68 vjet që nga themelimi i Izraelit
Më 15 të vitit 1948 u krijua shteti i Izraelit, në territorin që atëbotë njihej me emrin Palestina. Dhe përderisa izraelitët sot kremtojnë ditën e themelimit të shtetit, palestinezët nga ana e tyre shënojnë sot Nakban, apo Ditën e Katastrofës, pasi që rreth 80 për qind e banorëve të atëhershëm të Palestinës u shndërruan në refugjatë, njofton 21Media.
Tri vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës u vranë mbi 6 milionë hebrenj, më 15 maj të vitit 1948 u krijua shteti i Izraelit, datë kjo e cila nga palestinezët shënohet si dita e Nakbas, fjala arabe për Ditën e katastrofës së madhe. Shteti i Izraelit u krijua në territoret, të cilat atëbotë njiheshin me emrin Palestina.
Me krijimin e Izraelit, rreth 80 për qind e banoreve palestinezë të territoreve të atëhershme të Palestinës u shndërruan në refugjatë, pasi që u arratisën në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe shtetet përreth. Nje pjesë e palestinezëve mbetën në territoret e pushtuara nga Izraeli, ku jetuan nën pushtetin ushtarak pa kurrfarë të drejta, deri në momentin kur morën nënshtetësinë izraelite në vitin 1967. Atë vit Izraeli pushtoi pjesën e mbetur të territorit të Palestinës historike, pas luftës gjashtëditore, kur nga Jordani dhe Egjipti pushtoi edhe Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
Sot anembanë botës jetojnë rreth 12 milionë palestinezë. Gati një milionë prej tyre kanë shtetësi të Izraelit, por ata ankohen se trajtohen si qytetarë të rendit të dytë. Rreth 5 milionë palestinezë jetojnë nën pushtim apo rrethim në Bregun Perëndimor dhe Gazë. Të tjerët janë të shpërndarë në shumë vende të botës, me një numër të madh prej tyre që ende jetojnë në kampe të refugjatëve dhe atyre nuk ju është lejuar kthimi në territoret prej nga janë dëbuar. Pikërisht sot, në ditën e shtetësisë së Izraelit, kryeministri i vendit, Benjamin Netanjahu, tha se Irani po përqesh holokaustin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se Teherani po përgatit një dëbim tjetër të madh të hebrenjve.