Shqipëria ndonëse vend i vogël gjithnjë ka nxjerrë intelektualë të cilët e kanë bërë të njohur në mbarë botën. Ndër këta intelektualë ishte edhe dijetari i nderuar Vehbi Sulejman Gavoçi, një nga personalitetet më të shquara shqiptare, i cili ka dhënë një ndihmesë të veçantë për kulturën islame në Shqipëri dhe në përgjithësi për çështjen kombëtare. Ai ishte autor i rreth 50 veprave të botuara në gjuhën arabe dhe shqipe, i mbi 400 artikujve studimorë në revistat më në zë të botës arabe, si në gazetat “Menar”, “El Bejan”, “Zëri i arabëve”, “Shkopi i xhenetit” etj., në revistat “Përparimi Islam”, “Dauve”, “Menarul Islam” etj.. Ai kontribuoi gjithashtu si pedagog e ligjërues në disa universitete. Gjyshi i tij, Halil Gavoçi, dhe i ati, Sulejman Gavoçi, kanë qenë hoxhallarë të nderuar, të cilët shërbyen për një kohë të gjatë si vaizë dhe imamë në disa xhami, si ajo e Kuçit, e Skelës dhe e Selvisë në pazar të Shkodrës, në Ajasem e në Garuc. Në vitin 1913, kur Shkodra u rrethua nga forcat serbe e malazeze, Hafiz Halil Gavoçi dhe Hafiz Sulejman Gavoçi, babë e bir, dhanë kontributin e tyre për mbrojtjen e qytetit nën komandën e Hasan Riza Pashës dhe u dalluan për trimëri. Hoxhë Vehbi Gavoçi ka lindur në Shkodër më 17.5.1923.
Mësimet e para fetare i mori nga i ati e më vonë nga mësuesi i besimit në Xhaminë e Kuqe të lagjes Perash, Hasan Mustafa, ndërsa shkollën fillore e kreu në lagjen Parrucë në vitin 1936. Në vitin 1937, shejh Sulejmani së bashku me familjen e tij emigroi në Siri, për shkak të disa reformave që bëri Mbreti Zog, të cilat binin ndesh me disa nga obligimet fetare. Me të mbërritur në Damask të Sirisë, shejh Vehbiu u regjistrua në shkollën e ulët islame, siç e pohon ai vetë gjatë një interviste të dhënë në Damask, dhe më pas në një shkollë të mesme tregtare. Nga dëshira e tij si dhe e babait të tij për të mësuar shkencat islame, ai e ndërpreu studimin në të sepse dha me sukses provimin e pranimit si student në El-Ez’her, ku ndoqi dhe përfundoi me rezultate të larta shkollën e mesme 4-vjeçare, fakultetin 4-vjeçar në degën e sheriatit dhe për dy vjet bëri specializimin në degën juridike fetare. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1947, u kthye në Siri, ku filloi aktivitetin e tij si mësues, falë përgatitjes së shkëlqyer.
Në vitin 1948 ai fitoi konkursin i cili i jepte të drejtën për të ushtruar detyrën e mësuesit, në të cilin fitoi vendin e dytë. Hoxhë Vehbiu fillon në vitin 1949 punën si mësues në shkollat e vajzave të qytetit të Halepit deri në vitin 1951. Më pas shkon në Damask, ku punon deri në vitin 1965 si mësues në shkolla të ndryshme, si pedagog i institutit që përgatiste mësues si dhe në Universitetin e Damaskut. Hoxhë Vehbiu mbante ligjërata jo vetëm brenda Sirisë, por edhe jashtë saj, kudo që e kërkonte nevoja. Ai ligjëroi edhe në vendet ku ndodheshin shqiptarë, duke mbajtur gjallë si frymën kombëtare edhe ndjenjat fetare, duke ndjekur në këtë mënyrë traditën e babait të tij, hoxhë Sulejman Gavoçit. Pas vdekjes së babait në vitin 1958, në Siri, Haxhi Vehbiu e zëvendësoi duke dhënë ligjërata në “Xhaminë Arnaut”, ndërtuar nga i ati, i cili kishte kryer detyrën e imamit dhe të vaizit. Për tre vjet në këtë xhami Haxhi Vehbiu ishte imam dhe vaiz, pastaj ligjëron në xhamitë “Esh-Shemsije”, “Randa” dhe “Lalabasha”. Në vitin 1966 nga Siria shkon në vende të tjera arabe. Në këtë vit u emërua pedagog në Universitetin e Riadit, në Arabinë Saudite, më pas shkoi si profesor në Medinë për 5 vjet, deri në vitin 1971.
Ligjëratat e tij të dobishme zunë vend edhe në Xhaminë e Profetit a.s. në Medinë për më shumë se dy vjet, dy herë në javë, ndërsa në kohën e haxhit çdo ditë, nga vera e vitit 1967 deri në vitin 1970. Hoxhë Vehbiu kthehet më pas në Siri, ku shërbeu si mësues deri në vitin 1980. Më pas ai merr përsëri rrugën për në Arabinë Saudite, ku shërbeu si studiues në Universitetin Islamik të Medinës. Rrugëtimi i tij nuk mbaron me kaq, pasi nga Arabia Saudite shkoi në Jordani për tre vjet, ku dha kontributin e tij në punë studimore të ndryshme dhe në botime librash. Në vitin 1986 u emërua pedagog në Fakultetin Fetar e Gjuhësor në Dubai, të Emirateve të Bashkuara Arabe, për të dhënë lëndën e fikhut.
Pas një kohe të gjatë në shumë vende të botës islame, ai u kthye në Siri, ku vazhdoi punën e tij i palodhur në hartimin e librave për formimin e ndërgjegjes fetare. Ndonëse shejh Vehbiu u formua si personalitet në vendet arabe, ai gjithmonë e ndjeu veten shqiptar dhe nuk reshti së interesuari për vendin dhe popullin e tij. Në vitin 1974, shejh Vehbiu kërkoi që të vizitonte vendlindjen e tij, por kjo kërkesë u refuzua nga regjimi komunist i kohës. E megjithëkëtë ai nuk përtoi të vizitonte Maqedoninë, ku ligjëroi në xhaminë e Shkupit. Prej Shkupit shkon edhe në Prishtinë, ku me ndihmën e Hafiz Hasan Nahit, përkthyesit të Kuranit të Madhërueshëm në gjuhën shqipe, jep ligjërata të ndryshme në xhami dhe në familjet kosovare. I gjendur mes bujarisë së vëllezërve të tij shqiptarë, sapo kthehet në Siri, në shenjë falënderimi shkruan në gjuhën shqipe librin “Si dhe pse?”.
Ky është libri i parë i Haxhi Vehbiut në gjuhën amtare e pas tij do të vijnë dhjetëra të tjerë. Vizitat për t’u njohur me bashkatdhetarët e tij nuk reshtën, pasi shkoi për t’u takuar me shqiptarët e Belgjikës, ku nuk u kursye duke u dhënë këshilla të vyera. Hoxhë Vehbi Gavoçi, shumë i përmalluar për Shqipërinë, në pamundësi që të realizonte dëshirën e tij, shkroi disa letra të cilat ia dërgoi njërit prej miqve të tij në qytetin e Shkodrës, të cilat më vonë, pas ndërrimit të sistemeve, u botuan me titullin “Letra të një emigranti”. Pas vitit 1991, ëndrra e shejh Vehbiut u bë realitet, kur vizitoi vendlindjen e tij disa herë dhe ofroi ndihmesën e tij për të ringjallur frymën fetare te shqiptarët. Gjatë vizitave të tij ai zhvilloi një veprimtari jo të paktë me ligjërata e konferenca, mori pjesë në disa ceremoni përurimi xhamish dhe gjithashtu dha kontributin e tij me ndihma humanitare në jetimore e institucione të ndryshme.
Në bazë të kontributit të madh që dha ky personalitet i njohur për qytetin e tij, Shkodrën, më 10 shkurt 2012, Këshilli i Bashkisë Shkodër me propozim nga Myftinia e këtij qyteti i dha Shejh Vehbi Sulejman Gavoçit titullin “Qytetar Nderi”. Shqiptarët, nga të gjitha viset që gjenden në Siri, përfshirë edhe studentët që kishin shkuar atje për studime, gjenin tek dijetari Vehbi Gavoçi dhe familja e tij ngrohtësi e ndihmë të gjithanshme. Dera e tij ishte gjithmonë e hapur për të gjithë ata që donin të përfitonin nga përvoja e tij e gjatë në lëmit e ndryshme të shkencave islame.
Këshillat e tij mbeten të paharruara në kujtesën tonë, sidomos ajo me të cilën na përcolli për në Shqipëri: “Mundohuni të fusni mësim-besimin në shkollat laike, sepse ajo shoqëri e cila nuk ka besim është e destinuar të shkatërrohet”. Pas një jete të mbushur plot gjallëri dhe kontribut për promovimin e vlerave të larta islame, në orët e para të mbrëmjes së 19 shkurtit 2013, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Vehbi Gavoçi, dijetari i madh islam shqiptar, ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij në moshën 90-vjeçare, që të prehet në lumturinë e përjetshme.
“Mundohuni të fusni mësim-besimin në shkollat laike, sepse ajo shoqëri e cila nuk ka besim është e destinuar të shkatërrohet”
Vehbi Sulejman Gavoçi