Hulumtimi i ri ka treguar që frika nga rrudhat te femrat dhe frika nga impotenca te meshkujt janë arsyet kryesore për marrjen e vendimit për ndërprerjen e duhanit. Edhe pse konsumimi i duhanit sjell shumë rreziqe më të mëdha për shëndetin, si rreziku nga kanceri ose sëmundjet e zemrës, njerëzit kryesisht nuk e ndalin duhanin për shkak të frikës nga vdekja por për shkak të sqimës së tyre.
Ekspertë shpresojnë që ky zbulim do t’i ndihmojë dizajnerët të krijojnë paketa më efikase për cigare, pasi që me gjithë mesazhet dhe fotografitë përkatëse, një numër i madh i duhanpirësve ende nuk heq dorë nga kjo shprehi e dëmshme, transmeton koha.net.
“Tetë nga dhjetë duhanpirës dëshirojnë të lënë duhanin. Prandaj përmbajtjet të cilat do të shqetësonin seriozisht grupet e synuara mund të kenë më së shumti efekt. Nëse e dimë që një brend i caktuar i cigareve ka një grup të caktuar të blerësve, për shembull, zonjat, mund të dizajnojmë mbështjellës të cilat do të ndikonin direkt në frikën e tyre. Këtë gjë njëjtë e bëjnë edhe reklamuesit”, – thotë Brian Williams, profesor në universitetin britanik Stirling.
Për nevojat e studimit, Williams dhe kolegët e tij nga University of St. Andrews kanë analizuar më shumë se 19.000 përgjigje të anketës online dhe reagimit të duhanpirësve në fotografitë në paketimet e cigareve. Më së shumti sukses kanë pasur fotografitë e tumorit të qafës (80 për qind), dhëmbëve të prishur (77 për qind), dhe pastaj ato të mushkërive të sëmura (72 për qind). Anketa ka treguar edhe që fotografitë ndikojnë ndryshe në grupmoshat dhe gjinitë ndryshme.
Femrat më së shumti kanë qenë të shqetësuara për shkak të ndikimi të cigareve në plakjen lëkurës, derisa meshkujt më së shumti i ka prekur fotografia e lidhur me impotencën. Fotografitë për mushkëri dhe zemër kanë prekur kryesisht më të moshuarit se 50 vjet. Williams konsideron që taktika e shokimit të duhanpirësve nuk është mënyra e vetme e luftës kundër duhanpirjes.