Izrael, dorëhiqet ministri i Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Ehud Barak, lajmëroi të hënën për dorëheqjen e tij dhe tërheqjen përfundimtare nga politika në janar, kur të mbahen zgjedhjet e parakoshme të përgjithshme.

Një prej figurave me më shumë ndikim në politikën izraelite në dy dekadat e fundit, Barak justifikoi vendimin e tij me dëshirën për t’i kushtuar më shumë kohë familjes.

Dorëheqja e tij vjen në një moment veçanërisht delikat për Izraelin, i cili po përpiqet të zbatojë një armëpushim të paqëndrueshëm me Hamasin, pas një konflikti të armatosur 8-ditor në Rripin e Gazës.

Përpara dorëheqjes së Barak, ekspertët vendas prej kohësh përflisnin mundësinë që ai të braktiste qeverinë e kryeministrit Netanyahu, për të formuar ai vetë një parti të qendrës së majtë.

Megjithatë, në fjalën në të cilin shpalli vendimin e tij, ish-ministri i Mbrojtjes shprehu bindjen e tij se fytyra të reja në politikë do të ishin në të mirë të vendit.

”Ndiej se është e rëndësishme që njerëz të rinj të kenë detyra kyçe në Izrael. Ndryshimet në pozitat e pushtetit janë diçka e mirë. Ka shumë të rinj që mund të japin një kontribut të madh për vendin, ndonëse kjo mund të arrihet edhe në mënyra të tjera përveç politikës”, theksoi Barak.

Ish-kryeministri i Izraelit në vitet 1999-2001, Barak shërbente si ministër i Mbrojtjes që prej vitit 2007. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakPër çdo vit terrorizohen 115 fëmijë palestinezë
Artikulli vijuesVetëvendosje vë flamurin në kufi me Serbinë