Jakup Krasniqi numëron krejt krimet e Devollëve dhe akuzon krerët e shtetit: Jeni në shërbim të vëllezërve pejanë

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, po thotë se fajin për problemin e shpërfaqur së fundmi me kompaninë “Devolli” e kanë krerët shtetërorë, pasi, sipas tij, pas kësaj kompanie qëndrojnë “më të fortit e shtetit”.

“Nëse ata e kanë shtetin me veti dhe pa dyshim që e kanë, atëherë sulmi kundër tyre nuk është në adresën e duhur, pasi i gjithë sistemi shtetëror, bankar e financiar dhe ai i Drejtësisë janë krijuesit dhe mbrojtësit e kësaj Kompanie monopoliste. Nuk ka gjë më lehtë për shtetin i cili e ka në disponim edhe Drejtësinë e BE-së, për të verifikuar ligjshmërinë e kësaj Kompanie monopoliste. Natyrisht, nëse ka vullnet politik te dyanshëm (qeveri – EULEX)”, thotë Krasniqi.
 
“Sikur vëllezërit Devolli të kishin krijuar pasurinë e tyre në mënyrë të rregullt, ata pas sulmeve të shumta që nga debati për Amortizatorët e deri të skandalet e fundit me grurin e qumështin, do të duhej të kërkonin një auditim të pavarur, për të treguar ligjshmërinë e krijimit të bizneseve të tyre”, ka theksuar ish-kryeparlamentari i Kosovës.
 
Krasniqi thotë se deri tani dy gjëra dihen: “Debatin për Amortizatorët patën arritur ta shtyjnë për një kohë, pa këmbëngulësinë time (si Kryetar i Kuvendit), debati nuk do të realizohej. Debatin nuk patën mundësi ta hiqnin nga rendi i ditës edhe pse pat ndikime anësore dhe arritën ta pengojnë krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar. Madje ata arritën ta heshtin edhe EULEX-in, ndonëse sindikata e armotizatorëve e kishin një lëndë mirë të argumentuar, e cila dëshmonte për shkeljet e shumta në procesin e privatizimit. Njerëzit i besuan EULEX-it, por ai nuk veproi. Ndonëse në procesin e privatizimit kishte edhe shkelje të tjera të mëdha veç armotizatorëve, pothuajse që të gjitha u heshtën. U hesht edhe Hoteli Grandit si edhe vetëvrasja e Dinos. Më pas ata ia arritën ta heshtin edhe Qeverinë e Shqipërisë, për cilësinë e dobët të miellit. Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë bëri një tërheqje taktike?! Kush ndërhyri që të heshtej për millin e krundeve?”.
 
“Tani po flitet për grurin e importuar si ushqim i kafshëve apo rezervave të Serbisë. Me këtë veprim ata i kanë dëmtuar prodhuesit vendor të grurit dhe qytetarëve tanë u kanë afruar miell të cilësisë së dobët. Por edhe me përpunimin e qumështit të pluhurit, ata i kanë sjell dy dëme qytetarëve tanë, një kanë dëmtuar pronarët e fermave të gjedheve dhe dy, qytetarët i kanë furnizuar më qumësht të cilësisë së dobët. Ata ne të gjitha rastet kanë bërë vepra penale. Sipas kësaj logjike, në Kosovë duhet të heshtën të gjitha krimet që mund të dëshmohet, por nuk bënë të heshtën pretendimet e Dick Martit?! Këtu gjithçka është puro politikë, politikë stimuluese në një anë dhe politikë diskriminuese dhe eliminuese në anën tjetër. A do të jenë këto flijimet e fundit që shqiptarët ua bëjnë Zotërave te Olimpit?”, shton Krasniqi.
 
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, më tej thotë se këta njerëz edhe në fusha të tjera të jetës tregtare mbajnë monopol në Kosovë.
 
“Kush do t’i zbuloj skandalet e tjera të këtyre njerëzve? A kanë vullnet organet përgjegjëse të shtetit të vijnë deri te e vërteta? Unë dyshoj në tërë sistemin, e në mënyrë të veçantë dyshojnë në Sistemin e Drejtësisë, vendor e ndërkombëtar marrë se bashku, madje duke pas parasysh “drejtësinë” e deri tashme, unë dyshoj edhe në drejtësinë e Gjykatës Speciale!”, u shpreh Krasniqi.
 
Në fund, ai përsërit se faj kanë pa dyshim Devollët, por thekson se ata nuk janë problemi kryesor.
 
“Problemi kryesor është i gjithë aparati shtetëror i Republikës së Kosovës, veçanërisht qeveria e cila në vend që ti stimulonte Institucionet e Pavarura të shtetit që ti kryejnë detyrat e veta sipas ligjeve, ajo i ka penguar ato që ti mbronin konsumatorët dhe shumë bizneseve u ka krijuar benifite të jashtëligjshme deri në krijimin e monopoleve. Cila është pjesëmarrja e këtyre monopoleve në mbushjen e Buxhetit të Kosovës?”, ka thënë ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi.kohaislame
Artikulli paraprakHoxhaj, vizitë zyrtare në Izrael
Artikulli vijuesKalon Me Shtatë Nota të Dobëta Nga Klasa X në të XI-ën {Video}