Aude: “Kërkoj nga Organizata e Konferencës Islamike dhe Liga Arabe që të nxisin shtetet anëtare në këto organizata ta pranojnë Kosovën …”
Shejh Selman Aude parasheh një të ardhme të mirë për Kosovën, dhe se arabët e muslimanët duhet ta përkrahin politikisht dhe ekonomikisht, si dhe me shkëmbimin e dijes dhe të kulturës.
Në çastin kur u shpall pavarësia e Kosovës pati një deklaratë të përgjithshme nga Konferenca Islamike për pranimin e pavarësisë së Kosovës, mirëpo kjo nuk u pasua me konkretizimin e saj nga shtetet anëtare në këtë konferencë. Për këtë shkak pati reagime konkrete nga shumë dijetarë musliman, që kanë emisione të ndryshme në kanale satelitore, për vonesën e shteteve arabe në pranimin e shtetit të Kosovës. Prej tyre ishte edhe shejh Selman Aude, i cili është një dijetar shumë i njohur në botën islame, i cili në emisionin e tij “Jeta është fjalë” në kanalin shumë të njohur MBC foli për këtë gjë dhe kërkoi nga qeveritë arabe njohjen sa më të shpejtë të Kosovës. Ai mes të tjerash tha: “Kërkoj nga Organizata e Konferencës Islamike dhe Liga Arabe që të nxisin shtetet anëtare në këto organizata ta pranojnë këtë shtet, të krijojnë raporte politike, ekonomike, kulturore dhe shkencore. Muslimanët duhet ta përkrahin këtë shtet të ri”.