Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov me vëmendje të posaçme ka ndjekur ngjarjet dhe zhvillimet e fundit në shtetin mik të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një deklarate ai u shpreh se Republika e Maqedonisë mbështet qeverinë e zgjedhur demokratike të Repulikës së Turqisë.
“Republika e Turqisë, si anëtare e NATO-s si dhe një vend shumë i rëndësishëm në përballje me krizat globale, është mik dhe mbështetës i madh si dhe partner strategjik i Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Ivanov, thuhet në njoftimin e Presidencës së Maqedonisë.
Presidenti Ivanov mbështet normalizimin e situatës në Turqi dhe bën thirrje për mbrojtjen e institucioneve demokratike dhe shmangien e çdo lloj dhune dhe gjakderdhjeje.
Presidenti Ivanov konsideron se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie të veçantë për të gjitha shtetet e rajonit dhe në këto momente nevojitet qetësi dhe mirëkuptim. Ai më tej porosit se qëllimet politike duhet të arrihen vetëm përmes dialogut dhe në përputhje me vullnetin e popullit.