Jovanovic: Serbia ta pranojë se e ka humbur Kosovën

Kryetari i Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, Cedomir Jovanovic, u ka bërë thirrje të shtunën autoriteteve qeveritare në Beograd që të pranojnë realitetin e Kosovës.

“Politikanët kanë ikur nga e vërteta me vite, andaj edhe kemi ardhur në këtë pikë të rënies kombëtare… Serbia, më 1999, pas luftës me tërë botën, ka kapitulluar dhe ka humbur të drejtën për të administruar në Kosovë”, ka thënë Jovanovic në një deklaratë të shkruar, transmetojnë mediat serbe.

Ai po ashtu ka thënë se nuk mjafton që në Bruksel të pajtohen Thaçi dhe Dacici ose Nikolici dhe Jahjaga, porse është e nevojshme që të zbatohet politikë e re, e cila do të siguronte paqe të përhershme dhe normalizim reciprok të jetës së serbëve dhe shqiptarëve.

“Është mirë që qeveria bisedon në Bruksel, por është keq që për atë politikë nuk flitet në Serbi, sepse në këtë mënyrë u zvogëlohet e drejta qytetarëve që të kapërcejnë politikën e konfliktit, e cila ka shkatërruar jetët tona”, ka thënë Jovanovic.

Jovanovic udhëheq parti opozitare në Serbi dhe është njëri nga zërat e rrallë që ka pranuar se Beogradi ka humbur të drejtën e qeverisjes në Kosovë.kohaislame

Artikulli paraprakVritet kryetari i inteligjencës irakiane
Artikulli vijuesRamiqi: Do të hyjmë në Parlament