Shenjtërim, ç’shenjtërim i Europës

Në veprën e tij Bota Tjetër, ose Shtete dhe Perandori të Hënës, Savinien de Cyrano, kozmografi me imagjinatë të shekullit të 17-të, sjell përfytyrimin e tij për një udhëtim në Hënë – Parajsën e quajtur gabimisht tokësore. Ai ka fatin që në këtë udhëtim të takojë Profetin Elia dhe të ndriçohet prej tij për fatin e gjarprit, pas mëkatit zanafillor. Zoti e syrgjynosi gjarjprin në trupin e njeriut: është zorra, gjarpri i mbështjellë në vetvete, kafshë e pangopur, që sundon njeriun, e detyron të veprojë sipas dëshirave të veta dhe e sfilit me dhëmbët e tij të padukshëm. Por, imagjinata nuk e lë autorin pa bërë ndryshimet e tij. Sipas tij, gjarpri është edhe ai që del nga barku i burrit dhe ndehet drejt gruas për t’i lëshuar helmin e vet, duke i shkaktuar një fryrje që zgjat nëntë muaj. Por këto shaka të Cyranos nuk i pëlqejnë profetit Elia dhe ai e zbon atë nga Edeni. Cyrano është, kësisoj, përfaqësues i atij relativizmi moral që buron nga mohimi racional i të shenjtës, duke dëshmuar cënueshmërinë e saj përmes përtalljes. Asnjë fatkeqësi nuk i ndodh njeriut racional të modernitetit nga loja e tillë me sakramentet. Ndërsa Elia është serioz, mostolerues ndaj këtyre lodrave djallëzore, pasi shaka të tilla mund të ngatërrohen me të vërtetën ose t’ua bëjnë njerëzve të vështirë kuptimin e saj. Pikërisht ky mjegullim, nga ana tjetër, ndihmon gjithnjë e më shumë pozicionin racional në orvatjen për ta shfronësuar përfundimisht rivalen e saj: fenë. Aktet e fundit të vrasjes së gazetarëve dhe ngjarjet pasuese në Paris mund të shpjegohen vetëm si përplasje ndërmjet dy përjetimeve të të shenjtës: përjetimit të besimtarëve, për të cilët e shenjtë do të thotë e pacenueshme dhe përjetimit modern, liberal, racionalist, iluminist, për të cilin demitizimi, çmagjepsja, çshenjtërimi duhen realizuar me çdo mjet efektiv. Natyrisht, vrasja për këtë arsye nga njerëz që marrin ligjin në dorën e tyre dhe bëjnë vetëgjyqësi është një lajthitje e përjetimit fetar, një deformim i madh i tij. Por, poaq lajthitje është edhe Europa është ndërtuar mbi këtë relativizim të moralit, që fillon me ç’shenjtërimin e gjithë çfarë është e shenjtë dhe mbërrin kulmin me shenjtërimin e vetë përfundimeve të këtij procesi. Ky proces është ngritur sa mbi bindjen intelektuale rreth pavërtetësisë së fesë aq edhe mbi urrejtjen e zilinë politike ndaj pushtetit të saj. Sipas studiueses se religjioneve, Karen Armstrong, kjo urrejtje është shkaktare e një përplasjeje të gjatë dhe me shumë gjak ndërmjet vizionit liberal dhe atij fetar mbi shtetin dhe qeverisjen. Me shpatë dhe me penë, më pushkë dhe me penel, liberalizmi ka zhvilluar një luftë të pandalshme dhe të fituar kundrejt të pacenueshmes, të shenjtës. Janë përdorur të gjitha metodat duke filluar me debatin filozofik, me shfarosjen dhe shpronësimin e deri tek përtallja dhe ridikulizimi i burimit më të legjitimuar të autoritetit tradicional. Nëse sot përligjet tallja dhe shpifja dashakeqëse ndaj simboleve dhe sakramenteve, dje ishte përligjur vrasja e mijëra klerikëve, burgosja dhe torturimi i dhjetëra mijëra të tjerëve. Shitja e pronave të kishës për të shlyer borxhin publik të Francës është treguesi më flagrant se konflikti zhvillohet ndërmjet dy vizioneve për shtetin. Por edhe liberalizmi ka zhvilluar shenjtëritë e tij pas shfronësimit të fesë katolike, e cila është fe në kuptimin tradicional. Në majë të këtyre shenjtërive qëndrojnë arritjet e procesit shekullor të çrrënjosjes së fesë. Liria për të përqeshur, vënë në lojë dhe shpifur pandalshëm, e inkorporuar qëllimisht dhe pandershmërisht në kategorinë e lirisë së shprehjes është një tjetër shenjtëri e tij. Në rastin e revistës franceze Charlie Hebdo, rekordet janë vërtet tronditëse. Revista ka treguar eksitim ndaj çdo fatkeqësie dhe padrejtësie ndaj myslimanëve. Ajo u kënaq dhe lodroi me vrasjen e mijëra protestuesve në rrugët dhe sheshet e Kajros nga grushti i shtetit. Sigurisht, kjo u mbrojt nga statusi i shenjtë i lirisë së shprehjes, edhe pse duhet të kishte përbërë provë të mjaftueshme për ndjekjen penale të përgjegjësve. Paprekshmëria e holokaustit është një shenjtëri që është respektuar në mënyrë të përpiktë në Europë dhe Amerikë. Vetë revista ka bërë tërheqje të menjëhershme për raste shumë të pasigurta të cenimit të kësaj vije të kuqe. Arsyet pse nuk kemi përplasje kaq të dukshme midis liberalizmit dhe katolicizmit qëndrojnë pikërisht në fitoren e liberaleve në luftën midis të dyve. Katolicizmi e ka pranuar rolin e tij të ri të kufizuar vetëm brenda sferës private të individit dhe pa ndonjë rol të konsiderueshëm jo vetëm në sferën publike, por edhe në vetë etikën shoqërore. Në skajin tjetër, pozita e hebrenjve, për shkak të përndjekjes nga nazistët dhe komunistët gjatë luftës së dytë botërore, është sistemuar me një kuadër ligjor strikt. Me përjetimin e ruajtur përgjithësisht të pacenuar të së shenjtës, myslimanët, në këtë spektër, janë më të ngjashëm me katolicizmin e para revolucionit francez sa i përket vizionit të tyre për një shoqëri të përzotshme dhe me hebrenjtë e para luftës së dytë botërore sa i përket statusit të tyre si qytetarë të dorës së dytë, shenjtëritë e të cilëve cenohen, madje fokusohen qëllimisht. Nëse Europa do të ndjekë me kokëfortësi mënyrën se si i ka zgjidhur përballjet me dy komunitetet e tjera – qoftë duke përdorur si pretekst dallimin në vizione, apo privilegjin e saj prej autoktoneje – për të gjetur një zgjidhje për marrëdhënien me komunitetin mysliman të saj, ajo do të kryejë një krim për të cilën nuk do të mund të krenohet. Aq më e dhimbshme do të jetë kjo zgjidhje, nisur nga sakrifica e vogël që i duhet të bëjë: të heqë dorë nga pasioni i saj për joseriozitet dhe të lejojë një pjesë të qytetarëve të saj të mos ndjehen të fyer dhe të poshtëruar edhe në gjërat e tyre më serioze. Vehap Kola

Artikulli paraprakKthehet kufoma e Ali Fetahut i vdekur në Hungari
Artikulli vijues16 vjet nga maskra në Reçak