JA LIGJET GREKE, ANTISHQIPTARE!

0
219

Megjithë faktin që Shqipëria nuk ishte pjesë e sulmit italian kundër Greqisë, menjëherë pas fillimit të luftës, në Greqi u vendos dhe u shpall Gjendja e luftës me Italinë dhe Shqipërinë, duke i konsideruar palë sulmuese.

 

Në vitin 1970, Gjykata Kushtetuese Greke, ka shpallur vazhdimin e sekuestros së pronave të shqiptarëve me kombësi jo greke, deri në shfuqizimin e Ligjit të Luftës dhe nënshkrimin e Traktatit të Paqes, mes Greqisë e Shqipërisë.

 

Me datë 9. 06. 1947, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave Greke, me Vendimin Nr.14882/3574 dhe me Ligjin 4506, datë 14. 03. 1966, përjashtoheshin nga Ligji i Luftës, shtetasit shqiptarë me origjinë greke, banues në Shqipëri.

 

Në 25 Qershor 1925, gjatë një diskutimi në Parlamentin Shqiptar për pronat e grabitura të shqiptarëve në Greqi, deputeti Xhaferr Ypi, tha: Nëse kjo pasuri, do të vihej në duart e shqiptarëve, shteti ynë siguronte 10 milionë franga ari në vit.

 

Ligji i Luftës me Shqipërinë, dekretuar e mbajtur ende në fuqi nga shteti grek, nuk ka nxitur asnjëherë guximin e shtetit shqiptar dhe të politikës së tij edhe gjatë këtyre 14 viteve të fundit, për ta injoruar qoftë jo vetëm praktikisht, por dhe teorikisht këtë ligj. Përkundrazi, ndërkohë që prej palës greke është konsideruar ligji i drejtë dhe i motivuar, prej palës shqiptare është konsdideruar pa rëndësi dhe mbetje inaktive e një periudhe të vdekur përgjithmonë. Nëse ligji i luftës, do të ishte një mbetje e tillë, atëherë Greqia nuk duhet ta mbante prej 64 vjetësh në fuqi.

 

Absurdi i Shtetit Shqiptar, qëndron në faktin, se nga njera anë shteti grek konsiderohet si vend mik dhe afrohet, pranohet e vepron si partner strategjik, nga ana tjetër vazhdon të zbatojë me fanatizëm dhe egërsi, çdo dispozitë të ligjit të saj të luftës me Shqipërinë. Natyrisht, nuk është aspak normale për Shqipërinë, që quhet edhe me Kushtetutë si vend sovran, të pranojë miqësi me një vend, i cili i ka zhvatur 1/4 e territorit, që i ka vrarë, sakatuar, larguar me dhunë një pjesë autoktone të popullsisë dhe që i ka grabitur pronat, për më tepër, vazhdon të mbajë në fuqi Ligjin e Luftës. Ne duhet të jemi të bindur tashmë, se prapaskenat e dukshme greke, në lidhje me interesa të tjera territoriale ndaj Shqipërisë, të cilat ringjallen dhe veprojnë edhe për shkak të një qëndrimi të ngordhur të shtetit shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve, janë një praktikë vepruese dhe jo një fantazi nacionaliste.

 

Pak nga historia e Ligjit të Luftës

 

Në atë peridudhë trazirash të Luftës së Dytë Botërore, për të forcuar akoma më shumë pozitat e triumfatorit pushtues, më 28 tetor 1940, Italia i shpalli luftë Greqisë dhe e sulmoi territorin e kësaj të fundit, duke përdorur si bazë kryesore zbarkimi, territorin e aneksuar jugor shqiptar. Nga kjo pistë dhe në këtë kohë, filloi lufta e mirënjohur në Jug të Shqipërisë, e quajtur Lufta Italo-Greke. Në këtë cilësim, pjesëmarrës të shteteve ndërluftuese, mungon emri i Shqipërisë. Megjithë faktin që Shqipëria nuk ishte pjesë e sulmit italian ndaj Greqisë, menjëherë pas fillimit të luftës, në Greqi u vendos dhe u shpall gjendja e luftës me Italinë dhe Shqipërinë si palë sulmuese. Dekreti Mbretëror Grek, i datës 10 nëntor 1940, ka hyrë në fuqi pas botimit në Gazetën Zyrtare Greke të vitit 1940, me këtë përcaktim: Italia me dominimet, territoret perandorake, me kolonitë e saj dhe Shqipëria, përcaktohen armike në kuptimin e Ligjit 2636: Për veprimet juridike të armiqve dhe sekuestrimin konservativ të pasurive armike.

 

Në bazë të këtij ligji, të gjithë pasuritë e shqiptarëve në Greqi u vunë nën sekuestrimin konservativ dhe filluan të administrohen nga shteti grek. Duhet të theksojmë këtu se me fjalën pasuritë e shqiptarëve në Greqi nuk kemi parasysh vetëm pasuritë e shqiptarëve në trojet e tyre si në Çamëri etj, por për pasuritë e shqiptarëve në të gjithë territorin e shtetit grek. Më vonë, me vendim të përbashkët të ministrisë së Ekonomisë Kombëtare dhe të ministrisë së Financave të Greqisë, datë 9 qershor 1947, Nr 14882/3574 dhe më vonë në bazë të ligjit nr. 4506, datë 14 mars 1966, përjashtoheshin nga zbatimi i dispozitave të ligjit të luftës, shtetasit shqiptarë me origjinë greke që banonin në Shqipëri. Sipas këtij ligji dhe sipas dëshirës identifikuese greke, shtetas shqiptarë me origjinë greke quhen të gjithë ortodoksët e Shqipërisë. Sipas dekret-ligjit nr. 1138/1948, neni 21 i Ligjit të Luftës është ndryshuar, duke qartësuar se marrja fund e këtij ligji bëhet me vendim të përbashkët të kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme, ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë. Pastaj, një vendim i tillë duhet të miratohet edhe nga Parlamenti grek. Në vitin 1987 grekërit mashtruan në lidhje me heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Për faj edhe të palës shqiptare, për shumicën e popullsisë nuk dihej deri vonë se Greqia e kishte akoma në fuqi këtë ligj. Por, duhet kujtuar se grekërit kanë qenë mashtrues deri vonë në lidhje më këtë çështje. Kështu për shembull ish-këshilltari i Shtypit i Ambasadës Greke në Tiranë, Kristos Failadis në vitin 1994, i ka deklaruar gazetës Aleanca: Me komunikatën zyrtare të Këshillit të Ministrave të Greqisë, datë 28 gusht 1987, ka pushuar së ekzistuari gjendja e luftës me Shqipërinë. Ky dokument zyrtar i Këshillit të Ministrave është firmosur nga kryeministri i asaj kohe, Papandreu dhe ministrat pjesëmarrës.

 

Sipas informacioneve që kemi, ky i ashtuquajtur vendim nuk është botuar në Gazetën Zyrtare të Greqisë, pra ka qenë një truk grek, për t`i shërbyer politikës së dy popujve “miq”.

 

Pse Greqisë nuk i intereson heqja e Ligjit të Luftës me Shqipërinë?

 

Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje, që shkaku kryesor dhe i vetëm i mbajtjes së Ligjit të Luftës me Shqipërinë, është ai ekonomik, ose kuptuar më ndryshe, kjo është maska e hajdutërisë greke nëpërmjet këtij ligji. Sipas ligjit grek të luftës, të gjitha pronat e shqiptarëve në Greqi administrohen e shfrytëzohen nga shteti grek. Në këto pasuri futen tokat bujqësore, trojet, objektet, fabrikat, punishtet, llogaritë bankare etj. Po ashtu sot ekziston çdo mundësi dhe bazë juridike prej shtetit grek, që emigrantëve shqiptarë në Greqi, t‘u konfiskohen ato pak prona që kanë blerë, pasuritë e tjera, pse jo edhe llogaritë bankare. Këtë e përcakton Ligji i Luftës! Por, në tërësinë e interesave të dukshme e të padukshme të Greqisë, për të mbajtur në fuqi këtë ligj, qëndrojnë edhe motive të tjera me natyrë ushtarake, psikologjike, bllokuese, racore. Sipas këtij ligji, shtetasit shqiptarë që punojnë si emigrantë në Greqi, mund të konsiderohen si skllevër pa asnjë të drejtë, që mund të trajtohen si të ketë dëshirë shteti grek, siç ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodh me ta.

 

Ja ligjet greke, antishqiptare

 

Në datë 10.11.1940, Parlamenti grek ka miratuar Ligjin Nr. 2636 “Mbi veprimet juridike të armiqëve dhe konfiskimin konservativ të pasurive armike” në zbatim të këtij ligji, me Dekret Mbretëror Grek është deklaruar Gjendja e Luftës me Shqipërinë. Shteti grek, për të zbutur disi maskarën zhvatëse të pronave të shqiptarëve në Greqi, me dy akte nënligjore të ministrisë së Financave dhe ministrisë së Ekonomisë, me nr. 14882 e nr. 3574, si dhe me Ligjin 4506 të vitit 1965, të datave 07.06.1947 dhe 09.07.1947, ka bërë përjashtim për shtetasit shqiptarë me kombësi greke, duke iu dhënë të drejtën e rifitimit të pronave të sekuestruara. Këtë akt sekuestro e ka mbrojtur
Gjykata Kushtetuese Greke edhe në vitin 1970, duke shpallur vazhdimin e sekuestros së pronave të shqiptarëve me kombësi jo greke, deri në momentin e shfuqizimit të Ligjit të Luftës dhe të nënshkrimit të traktatit të paqes mes Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe tani, 64 vjet pas daljes së atij ligji famëkeq, edhe pse mbretëria greke është rrëzuar, edhe pse kanë kaluar 60 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, edhe pse miqësia mes dy vendeve vazhdon, dekreti i gjendjes së luftës kundër Shqipërisë dhe ligji i sekuestros konservative për pronat e shqiptarëve, nuk po shfuqizohen.

 

Çështja Çame: Grekërit sekuestrues e masakrues të shqiptarëve që përpara vitit 1925

 

Faktet historike dëshmojnë, se edhe shumë vite përpara dekretimit të Ligjit të Luftës në vitin 1940 me Shqipërinë, Greqia ka patur dhe ka zbatuar synimet e saj grabitëse për të sekuestruar pasuritë e shqiptarëve në Greqi. Sipas diskutimeve në seancën e Posaçme Parlamentare të Dhomës së Deputetëve të Shqipërisë, të zhvilluar në datën 25 qershor 1925, kushtuar çështjes së pronave të grabitura të shqiptarëve në Greqi, pa llogaritur pronat në Çamëri, sidomos fjalës Xhaferr Ypit në këtë seancë, nëse kjo pasuri e grabitur nga grekërit, do të vihej në duart e shqiptarëve, atëherë shteti shqiptar siguronte 10 milionë franga ari në vit. Pa llogaritur shpronësimin e detyrueshëm të çifliqeve shqiptare në Thesali e zona të tjera, politika greke synonte ta shtrinte procesin e shpronësimeve në përmasa më të madhe. Për të bllokuar këtë qëllim, shkoi atëherë në Greqi, një komision parlamentar shqiptar. Duhet thënë, se pas vizitës së parlamentarëve shqiptarë, Greqia e kufizoi dukshëm procesin grabitës të pronave të shqiptarëve, por nuk e ndali asnjëherë, madje e thelloi edhe shumë vite më pas. Rast i mirë për të ishte Ligji i Luftës i vitit 1940, i cili nuk mund të jetë kurrë një mbetje e së kaluarës, përderisa është një faktor i madh grabitës për grekërit dhe që i shërben strategjisë serbo-greke të rrënimit ekonomik të shqiptarëve. Bëni një llogari të thjeshtë: Vetëm nga viti 1925 e deri sot, me kursin e këtij viti, duke llogaritur rreth 10 milionë franga ari në vit, të marra nga administrimi i pronave të shqiptarëve në Greqi (pa llogaritur pronat e popullsisë çame dhe ato që preku Ligji i Luftës i vitit 1940), Greqia i ka përvehtësuar shqiptarëve, një shumë prej rreth 950 milionë franga ari. Në atë kohë, një frangë ari shkëmbehej me 4 dollarë.