“Islamofobia është sëmundje, njerëzit në Perëndim nuk guxojnë të përjashtojnë muslimanët”

Kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet) Mehmet Gormez paralajmëroi se “sëmundja e islamofobisë” përjashton muslimanët nga shoqëritë në vendet e Perëndimit dhe u bëri thirrje politikanëve të Perëndimit që të ruhen nga qasja dhe retorika anti-islame që sjell deri te ekskluziviteti, tjetërsimi dhe diskriminimi në bashkësi, raporton Anadolu Agency (AA).

Gormez qëndron për vizitë në Strasburgun francez në të cilin do të marrë pjesë në fillimin e manifestimit “Java e lindjes së lumtur” kushtuar lindjes së profetit Muhamed a.s, ndërsa me këtë rast në intervistë për AA foli për problemet aktuale me të cilat përballen musilmanët dhe bota në tërësi.

“Islamofobia është sëmundje e cila përjashton muslimanët nga bashkësia në vendet e Perëndimit. Çdo fobi është sëmundje dhe duhet kuruar. Doemos duhet të gjithë të bëjmë pjesën tonë të punës për të penguar diskriminimin në shoqëritë që prodhojnë islamofobi”, tha Gormez.

Duke theksuar se është e papranueshme që islamofobia ka filluar të shërbejë si industri për përfitime politike, Gormez tha se si problem më i madh paraqet situata nëse një parti politike fiton prestigjin dhe votat në bazë të retorikës së urrjetjes islamofobike.

Gormez tha se është “krim kundër njerëzimit” që përgjegjësia për dhunën dhe vrasjet të cilat ndodhin diku tjetër t’i atribuohen muslimanëve që jetojnë në vendet e Perëndimit.

“Dhuna dhe vrasjet të cilat ndodhin në rajonet e krizave është si rezultat i shkaqeve më të gjera. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se baza e kësaj trazire shtrihet në kolonializmin, pushtimin dhe luftërat. Aq sa është krim që këto vrasje dhe dhunë të paraqiten si diçka që del nga islami, po aq është krim edhe atribuimi i përgjegjësisë ndaj muslimanëve për këto vrasje të cilët jetojnë në Perëndim edhe atë vetëm pse janë muslimanë”, tha Gormez.

Gormez të gjithë muslimanëve u bëri thirrje që të punojnë në inkuadrimin dhe përshtatjen në shoqëritë dhe përmes vlerave të duhura të njerëzimit të rezistojnë të keqen që përdoret si burim i urrejtjes ndaj tyre. Ai shtoi se rinia muslimane ka nevojë për sistem të fortë arsimor për të ruajtur identitetin e saj në një kohë kur luftërat, dhuna dhe terrorizmi si pasojë kanë edhe paraqitjen e islamofobisë.

Duke theksuar se ideologjia dhe pamjet që dalin nga kaosi në vendet si Iraku, Siria dhe Afganistani nuk kanë lidhje me Islamin, Gormez tha se shumica e këtyre ideologjive dhe kuptimeve janë të gabura dhe sëmundje.

“Këto ideologji dhe të kuptuarit janë larg nga islami dhe tradita e tyre që ka ndërtuar civilizimin. Këto kuptime janë larg të kuptuarit që ka ndërtuar Andaluzinë në themelet e të drejtës, moralit dhe bashkëjetesës”, tha Gormez.

Në fund të bisedës Gormez shprehu bindjen se të gjitha polemikat dhe problemet në Evropë kur është në pyetje religjioni mund të kapërcehen përmes të kuptuarit të drejtë të bashkëjetesës, multikulturalizmit dhe dashurisë ndaj njeriut siç është karakterizuar Shteti Osman.

Artikulli paraprakProtestuesit rikthehen përpara selisë së VMRO-DPMNE-së
Artikulli vijuesIdomeni, nga 12 mijë refugjatë mbi 5 mijë janë fëmijë