Kalaja e Musait

Kalaja e Musait
Gjëja e cila forcon më së shumti vullnetin, vendosmërinë, zellin dhe që e pajis njeriun me energji të reja gjithmonë është kur ka një ëndërr që kërkon ta përmbushë. Ëndrra është energji, është arsye dhe është jetë. Njeriu pa ëndrra është i vdekur.
Musai është një qytetar nga Libani. Vegjëlinë ai e ka kaluar në Xhebel Lubnan, një rajon shumë i varfër dhe me një mijë e një probleme.
Kur ishte akoma në shkollën fillore, mësuesi i vizatimit u kërkoi që të vizatojnë diçka të cilën nxënësit do të donin ta kenë në të ardhmen. Dikush kishte vizatuar një kamion, pasi donte të bëhej shofer. Dikush tjetër kishte vizatuar një murator, pasi donte të merrej me ndërtimin e pallateve. Ndërkohë që mësuesi kalonte sa nga një tavolinë tek një tjetër duke ndjekur nxënësit e tij, u ndal tek tavolina e Musait, i cili po vizatonte një kështjellë të madhe, mbi një mal të Libanit, e rrethuar me gjelbërim dhe pemë të shumta. Veç këtyre, ai kishte vizatuar veten e tij në hyrje të kështjellës, mbi muret e të cilës kishte shkruar emrin e pronarit të saj, Musa… pra veten e vet. 
Mësuesi rrudhi buzët dhe pasi i tërhoqi veshin i tha:”Shtriji këmbët aq sa ke jorganin!” Sakaq, nxënësit e tjerë që e panë vizatimin e përqeshën dhe vunë në lojë Musain e vogël. 
Musai e la mënjanë tërheqjen e veshit dhe talljet e shokëve të tij, duke u betuar se ëndrrës së tij do i shkojë gjer në fund. Tregon ai vetë:”Pasi përfundova studimet universitare, fillova të punoj në një restorant, ku kurseja dhe qindarkën më të vogël për të përmbushur ëndrrën time të madhe. Unë doja të bëhesha medoemos pronari i asaj kështjellës e cila do të kishte shumë vizitorë. Shumë detaje i kisha të paqarta. Pas disa vitesh punë, arrita të mbledh një shumë për të blerë pak tokë, sigurisht larg kryeqytetit, pasi për në Bejrut as që bëhej fjalë. Ai gjeti një vend shumë të largët dhe sigurisht shumë të lirë, bëhej fjalë për një majë kodre të lartë. Pronari i tokës e mori për të çmendur që donte të blejë atë vend aq larg, prandaj dhe i dhuroi dhe ca dynymë më shumë. Musai vazhdoi punën e tij të zakonshme në restorant edhe për dy tre vite të tjera. Gjatë kësaj kohe, ndodh diçka e pazakontë. Një këngëtare shumë e njohur në Liban organizon një koncert madhështor mu përballë kodrës së Musait. Disa muaj më vonë ngritën dhe një teatër veror në atë zonë dhe filluan aktivitetet të ndjekin njëri-tjetrin. Kjo bëri që edhe çmimi i tokës në atë zonë të ngrihej. Musai vendosi të shesë gjysmën e tokës së tij dhe me paratë të ndërtojë kështjellën e tij në gjysmën tjetër të mbetur. 
Ai e shiti gjysmën e tokës dhe filloi veprimet për të ndërtuar kështjellën e tij aq shumë të dëshiruar.
Mund të thuash se e gjitha kjo i ndodhi rastësisht! Ndoshta, por mos harrojmë se Zoti ua hap dyert e suksesit të gjithë atyre që duan ta arrijnë diçka, hedhin hapa konkretë dhe e ushqejnë imagjinatën e tyre me ambiciet dhe ëndrrat që kanë për të ardhmen.
Musai e ndërtoi kështjellën e tij dhe brenda saj vendosi një muze prej dylli, ku janë krijuar heronjtë legjendarë të historisë njerëzore. Njerëz nga të katër anët e Libanit por dhe turistë të huaj shkojnë të vizitojnë kështjellën e Musait. Ai përmbushi ëndrrën e tij fëmijnore por dhe u pasurua nga kjo vepër.
Në sallën e parë kur hyn në kështjellë, gjen të punuar me dyll një klasë me nxënës dhe mësuesin e tyre. Në klasë është dhe Musai i vogël i cili ka vizatuar kështjellën e tij. Po në këtë klasë ai ka shkruar me shkronja të mëdha:”Ëndrra nuk vdes kurrë!”

Elmaz Fida

Artikulli paraprakLidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë inauguron dy xhami
Artikulli vijuesEmigrantët nuk kanë nevojë për lotët tona; kanë nevojë që ne mos I bëjmë ata emigrantë!