Vetëvendosje vë flamurin në kufi me Serbinë

Veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje vendosën sot në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë flamurin kombëtar shqiptar dhe një tabelë ku shkruan “Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë”.

Në një njoftim të kësaj lëvizjeje thuhet se kjo u bë “në përkujtim të betejës së Hasan Prishtinës 100 vjet më parë, i cili organizoi luftë mbrojtëse pikërisht në këtë zonë kundër forcave serbe që po sulmonin Shqipërinë”.

Sipas kësaj lëvizjeje policia e Kosovës ka ndërhyre ndaj veprimtarëve të saj, duke larguar edhe mbishkrimin dhe flamurin.

Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, njoftoi se gjatë ndërhyrjes së policisë është arrestuar edhe kameramani i agjencisë se lajmeve Kosovapresst, Feim Haliti.

Në reagim kërkohet nga Inspektorati i Policisë së Kosovës që të nisë menjëherë masa disiplinore ndaj zyrtarit policor, i cili “ka ushtruar dhunë ndaj zotit Haliti, gjë që dokumentohet edhe nga pamjet e marra prej medieve tjera të pranishme”.
Organizata thekson se pengimi i gazetarëve në punën e tyre paraqet shkelje të rëndë të lirisë së shtypit.

Artikulli paraprakIzrael, dorëhiqet ministri i Mbrojtjes
Artikulli vijuesKryengritesit kanë shtënë në dorë një nga hidrocentralet kryesorë të Sirisë