Krimet e rënda në fillimin e muajit janar që kanë mbetur ende pa autorë. Puna e dobët e policisë për ngjarjet e rënda të ndodhura në Durrës dhe mosefikasiteti në zbulimin e krimeve të përgjakshme që tronditën vendin në pak ditë.
Dhjetë të vrarë në tetë ditë janë statistikat më të rënda të viteve të fundit për policinë e shtetit.
Teksa pak kohë më parë u vu theksi se për vitin 2015 kishin ndodhur 54 vrasje (tregues që sipas ministrit Saimir Tahiri ishin më të ulëtat në dekadat e fundit), vendi kaloi në vrasje në seri të tipit mafioz, që nga ekzekutimet me nga një plumb në kokë, deri në pengmarrje dhe vrasje.
Në Shkodër, sherri për të refuzuar një krushqi mori jetën e dy vëllezërve, Skënder dhe Abdulla Shkami, por më të rëndat konsiderohen krimet e kryera në Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan.
Më e rëndë ngjarja ishte në Durrës kur Gazmend Çollaku fillimisht u rrëmbye në qendër të qytetit nga katër persona të veshur si efektivë policie dhe më pas u gjet i vrarë në një fshat të Fushë-Krujës.
Kur policia tentonte të binte në gjurmë të autorëve, një tjetër krim me viktima ndodhi në Vlorë, ku dy ekzekutorë zbrazën karikatorët e armëve mbi Andrea Billën, 36-vjeçar, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Spanja.
Pothuaj në një diferencë të shkurtër kohore, në aksin rrugor Fier-Lushnjë u vra teksa udhëtonte me automjet Denis Kasa 44 vjeç dhe u plagosën dy shokët e tij Elton Margariti dhe Klement Kastrati. Për këto ngjarje policia shprehej se dyshonte se viktimat mund të ishin të përfshirë në trafiqe të ndryshme.
Por kjo nuk mund të thuhej aspak për krimin makabër të ndodhur në qytetin e Elbasanit. Zoje Koburja 66-vjeçare, u sulmua nga dy grabitës teksa ndodhej në shtëpi me bashkëshortin e moshuar dhe pas tetë ditësh në gjendje të rëndë në spital ajo humbi jetën.
Hetimet
Për strukturat e rendit ngjarjet e ndodhura në Durrës, Vlorë dhe Fier kanë një të përbashkët, pasi dyshohet se kanë ndodhur për prishje të pazareve të drogës.
Por kjo nuk mjafton për të shkuar deri në gjurmët e autorëve. Gati e dështuar policia është në rastin e vrasjes së Gazmend Çollakut pasi dyshohet se i njëjti grup personash mund të ketë ekzekutuar edhe dy të rinj në Durrës, Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, ngjarje e ndodhur më 21 dhjetor të vitit të kaluar. Rrëmbimi dhe më pas largimi me pengun Çollaku tregoi se në këtë rast policia u tregua jo profesioniste në punën e saj, pavarësisht se për ngjarjen u lajmërua në kohën e duhur.
Atë rrugë që duhet ta bllokonte, ajo nuk e bëri. Duke ditur se pas ngjarjeve të rënda kriminale në Durrës dhe Tiranë autorët marrin zakonisht aksin drejt zonës së Fushë-Krujës dhe Laçit, përsëri nuk ngriti postblloqe në kohën e duhur.
Për më shumë dyshohet se i njëjti grup që rrëmbeu dhe ekzekutoi Çollakun mund të jetë përfshirë edhe në grabitjen e rreth 3.8 milionë eurove nga një automjet që transportonte vlerat monetare për llogari të një banke të nivelit të dytë.
Ndërsa në lidhje me vrasjen e Vlorës policia fillimisht shoqëroi disa persona, por është ende larg zbardhjes së plotë të autorëve.
Pak më me fat policia ishte në rastin e vrasjes së Denis Kasës, pasi gjeti automjetin që dyshohet se u përdor në atentat dhe aktualisht në dhomat e paraburgimit ndodhet Ilir Memushaj, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë krim.
Në lidhje me ngjarjen e Elbasanit policia nuk ka asnjë person të dyshuar, pavarësisht se hetimet për krimin e rëndë ende vijojnë. Për strukturat e rendit ka çaluar puna jo vetëm hetimore, por edhe tentativa për të arrestuar autorët pas kryerjes së krimeve.
Bilanci mbyllet me dhjetë të vrarë në gati një javë, duke e bërë janarin më të përgjakshëm të viteve të fundit.