Reagim ndaj shkrimit të akademikut Kraja: “Letër myslimanëve të Facebook-ut”)4 nocione të paqarta për akademikun Kraja
Me keqardhje dhe njëfarë shqetësimi për atë se sa dinë akademikët tanë, më duhet ta nis ndërhyrjen në debatin që nisi akademiku Mehmet Kraja e që foli në emrin tonë (e ateistëve).
Pa u zgjatur me fjalë në emocionet që nga sa duket akademiku Kraja nuk ka arritur t’i menaxhojë dhe duke provuar t’i lëmë sa më larg nesh ato e të shkruajmë këtu për të kontribuar në një debat të rëndësishëm për shoqërinë tonë, po rendisim më poshtë 4 nocione që për çudinë time më rezulton që akademik Kraja nuk i ka të qarta.
– Ekumenizmi fetar
“kam botëkuptime perëndimore (së paku kështu pretendoj unë) për shoqërinë, për laicitetin e shtetit, për lirinë e fesë dhe të besimit, për ekumenizmin fetar” – ekumenizmi është qëllimi i përbashkimit të krishterëve në botën mbarë. Pra fjala ‘ekumenizëm’ sipas botëkuptimit perëndimor nuk mund të shoqërohet me predikatin ‘fetar’, pasi sipas botëkuptimit perëdimor dhe sipas botëkuptimit të të gjithë botës ‘ekumenizmi’ është fjalë që lidhet drejtpërdrejt me krishterimin. Edhe pas një kërkimi në internet unë nuk arrita ta gjej fjalën ekumenizëm të lidhur me ndonjë fe tjetër. Ky stili i akademikëve tanë për të përdorë fjalë që tingëllojnë “sexy” pa i kuptuar mirë vet ato, i bënë ata të duken si mos më keq para lexuesve, si në rastin tonë.
– Indiferentizmi
“duke na bërë të zmbrapsemi, të tërhiqemi, të manifestojmë tolerancë dhe indiferentizëm,” – indiferentizmi (ashtu si edhe toleranca) nuk është diçka që dikush të bënë ta ndjesh apo ta manifestosh, ai është një manifestim i brendshëm, një pozicionim i individit që nuk ndikohet nga jashtë, përkundrazi manifestohet ashtuqë ta kundërshtojë të jashtmen. Si definim do të thotë saktësisht ‘mungesë interesimi, brengosjeje’. Indiferent je ose nuk je, shoqëria nuk të detyron të manifestosh indiferentizëm, frikë po, frikë për humbje popullariteti edhe po. Në këso detaje zakonisht nuk fokusohemi kur lexojmë ndonjë shkrim të analistëve, por ama kur shkruan një akademik ne presim të jetë i rafinuar sa s’bëhet, dhe akademiku Kraja nuk është.
– Ideologjia
“për shkak se feja në vendin tonë tashmë ka filluar të bëhet ideologji” – kam frikë se këtu ka një paqartësi të thellë (siç do t’i pëlqente të thoshte akademikut Kraja) për sa i përket njohjes së kuptimit të fjalës ‘ideologji’. Sa për ata që s’kanë pasur ndonjëherë interesim ta shohin ç’do me thënë me saktësi fjala ‘ideologji’ ajo është ‘sistem idesh dhe idealesh, veçanërisht për të vënë bazat e ekonomisë, politikës dhe politikbërjes’. Le të na thotë akademiku Kraja, pozicioni liberal i shekullit XVII-XVIII që ai e mban a nuk është ideologjik? Po të pasurit e “botëkuptimeve perëndimore” çfarë është? Është për keqardhje se si gjeneratat e vjetra të Kosovës, ajo që i përket akademiku Kraja nuk arrijnë as sot e kësaj dite të çlirohen nga kompleksi i komunizmit e socializmit. Me fjalën ideologji kuptojnë vetëm komunzimin, a thua se liberalizmi, krishterimi, islami etj. nuk qenkan sistem idesh e idealesh që synojnë të rregullojnë jetën shoqërore e ekonomike të hapësirave ku aplikohen. Çlirohuni nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër, në rregull është, s’po ju gjykon askush për atë që s’ju kanë pyetur. Çlirohuni edhe ju akademikë e profesorë e të ashtuquajtur “intelektualë”, se duke u munduar ta bëni distancën dhe ta fshihni kompleksin, ja si puna e akademikut Kraja, bëni gabime të pafalshme, të tilla si përzirje të kuptimeve. Sidomos të pafalshme këto gabime janë për akademikët.
– Kombi (nacionalizmi)
Për ta bërë edhe më të qartë se akademiku Kraja nuk e njeh mirë nocionin ‘ideologji’ vlen vet teksti i Krajës te pjesa lidhur me kombin. Duke akuzuar myslimanët se po bëjnë ideologji (çfarëdo kuptimi që kjo ka për akademikun Kraja) vet i thur lavde kombit dhe miteve si Skenderbeu, dhe e vë këtë si mburojë përballë myslimanëve. Po kombi ç’është? Pjellë e IDEOLOGJISË? A nuk është kombi i ndërtuar mbi një sistem idesh dhe idealesh që synojnë një rregull të caktuar politik e ekonomik të një territori të caktuar, pra ideologji? Ka dy mundësi: akademiku Kraja ose nuk e njeh nocionin ‘ideologji’ ose nocionin ‘komb/nacionalizëm’. Në fakt paska tri mundësi: ose asnjërën.
3 kriza të argumentimit të akademikut Kraja
1.
“Sikundër që ne e dimë se brenda “kampit” tonë ka dënglaxhi (me një fjalë “pordhaxhi”) të të gjitha ngjyrave, edhe ju e dini se brenda “kampit” tuaj ka mercenarë, besimtarë sezonalë, të hurit dhe të konopit, maskarenj, horra, predikues të rrejshëm, blasfemues dhe heretikë, hajna dhe keqpërdorues, kriminelë recidivistë dhe ordinerë, të cilët fenë e kanë “azil” të përkohshëm ose të përhershëm” – a më duhet ndonjë komentim më shumë sesa ky disbalanc i tmerrshëm mes “neve” dhe “atyre”? Mes neve paska vetëm “podhaxhi”, dmth njerëz që lëshojnë njëfarë ere (fjalë të keqe) por vetëm kaq, ndërsa mes tyre të gjitha kategoritë e mundshme të së “keqes”.
2.
“Pse pra? Përse ju nuk mund t’i diferenconi këta njerëz nga radhët tuaja?” – kjo është një pyetje absurde. Çdokush që ka lexuar pak, e di se në secilin sistem idesh, a secilën doktrinë, a secilin komunitet ka njerëz me lloj lloj prirjesh. Varet pastaj nga komuniteti, sistemi i ideve, doktrina apo tjetër, sa e toleron atë person që është ndryshe nga çka pritet në komunitet. Në fund të fundit kategorizimet i përkasin një sistemi vlerash që dalin nga marrëdhëniet politko-sociale të atij sistemi. Pak lexim nga filozofët e shek 21 do të ndihmonte që akademiku Kraja të mos moralizonte si ndonjë murg i shek 13 i botëkuptimeve perëndimore të inkuizicionit. Po hajde hajde, po hymë në vallen e akademikut Kraja, ja një pyetje: pse në akademinë ku bëni pjesë ju ka akademik (dhe kryeministër) që një status 50-100 fjalësh në facebook e shkruan me 30 e më shumë gabime gjuhësore? Ose: Cili është punimi shkencor serioz i akademisë ku ju bëni pjesë që u përkthye në ndonjë gjuhë pasi pati ndonjëfarë relevancë për shkencën e botës mbarë?
3.
“dua të kthehem sërish aty ku nisa, te muaji i Ramazanit. Ju, myslimanët e Facebook-ut, a keni menduar ndonjëherë si ndihemi ne që përbëjmë shumicën në këtë vend gjatë këtij muaji? A e doni përgjigjen time të sinqertë? Si në Tetovë. Nëse e keni pasur për qëllim që kryeqytetin e një shteti, Prishtinën, ta shndërroni në provincë me identitet të nallash e dimish, mendoj se ia keni arritur.” – kjo pjesë është nga më skandalozet që mund ta lexojë dikush nga një akademik. Një akademik analizon pse është Tetova ashtu siç është, cilat janë rrethanat historike dhe cilat janë rrethanat aktuale socio-politike, por të shajë një vend e ta përulë atë nuk është aspak akademike. Pastaj ç’do me thënë “indentitet nallash e dimish”, pse nallat dhe dimitë qenkan keq? Pse një veshje Armani e shallvareve (të ngjashme me dimitë) bën, e dimia nuk bën? Pse kimono-ja japoneze (veshje tradicionale) është sexy e dimia nuk qenka? Kush është ai që i takon e drejta ta përcaktojë?
Po hajde prapë, le të hyjmë ne vallen e akademikut Kraja. Një tjetër pyetje: fshati Krajë ku ka lindur akademiku ynë në vitin 1952, a mund të krahasohet me Tetovën? Kam përshtypjen që Tetova përballë Krajës është një metropol.
2 rrugët e akademikut Kraja
Akademiku Kraja i shoqëruar nga një numër i madh njerëzisht të të gjitha kategorive shtrojnë dy rrugë për shoqërinë kosovare: lindjen dhe perëndimin. Ata kanë prodhuar një shantazh goxha të dalë mode në botën perëndimore (Londra për shembull që ka një kryetar me origjinë lindore), që i takon mesjetës së hershme dhe periudhës së iluminizmit në Evropë. Megjithatë një gjë duhet thënë para se të kalojmë te rruga “e vërtetë”. Krishterimi që ndikoi aq shumë “botëkuptimin perëndimor” dhe që mund të thuhet se është thellësisht brenda asaj që sot quhet evropianizëm, ashtu si filozofia në përgjithësi e filozofia politike në veçanti, nuk kanë buruar në Berlin, e as në Paris. Për grekët e lashtë që banonin në territorin e sotëm “periferik” të Evropës, popujt e Evropës perëndimore ishin barbarë. Filozofia lindi në Greqinë antike pra. Pastaj Krishti ishte nga Nazareni, krishterimi erdhi pikërisht nga lindja.
1 e Vërtetë
E vërteta për debatin “Perëndim a lindje?” është se debati i shtruar në këtë formë është një shantazh. Para se të fillojmë të përgjigjemi për këtë duhet ta riformulojmë pyetjen.
Ne jemi edhe lindje, sepse kemi trashëguar mjaft shumë nga kultura osmane (të mos zgjatem duke i përmendur me radhë), e poashtu jemi edhe në perëndim, kemi mjaft shumë vlera të përafërta me Evropën. Dhe jo rastësisht. Ne ishim dhe jemi në mes të këtyre dy civilizimeve, dhe është krejtësisht e natyrshme që ne t’i kemi të dya, që në fakt krijojnë identitetin tonë origjinal. Ne përpiqemi për demokratizim të vendit tonë e ruajtje të të drejtave të njeriut, por ama ne përqafohemi me njëri tjetrin, bërtasim kur diçka na rrëmben emocionalisht, shprehim më lirshëm emocionet tona, bëjmë dhe gabime po arrijmë dhe të japim shembuj që në botën perëndimore mungojnë (si toleranca fetare, por jo në masën që bota mendon se e kemi). Ja pra, neve nuk na duhet të zgjedhim me perëndimin apo lindjen. Ne mund jemi të dyja. Kësisoj, për neve gjithmonë do të ketë diell. I