JUST FOR KOSOVA

Shkruan: Ekrem Avdiu

 
Në gjithë hallakatjen e kësaj që servohet dhe që na ka pushtuar tashmë, është shumë vështirë, të mos ketë diçka që bëhet enkas për neve. Në të vërtetë, njeriu ka prirje të dëshirojë që të bëhet i veçantë me diçka, por ai që është i prapambetur këtë prirje e kupton si dëshirë për tu veçuar sidoqoftë, me çfarëdo çmimi, gjë që është gabim i madh. Nuk duhet gjithnjë të jemi ndryshe prej të tjerëve. Dallimi duhet të bëhet vetëm atëherë kur e shohim se e keqja ka marrë përmasa të mëdha dhe shqetësuese. Shqetësimi ynë, në atë rast duhet të jetë i orientuar kah mënyra e gjetjes së rrugëdaljes nga e keqja që i ka përfshirë (apo mund t’i përfshijë) shumicën e njerëzve përreth nesh.

 
Në të vërtetë identiteti i njeriut (individ apo bashkësi) do të thotë dallim prej të tjerëve dhe ai identifikohet me ato gjëra që e bëjnë të dallohet prej tyre. Nëse ai i nënshtrohet shabllonit, i cili në mënyrë shumë agresive, nëpërmjet globalizimit, ka përfshirë pjesën më të madhe të botës, ai me vullnetin e vet ka hequr dorë nga identiteti vetanak. Kjo paraqet dështim dhe humbje, por kur kjo ndodh pasi që është bërë sakrificë e madhe për ruajtjen e identitetit, e më pas hiqet dorë prej tij pa pasur ndonjë zor, humbja bëhet edhe më e madhe dhe dështimi rrënues bëhet edhe më i rëndë. Ekzistojnë disa gjëra që të bëjnë të përftosh përshtypjen se janë duke u prodhuar dhe servuar vetëm për ne këtu në Kosovë. Një produkt i tillë, krejtësisht i padukshëm, është ngulitur thellë në mendjen e disa njerëzve që jetojnë këtu. Mjerisht janë shumë ata që mendojnë se progresi arrihet në imitimin e të tjerëve, gjë që përbën thelbin e një mentaliteti të përdalë, edhe në rastin kur ata të cilët imitohen janë nga pjesa e përparuar e botës. Fatkeqësia qëndron në imitimin gjysmak, tmerrësisht negativ nga ana e të prapambeturve që u bëhet “përparimtarëve”.

 
Mendjelehtit mendojnë se kultura është në trendin në të cilin është shumë e vështirë të përcaktosh në duhet ta quajmë si gjysmë veshje apo gjysmë lakuriqësi. Ka humbur balansi dhe orientimi për nga vlerat dhe për nga e bukura, aq sa në vend që të zbulohen mendjet, zbulohen kërthizat, përderisa diçka e tillë i trumbetohet progresit. Nganjëherë disave u duket se janë vonuar në çoroditje, andaj me nxitim të madh kanë marrë rrugën e shfrenimit sa që, edhe ata që mbajnë bajrakun në çoroditje janë ndalur dhe çuditen me ta. Nganjëherë të shkon mendja se ndoshta edhe vetë shejtani po mëson prej të këtillëve. Fatkeqësia më e madhe në këtë lajthitje të pa precedent, është ajo që të bën të qeshësh fakti, se si një situatë e rëndë si kjo përfitohet si festë kolektive.Të qeshësh nga frika, se po të derdheshin lotët që duhen derdhur për situatën ku jemi, kam frikë do shkaktojnë ndonjë vërshim të madh! Ndërsa njeriu ecën nëpër rrugët tona, nga i gjithë pluraliteti i çoroditjeve që hasim përreth, të krijohet përshtypja se njëmend e gjithë ajo që përbën ofertën e tregut, është duke u prodhuar enkas për Kosovën. Këtë, madje, e vërtetojnë edhe bilbordat gjithandej nëpër Kosovë: JUST FOR KOSOVA.

 
Nuk do të ishte shumë shqetësuese sikur ato mbishkrime të mos shoqëroheshin nga pamje në ato reklama, për të cilat më së paku që mund të thuhet është se janë të pakuptimta. Kërthiza, tatuazhe, fokusim i pjesëve të turpshme, shpesh herë nga prapa e sidomos funde shumë të shkurtra të femrave. Dhe prapë ndonjë kërthizë… Çfarë të keqe ka në gjithë këtë, dëgjohet ndonjë zë jo rrallëherë i fuqishëm, por gjithnjë i paarsyeshëm. Por, çfarë e keqe duhet të ndodhë më e madhe se sa që fëmijët tanë të edukohen në kësi pamje dhe të rriten duke i parë ato për çdo ditë? A nuk asocojnë, në të shumtën e rasteve pamjet e tatuazhit të theksuar, në “gjëra” përcjellëse si: droga, vjedhjet, plaçkitjet, vrasjet…? Çfarë të keqe, madje, kishte pamja shumë irrituese e pjesës më të turpshme të pesë femrave, të cilat në mënyrë shumë nënçmuese patën vërshuar në vendet më të dukshme të rrugëve të Kosovës? Dhe për çka: për të reklamuar një body lossion, apo diçka të ngjashme? Edhe kjo, sigurisht, ka qenë nga pjesa e produksionit, atëbotë, akoma i pashpallur JUST FOR KOSOVA. Këto ditë ndodhi edhe një fatkeqësi qesharake, nga ato më të këqijat. Dikush pyeste: a më mirë është të jesh HIV pozitiv, apo HIV negativ. Njerëzit përgjigjeshin në mënyra të ndryshme.

 
Disa, që nuk dinin, duke u nisur nga logjika se pozitivja gjithnjë është e mirë, pohonin se më mirë është të jesh HIV pozitiv. Është qesharake, por nuk është shumë e turpshme. Së paku jo aq e turpshme sa është të qenit i infektuar me virusin e inferioritetit flagrant, i cili disa njerëz i ka zhveshur nga çdo vlerë dhe i ka privuar nga çdo e mirë. Turp dhe marre është që njeriu të jetë i infektuar me virusin e çoroditjes morale, shfrenimit dhe paturpësisë. Ndërsa sëmundja fizike, qoftë ajo edhe nga ato më të rëndat, nuk e prek dhe nuk është rrezik për shpirtin e njeriut. Së paku jo, nëse ai i shkreti, të paktën nuk e ka merituar që të jetë i infektuar, qoftë edhe me HIV. Shumë e freskët është në kujtimet tona koha kur mburreshim me kompaktësinë e familjes kosovare, me dëlirësinë dhe ndershmërinë e rinisë, me turpin e vajzave. Fatkeqësisht, ajo është vetëm një kujtesë e ëmbël e një kohe shumë të afërt, por e cila nuk është më. Krejt kjo, JUST FOR KOSOVA.

Qershor, 2007

Artikulli paraprakBerisha-Hysaj e Cana mes 100 më të mirëve të Europës
Artikulli vijuesPër ballin e kombit