duke lënë të hapur që në të ardhmen ta ndërtojë edhe kishën). Andaj, kur kemi parasysh që Ipeshkvia e Kosovës ka kërkuar 2.5 hektarë për varreza e për kishë për një komunitet prej 4-5 familjesh (që është më shumë se e tepruar), në një vend simbolik që ka vlerë historike për banorët e fshatit, sepse aty kanë rënë dhjetëra dëshmorë (që është shumë fyese për banorët), dhe ndarja e parcelës nuk është bërë në përputhje me ligjin, atëherë del se ky është më shumë një taktizim me fenë, se sa nevojë reale e komunitetit katolik atje. Kjo nuk i bën nderë Ipeshkvisë së Kosovës. Po të ndiqej i njëjti parim nga Bashkësia Islame, atëherë në fshatin Llapushnik do të duhej të ndaheshin me mijëra hektarë tokë për varreza të myslimanëve dhe do të duhej të ndërtoheshin me qindra xhamia, duke zënë edhe oborrin e shkollës e edhe magjistralen Prishtinë-Pejë.
 
6. Mosdëshira e shumë banorëve për kishë në Llapushnik
Një numër i banorëve të Llapushnikut e kundërshtojnë ndërtimin e varrezave dhe kishës në atë parcelë pikërisht për shkak të arsyeve të sipër-përmendura. Por, sigurisht që ka edhe shumë të tjerë që e kundërshtojnë thjesht idenë e ekzistimit të një kishe në Llapushnik, sepse këtë e konsiderojnë si cenim të identitetit fetar të fshatit Llapushnik dhe të Drenicës në përgjithësi. Mospajtimin e tyre e rritë edhe më shumë fakti që Llapushniku nuk ka ende xhami. Si mund të ketë kishë për 30 veta në ndërkohë që nuk ka xhami për 5 mijë veta?!
 
Zgjidhja:
Më së miri ky problem do të mund të zgjidhej përmes dialogut dhe për ta realizuar këtë do duhej të mblidheshin Kryetari i Komunës së Drenasit, udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovë dhe udhëheqësit e Ipeshkvisë së Kosovë së bashku me banorët e Llapushnikut (edhe me katolikët edhe me myslimanët). Zgjidhja konkrete sipas meje do të ishte kjo: për shkak të arsyeve të sipërpërmendura, Ipeshkvia e Kosovës duhet të hiqte dorë ng
a ajo parcelë në atë vend. Komuna do të mund të ndante një parcelë tjetër më të vogël (më së shumit 50 ari tokë) brenda në fshat ku janë ato familje katolike dhe ato mandej mund të ndërtojnë në atë parcelë edhe varreza edhe kishë për nevojat e banorëve katolikë. Nëse ky problem nuk zgjidhet drejt e me dialog, frikësohem që mund të ketë incidentë në të ardhmen dhe për këtë fajin dhe përgjegjësinë do ta ketë Ipeshkvia e Kosovës dhe Komuna e Drensait, e jo banorët e Llapushnikut.
 
Jusuf Thaçi,
 
22.6.2015
Artikulli paraprakBekir Halimi apel prindërve: Regjistroni fëmijët të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe
Artikulli vijuesIsh drejtori i arsimit, jep të dhëna dhe ofron zgjidhje për problemin e "Kishës së Llapushnikut"