Konventa turko-jugosllave e vitit 1938 dhe reagimet shqiptare

Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe krijimin e Jugosllavisë së Versajës pozita e shqiptarëve u përkeqësua edhe më shumë. Në vitin 1919 Beogradi zyrtar solli Ligjin për Reformën Agrare, ndërsa në vitin 1931 edhe Ligjin për Kolonizimin e “Krahinave të Jugut”. Burimet jugosllave vënë në pah se deri më 1 janar të vitit 1928 autoritet serbe në Kosovë dhe në trevat lindore shqiptare kishin kryer përkufizimin e 222.397 hektarëve tokë bujqësore me 1923 komplekse të mëdha. Nga kjo sasi 111.607 hektarë u ishin shpërnda kolonistëve serbë, të cilët përbënin gjithsej 173 koloni dhe 419 fshatra.

Shkruan: Qerim Lita, Shkup

Lufta e Parë Ballkanike (tetor 1912), që përfundoi me tërheqjen e ushtrisë së Perandorisë Osmane dhe pushtimin e trevave verilindore shqiptare nga trupat ushtarake serbe, për kryeministrin e atëhershëm serb, Nikolla Pashiq, u konsiderua si luftë midis “Krishterimit evropian dhe Islamizmit aziatik” dhe se ajo, sipas tij, përfundoi me fitoren e “shteteve të krishtera të Ballkanit”. Si rrjedhojë e një vlerësimi të tillë, pushtuesit serbë, përkatësisht aleanca ortodokse ballkanike, si dhe pjesa më e madhe e Fuqive të Mëdha, me përjashtim të Austro-Hungarisë e deri diku edhe të Italisë, shqiptarët i shpallën “armiq të civilizimit të krishterë evropian”. Gjithnjë në emër të mbrojtjes së “krishterimit evropian”, ushtria pushtuese serbe në mënyrë të pamëshirshme e terrorizoi popullsinë shqiptare, duke vrarë e masakruar mijëra njerëz të pafajshëm e duke plaçkitur e djegur vendbanime të tëra shqiptare. Si rrjedhojë e sjelljes së tillë, në shtator të vitit 1913 shpërtheu kryengritja e përgjithshme shqiptare kundër trupave pushtuese serbe, e cila në historiografinë shqiptare njihet si “Kryengritja e Shtatorit”.

Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe krijimin e Jugosllavisë së Versajës pozita e shqiptarëve u përkeqësua edhe më shumë. Në vitin 1919 Beogradi zyrtar solli Ligjin për Reformën Agrare, ndërsa në vitin 1931 edhe Ligjin për Kolonizimin e “Krahinave të Jugut”. Burimet jugosllave vënë në pah se deri më 1 janar të vitit 1928 autoritet serbe në Kosovë dhe në trevat lindore shqiptare kishin kryer përkufizimin e 222.397 hektarëve tokë bujqësore me 1923 komplekse të mëdha. Nga kjo sasi 111.607 hektarë u ishin shpërnda kolonistëve serbë, të cilët përbënin gjithsej 173 koloni dhe 419 fshatra.

Ndërkohë në vitin 1938 midis Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Mbretërisë Jugosllave u nënshkrua konventa famëkeqe, e cila parashikonte shpërnguljen e 40.000 familjeve myslimane (250.000-300.000 banorë), kryesisht shqiptare, për në Turqi. Një akt i tillë i shqetësoi tejmase autoritet e atëhershme politike e intelektuale shqiptare si në trevat verilindore (të pushtuara nga Jugosllavia), ashtu edhe në ato të Shqipërisë politike. Për të parë më për së afërmi se si e parashikonin realizimin praktik të konventës në fjalë, autoritetet e atëhershme pushtuese serbomadhe, në njërën anë, si dhe përpjekjet e autoriteteve qeveritare shqiptare për ta penguar të njëjtën, në anën tjetër, e pamë të arsyeshme që në këtë numër të revistës mbarëkombëtare “SHENJA” të botojmë dy dokumente, përkatësisht elaboratin me titull “Problemet dhe metodat e shpërnguljes së shqiptarëve dhe turqve nga Serbia e Jugut për Turqi”, hartuar më 23 dhjetor 1938 nga P. Kumoviqi, inspektor i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Mbretërisë jugosllave, dhe raportin e përfaqësuesit diplomatik bullgar në Tiranë, J. Peev, dërguar më 14 tetor 1938 Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së atëhershme Mbretërore Bullgare. Dokumentet në fjalë, që botohen për herë të parë, gjenden në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë, fondi 613 dhe 1178.

*          *          *

Elaborat me titull “Problemet dhe metodat e shpërnguljes së shqiptarëve dhe turqve nga Serbia e Jugut për Turqi”, hartuar më 23 dhjetor 1938 nga P. Kumoviq.

  1. Dispozitat ligjore (të miratuara dhe në procedurë e sipër)
  2. Metodat e zbatimit dhe
  3. Mjetet
  1. Dispozitat ligjore

Sipas dispozitave të deritanishme të Reformës Agrare, të gjitha pronat e lira përkufizoheshin dhe u ndaheshin kolonistëve. Familjeve të zyrtarëve u ndahej nga 5 hektarë. Për çdo fëmijë mashkull deri në 16 vjet nga 1 hektar, ndërsa për çdo fëmijë mashkull mbi 16 vjet nga 2 hektarë; meshkujt e pamartuar mbi 20 vjet në familje marrin nga 3 hektarë, ndërsa të martuarit 4 hektarë; u jepej për inventar edhe nga 2 hektarë edhe për pyllëzim, ndërsa u jepej edhe tokë me kualitet të dobët me kompetencë trashëgimie deri më 1/3 e pronës.

Vullnetarëve-luftëtarëve nga 5 hektarë, ndërsa jo luftëtarëve 3 hektarë, ndërsa u jepej edhe shtesë koloniste sipas Ligjit për Kolonizim. Kjo vlente vetëm për vullnetarët dhe bujqit.

Në kohë të fundit pushtetarët tanë agrarë kryenin marrjen e tokës nga shqiptarët dhe turqit, u linin nga 0,40 ari për anëtar familje nga të dy gjinitë, ndërsa nëse toka është e kualitetit të dobët atëherë u lihej nga 1 hektarë e më shumë për anëtar familjeje. Toka tjetër e përkufizuar u ndahej kolonistëve. Ky veprim i pushtetarëve agrarë pati efekt të madh sidomos në momentin kur shqiptarët dhe turqit luhateshin, por nga ky moment ata vendosën për shpërngulje të përhershme. Erdhën zgjedhjet, të cilat tërë këtë aksion të pushtetarëve agrarë e penguan dhe e gjuajtën në prapaskenë.

Vetë kolonizimi, nga bashkimi deri më sot, ka dështuar dhe ende është në minus, si në Vojvodinë ashtu edhe në Serbinë e Jugut, ndërsa kolonizimi në Itali – Abisini ka dhënë rezultate pozitive, edhe pse nën rrethana shumë të rënda.

Konventa e arritur midis Mbretërisë sonë dhe Republikës së Turqisë, për shpërnguljen e shqiptarëve e turqve vetëm se është kryer nënshkrimi paraprak, mirëpo atë ende nuk e kanë miratuar parlamentet.

Përpjekjet nga ana e Shqipërisë (udhëtimi i Mehmet Konicës, ish kryetar i Qeverisë shqiptare, Servet Xhuxhulit, përfaqësuesit diplomatik shqiptar në Ankara, legatës gjermane në Tiranë dhe Ankara), për ta tërhequr konventën nga Republika e Turqisë dështoi, sepse ende ishte gjallë Kryetari i Republikës së Turqisë, Qemal Ataturku, miku ynë i madh, ndërsa trashëgimtari i tij, Zotëria Ismet Inoni, e vazhdoi politikën e njëjtë të paraardhësit të tij me Mbretërinë tonë dhe e mban miqësinë e njëjtë, madje edhe më shumë; ai është edhe miku personal i Kryetarit tonë të respektuar të Qeverisë Mbretërore, Zotërisë Dr. Millan Stojadinoviq.

Në vijim është votimi i konventës në parlamentin tonë edhe atë që në seancën e parë të tij. Duhet vazhduar me tërë fuqinë që kjo konventë të futet e para në rendin e ditës, kështu që të mund të implementohet dhe të fillohet shpërngulja. Më 1 korrik 1939 këtë konventë mund ta ratifikoj edhe vetë Qeveria Mbretërore sipas autorizimit nga Ligji Financiar për këtë dhe vitin e kaluar, si Rregullore e Konventës së natyrës ekonomiko-financiare.

2.Metodat e zbatimit

Që kjo punë e rëndë e delikate për interesin shtetëror e nacional të mund të zbatohet me trazira sa më të vogla, nevojitet sa më parë, që në muajin janar, të themelohet Inspektorati Suprem për shpërnguljen e shqiptarëve e turqve për në Azi, me qendër në Shkup, i cili do t’i ketë dy qendra të veta rajonale, në Prishtinë dhe Pejë ose Prizren.

Në krye të Inspektoratit Suprem duhet vendosur një zyrtar i lartë i Ministrisë Punëve të Brendshme për inspektor suprem, si përfaqësues i Qeverisë Mbretërore, njohës i mirë dhe me përvojë për Jugun tonë, me numër të nevojshëm të nëpunësve të rinj.

Inspektorit suprem si bashkëpunëtor duhet t’i ofrohet nga një përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë, Ushtrisë dhe Marinës, Punëve të Jashtme dhe Financës.

Një inspektorat i themeluar në këtë mënyrë duhet të jetë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Qeverisë Mbretërore dhe Ministrisë Punëve të Brendshme, ku vetëm nga ata do të marrë instruksione për punë. (Nëse është e nevojshme, kjo mund të parashihet edhe me rregullore të posaçme).

Për shkak të ngritjes së autoritetit të këtij Inspektorati Suprem të porsakrijuar, në terren nevojitet që ai të ketë kompetenca të plota e të pakufizuara nga ana e Qeverisë Mbretërore për punë rreth zbatimit të Konventës, plotësimin e saj dhe punën jashtë saj, sepse nuk guxojmë të harrojmë se në Serbinë e Jugut sot ka rreth 732.000 shqiptarë e turq, 280.000 deri 300.00 bullgarë dhe vetëm 220.000 serbë, nga e cila del se ne poshtë jemi pakicë absolute, që në asnjë mënyrë nuk është dashur të lejohet që pas aq viteve sot të bisedohet për këtë.

III. Detyrimet e Inspektoratit Suprem do ishin si vijon:

Që në bazë të kompetencave të gjera nga ana e Qeverisë Mbretërore në intencën e konventës së mësipërme dhe plotësimin e saj, e në lidhje me nevojën shtetërore e kombëtare, duke mos u mbështetur në as çfarë intervenimi partiak-politik, nga cilado anë qoftë ajo.

Në themelimin e këtij Inspektorati Suprem, duhet të kryhet intervenimi para se të hyjë në fuqi konventa (30 qershor 1939), me qëllim që ajo për gjashtë muaj, para fillimit të shpërnguljes, mund të bëjë përgatitjen e organizimit të tërësishëm dhe gjithçka tjetër që i përket shpërnguljes dhe kolonizimin e shpejtë e të suksesshëm që nevojitet.

Meqenëse Konventa për shpërnguljen e shqiptarëve e turqve nga shteti ynë parashikon që duhet shpërngulur 40.000 familje për Turqi, që përbëhen nga së paku 5 anëtarë, duhet vazhduar me tërë fuqinë, që me plotësimin e ri të konventës të parashikojmë edhe shkëmbimin – marrjen e elementit tonë nga Turqia, që numëron rreth 100.000 vetë dhe shpërnguljen e shqiptarëve e turqve të tjerë deri në shpërnguljen e tyre përfundimtare nga Serbia e Jugut, siç e kanë bërë këtë Turqia dhe Greqia.

Shpërngulja duhet kryer në radhë të parë në hapësirën përgjatë brezit kufitar me Shqipërinë, e cila duhet siguruar pa kurrfarë kushti, në mënyrë që dëbimin e shqiptarëve e turqve të kryhet në thellësi prej 80 kilometrash. Nëse merren parasysh se familjet e tyre numerikisht janë më të mëdha, 10 e më shumë anëtarë, atëherë kjo shifër do shkonte nga 200.000 deri 300.000 anëtarë të familjeve dhe me këtë do të arrihej një sukses dukshëm më i madh dhe, në këtë pikëpamje ,do t’i ofrohej mundësia më e mirë realizimit të nevojës kombëtare.

Gjithashtu në pjesën e parë të këtij viti duhet nënshkruar konventë edhe me Shqipërinë dhe duhet sjell elementin tonë nga Shqipëria, që numëron rreth 100.000 vetë, ndërsa njerëzit e tyre (popullsinë shqiptare) në shifrën e njëjtë t’i dëbojmë në Shqipëri, përkatësisht të kryejmë shkëmbim.

Këtë shpërngulje nuk duhet ndërprerë për asnjë çmim, por përkundrazi t’i mundësohet përforcimi i veprimit të deritanishëm të pushtetarëve agrarë në përkufizimin e ndarjes së tokës dhe kolonizimin në Serbinë e Jugut. Nuk duhet harruar edhe faktin se turqit dhe shqiptarët nuk dëshirojnë të shpërngulen. Ata për këtë arsye gjejnë rrugë dhe mënyra që ta pengojnë këtë, mirëpo kjo nuk duhet lejuar të ngelet në gjysmë të rrugës, sepse kjo përbën interesin imperativ shtetëror e kombëtar.

Me shpërnguljen e shqiptarëve dhe turqve nga Serbia e Jugut, do të fitohej toka me ndërtesat për kolonistët. Kjo pronë e patundshme menjëherë duhet t’u jepet në posedim pushtetarëve agrarë, të cilët në marrëveshje dhe bashkëpunim me Inspektoratin Suprem dhe pushtetarët administrativë, do t’ua shpërndajnë tokën elementeve nacionale nga Serbia e Mali i Zi. Këtyre (serbëve e malazezëve që pranonin të vendoseshin të tokat shqiptare) duhet caktuar një afat sa më të shkurtër që të vendosen në pronat e caktuara, si pronarë, por pa të drejtën e shitjes.

Këta dhe kolonistë të tillë do të përforcoheshin shumë shpejtë ekonomikisht, sepse do të merrnin tokë me kualitet të lartë dhe me shtëpi të gatshme, ndërsa pushtetarët agrarë do të jenë të detyruar që kolonistëve me ekonomi të dobët t’u ndihmojnë në blegtori dhe në orendi bujqësore.

Këtu nuk është i nevojshëm kurrfarë përkufizimi sipas dispozitave të Ligjit për Kolonizim nga ana e pushtetit agrar, por menjëherë – përmes rrugës më të shkurtë – drejtpërdrejti të vendosen nëpër shtëpi dhe në pronësi të pronave të caktuara për kolonistët dhe me këtë përfundon vendosja e tyre. Veprim i këtillë është përfshirë edhe në Konventën e arritur me Turqinë.

Në këtë mënyrë në Jug për një kohë të shkurtër do të zgjidhet drejt çështja jonë kombëtare, ndërsa kjo na imponon edhe rrethanat tona të brendshme e të jashtme.

Kjo është rruga dhe mënyra e vetme që të përmirësohen gabimet kardinale në të kaluarën, që na kushtojnë shumë.

III. Mjetet

Të gjitha shpenzimet e këtij Inspektorati të ri Suprem do të mbulohen me buxhetin e rregullt të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kredive të besuara për çështjen shqiptare.

Veçmas mund të merren kredi nga Fondi për Kolonizim i Ministrisë së Bujqësisë.

Këto kredi do t’i kërkojë Inspektorati Suprem përmes një arsyetimi të veçantë, ndërsa lejimi nga ana e Ministrisë së Bujqësisë me insistim të Ministrisë të Punëve të Brendshme, me pëlqim paraprak të Komitetit Ekonomik-Financiar të Ministrit.

  1. Kumoviq, s.r.

Beograd, 23 dhjetor 1938                               Inspektor i Ministrisë Punëve të Brendshme”

*          *          *

 

RAPORT i Peevit, dërguar më 14 tetor 1938 deri te Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë lidhur me padinë e autoriteteve qeveritare shqiptare kundër Qeverisë Turke sa i përket Konventës Turko-Jugosllave për shpërnguljen e 250.000 myslimanëve për Turqi

“R E Z E R VA T

Nr. 338

Zoti ministër,

Lidhur me raportet e mia nga data 19 të shtatorit të kaluar dhe nga i pari, nën nr. 305 dhe 331, e kam nderin të jua përcjell informatën se gjatë bisedës pardje, ministri turk i Policisë më tregoi se cilat janë akuzat e shqiptarëve kundër Qeverisë Turke sa i përket çështjes për arritjen e Konventës Turko-Jugosllave për shpërnguljen e 250.000 myslimanëve nga Jugosllavia për në Turqi. Kështu marrëveshja nuk niset nga një bazë solide, sepse Turqia nuk ka kërkuar nga ajo konventë ta keqpërdorë elementin shqiptar në Jugosllavi, por ka zbatuar politikë në grumbullimin e popullsisë së vet – turq, sepse konsiderohej se në Jugosllavi së paku ka 150.000 /në vend të maksimumit 50.000 siç dëshmojnë faktorët relevantë shqiptarë/.

Nëse ato parashikime tregohen si të pabaza, nuk përputhen me realitetin, nuk do të pranohen 250.000 vetë, por më pak. Gjithsesi se në Ankara janë të pakënaqur me alarmin në Tiranë rreth kësaj çështjeje, i cili alarm dhe pakënaqësi e ka tejkaluar edhe mirësinë turke, në radhë të parë nga personalitete gjysmë-përgjegjëse shqiptare /për shembull në Kongresin e Kishës në Osllo/ për të njëjtën çështje qenë prezantuar memoare dhe u vunë në pah ndërkëmbëza dhe akuza kundër Turqisë, që e ka dëshpëruar Ankaranë. Lidhur me udhëtimin e Mehmet Konicës – për çka bashkëbiseduesi nuk beson se do të jetë së tepërmi i preokupuar dhe se kjo çështje, kryesisht – ai më tha – se Konica mund të ketë pritje të mirë, mirëpo me siguri se ai personalisht do të përmbahet nga përpjekjet publike kundër konventës së njëjtë turko-jugosllave.

Gjatë bisedës së djeshme me deputetë të shquar shqiptarë, ata u shprehën për të njëjtën marrëveshje në kuptimin se disa deputetë kosovarë /për shembull, Jashar Erebara/ kanë për qëllim të diskutojnë në komisionet përkatëse parlamentare ose të bëjnë interpelancë rreth këtij rreziku për elementin shqiptar në Jugosllavi, mirëpo parashikojnë se do të ndërhyjë Qeveria për t’i parandaluar ato manifestime të parapara publike, të cilat do ta shqetësonin Beogradin dhe njëkohësisht do të krijonin bazë për një pakënaqësi nga ana e Qeverisë Italiane.

Duke Ju bindur me kënaqësi Zoti Ministër, pranojeni këtë me respekt të veçantë.

Artikulli paraprakNë Gaza hapet kampi për ndihmë psikologjike për fëmijët viktima të luftës
Artikulli vijuesIbrahimi i drejtohet Ahmetit, pleqëria pranë dhenve do të ishte mirë për ty