Juncker: Evropa duhet të formojë ushtrinë e saj!

Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian janë takuar sot për të dytën ditë në kryeqytetin letonez Riga, ku diskutuan kryesisht për krizën në Ukrainë.

Shumë nga ministrat mbështesin shpresat për paqe në suksesin e marrëveshjes së fundit për armëpushim të arritur në Minsk, duke thënë se BE-ja duhet të shqyrtojë forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë vetëm në qoftë se marrëveshja shkelet rëndë.

Po ashtu, ministrat ngritën shqetësimet në lidhje me një ofensivë të mundshme separatiste në qytetin port të Mariupolit, ku forcat e të dyja palëve po forcojnë pozicionet.
Megjithëse armëpushimi i arritur muajin e kaluar kryesisht është respektuar, Kievi dhe separatistët pro-rusë kanë akuzuar njëra-tjetrin për dhunën.

Rebelët pro-rusë thanë sot se kanë përfunduar tërheqjen e armëve të rënda nga vijat e frontit, në përputhje me kushtet e marrëveshjes së arritur.

Siç bëjnë të ditur mediat botërore, shefi i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker u ka propozuar vendeve anëtare të BE-së që BE-ja duhet të themelojë armatën e saj të përbashkët- armatë kjo e cila nuk do të ishte konkurrencë e Aleancës së NATO-s por do të ishte një pjesë “plotësuese” e saj- gjithsesi me struktura të pavarura komanduese dhe ushtarake. kohaislame
Artikulli paraprakLondër: Euro në nivelin më të ulët që prej 11 vjetësh
Artikulli vijuesQytetarët të habitur nga neni që nuk ua vazhdon afatin e Patentë-Shoferëve