Ish-kryeministri libanez e akuzon Iranin për një operacion për shkatërrimin e shoqërive arabe

Saad Hariri e ka akuzuar Iranin për përhapje të terrorizmit dhe për udhëheqjen e një operacioni të gjerë për t’i shkatërruar shoqëritë arabe.

Ish-kryeministri libanez e ka përshkruar luftën politike dhe mediatike të Iranit kundër Arabisë Saudite si “një episod në një seri të rrezikshme, që synon vetëm thellimin e grindjeve dhe kërcënon stabilitetin në rajon”.

Siç raporton agjencia libaneze e lajmeve NNA, ai ka shkruar në Twitter: “Pas fjalëve të papërgjegjshme të udhëheqësit suprem, Ali Hamenei, në prag të Kurban Bajramit, ministri i tij i Jashtëm doli me një tekst plot me urrejtje për Arabinë Saudite.”

Hariri ka vijuar në rrjetin social: “Irani po udhëheq operacionin më të gjerë për t’i shkatërruar shoqëritë arabe, nga Libani në Siri, në Irak, në Jemen, e në çdo vend ku kanë depërtuar Rojet Revolucionare. Irani është një partner i drejtpërdrejtë në mbjelljen e terrorizmit dhe në përhapjen e tij në botën islame, siç mund të shihet në Afganistan, Pakistan, Irak e Siri. Përgjegjësit për zhvendosjen e popullit sirian, për ndarjen e Irakut, për prishjen e unitetit të Jemenit, e për ndihmën e dhënë të akuzuarve për vrasjen e Refik Haririt për të marrë arratinë, nuk kanë të drejtë ta vënë gishtin te Arabia Saudite dhe te historia e saj e mbrojtjes së moderacionit.”

Saad Hariri, ish-kryeministër i Libanit dhe udhëheqës i Lëvizjes së të Ardhmes, është i biri i Refik Haririt, ish-kryeministrit libanez të vrarë në vitin 2005.

Gjatë javëve të fundit, veçanërisht me nisjen e haxhit, autoritetet iraniane e kanë kritikuar fort Arabinë Saudite. Kritika që janë cilësuar nga sauditët si një përpjekje për politizim të haxhit. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakFUSHATË SENSIBILIZUESE APO PROPAGANDË?
Artikulli vijuesPas burkinit, tjetër polemikë në Francë: kritikohet një ish-ministre për emrin “jopatriotik” të vajzës!