Kaosi

Sulejman Rexhepi
Terorizmi është dhunë, por për cilën dhunë mund të themi se nuk është terorizëm, cila dhunë është “e mirë” dhe cila është “ e keqe” ? A është terorizmi ynë i arsyeshëm kurse terorizmi I të tjerëve ndaj neve-një vepër e tmershme ? Cka e definon terorizmin ?
Lexova diku se sipas një hulumtimi që kanë bërë ekspertët të cilët e studiojnë dhe analizojnë terorizmin në përgjithësi, ekzistojnë tamam 109 definicione për terorizmin. Pra, fakti që në botë ka aq shumë definicione për terorizmin, do të thotë se ekzistojnë po aq qëndrime ndaj kësaj të keqe që po e dridh botën.
Sidoqoftë, terorizmi është shprehja mëe përdorur kohëve të fundit, por mbetet e hapur pyetja – a e kuptojnë atë shprehje të gjithë që po e përdorin. A e kanë të qartë se ç’ do të thotë terorizmi dhe çka e shkakton atë, a duhet dalluar teroristët sipas ideologjisë të cilës i përkasin dhe sipas metodave dhe qëllimeve që kanë.
Dhe, mbi të gjitha, a e kemi të qartë të gjithë ne se duhet pasur qëndrim të njejtë ndaj çdo lloj terorizmi. Sepse, nëse i selektojmë dhe klasifikojmë qëndrimet ndaj këtij rreziku që po përhapet maramendshëm, kotë diskutojmë dhe analizojmë terorizmin. Ato diskutime mbeten vetëm çështje propaganduese dhe apologjetike.
Terorizëm apo guerilë
Parisi, Ankaraja, Stambolli, Brukseli. Të gjitha këto qytete u gjakosën nga teroristët dhe në të gjitha ato, viktimat ishin të pafajshmit. Me të drejtë, Parisi dhe Brukseli bënë bujë në opinionin botëror dhe me fatkeqësinë e tyre u solidarizua bota. Por, pa të drejtë, aktet teroriste në Turqi, anipse të intensitetit të njejtë dhe ndoshta me pasoja edhe më tragjike, kaluan në opinionin botëror shumë më padiktueshëm. Për të qenë sarkazma dhe selektiviteti edhe më I theksuar, dikush tha se “Në Turqi bëhet fjalë për aksione guerile dhe viktimat ishin dëm kolateral…”.
Të eksperimentosh me qëndrimin ndaj një akti terrorist dhe t’a kualifikosh atë në mënyrë arbitrare, përfundimisht do të thotë që te njëra palë, ciladoqoftë ajo, të shkaktosh pakënaqësi. Nëse kësaj ia shton edhe atë frazën e njohur se “ Ajo që për dikë është terorizëm, për tjetrin është luftë për liri” që tamam e shpreh relativitetin politik të shprehjes “terorizëm”, qartësohet se me çfarë problemi po ballafaqohet bota.
Terorizmi është dhunë, por për cilën dhunë mund të themi se nuk është terorizëm, cila dhunë është “e mirë” dhe cila është “ e keqe” ? A është terorizmi ynë i arsyeshëm kurse terorizmi i të tjerëve ndaj neve-një vepër e tmershme ? Cka e definon terorizmin ?
Duke e shkruar këtë tekst, më rastisi të shoh një video prekëse që po qarkullonte në internet. Një ushtar izraelit, me gjakftohtësi po ekzekutonte një palestinez të plagosur e të shtrirë për toke. Palestinezi, sipas izraelitëve kishte qenë “terrorist” sepse paskësh sulmuar me thikë një ushtar të tyre. Ama, Palestinezët ishin të bindur se djaloshi është luftëtar I lirisë, kurse izraelitët janë teroristë. Sidoqoftë, djaloshi I plagosur u ekzekutua me plumb në kokë, pa ndonjë nevojë të dukshme, ndërkohë që dilema po thellohet: Pse dhuna e njërës palë kundër armikut quhet thjeshtë një “aksion” ose “sulm”, kurse kundërpërgjegja e të sulmuarit doemos emërtohet si “terorizëm” ?
Nën hijen e sulmeve të tmershme teroriste që po ndodhin çdo ditë e po kanosen të shtohen në sasi e intensitet, njerëzit e vetëdijshëm medoemos duhet të kërkojnë psenë e tyre dhe të përpiqen të gjejnë mënyra për t’a parandaluar. Me faktin që disa individë ose grupe do i quajmë “teroristë”,ne automatikisht i vendosim ata jashtë normave të sjelljes normale, aq më tepër edhe i dehumanizojmë. Dhe, mjerisht, kështu nuk kemi bërë asnjë hap tutje, asgjë për të parandaluar terorizmin.
E ata, teroristët pra, të zhytur në urrejtjen e tyre, të lajthitur, sipas informacioneve që kohë pas kohe arrijnë deri te opinioni, po vazhdojnë të kërkojnë forma dhe mundësi të nduarnduarta për të shkaktuar kaos e frikë edhe më të madhe. Ata synojnë të shtien në dorë bile edhe armë për shkatërrim masiv , kurse veprimet e tyre të deritanishme thonë se nuk do të nguronin fare që t’I përdorin ato.
Cila është rrugëdalja
Jo një herë kam shkruar kundër terorizmit, në veçanti kundër atij që dëshiron të veshë vehten me petkun e Islamit. Nuk do pranoj asnjëherë që njerëz të pafajshëm të vriten në emër të Allahut sepse ky është mëkati më i madh dhe më i dënueshëm nga Krijuesi ynë. Këtë bindje kam unë.
Por, askush nuk mund të mohojë faktin se luftërat në Lindje e krijuan dhe e lëshuan nga zinxhiri një përbindësh i cili gjithnjë e më vështirë po mund të kontrollohet. Për momentin, numri i luftëtarëve të ISIL në Irak e Siri vetëm po shtohet. Numri i njerëzve të gatshëm të shkojnë në aksione vetëvrasëse, poashtu. Paralelisht me këtë, mbi katër milionë njerëz janë zhvendosur vetëm nga Siria, prej të cilëve një numër i madh po ia mësyejnë Europës duke shkaktuar krizë humanitare të pa parë.
Sa ironike po tingëllon por ja që pikërisht këtë situatë kaotike e kishin paraparë dikur Gadafi dhe Asadi dhe këtë po e thoshin në paraqitjet e tyre në fillimet e krizës. Kuptohet askush nuk ua varte veshin dy diktatorëve të urryer, më së paku shërbimet e huaja inteligjente. Sidoqoftë, terori dhe terorizmi, siç thoshin diktatorët, na erdhën në prag të derës. Si do I bëhet halli ?
Duhet pranuar se intervenimet ushtarake historikisht nuk kanë treguar ndonjë sukses në parandalimin e terorizmit. Dhe, nuk po tregojnë ndonjë sukses të madh as aktualisht. Prandaj, duke e parë se terorizmi nga vatrat e krizës po eksportohet jashtë, nuk janë të paktë zërat që po insistojnë se
ndoshta ka ardhur koha që këtij problem ti gjendet një zgjidhje politike. Sepse, problemi në esencë është kryekëputë politik, ai nuk është kombëtar dhe kursesi nuk është fetar.
E thashë në fillim të këtij teksti se bota as definicionin nuk po mund t’ia përcaktojë terorizmit. Si do e prandalojë dhe si do e prevenojë atë, mbetet të shohim. Të gjithë ne, muslimanët në veçanti, duhet të ndihmojmë në gjetjen e zgjidhjes sepse kemi obligim të heqim këtë njollë të zezë që po përhapet në trungun tonë.Bota është në kaos, e Allahu nuk e do kaosin
Për t’a kompletuar këtë muhabet, jam i detyruar me këtë rast të përmend se në kohët kur, po shpresojmë të gjithë bashkërisht të parandalojmë përhapjen e terorizmit, del njëfarë shqiptari që quheshka Genard Hajdini(sipas mbiemrit duket të jetë musliman, por inshallah nuk është) dhe i bie shqelm angazhimit të tërësishëm të ulemasë islame shqiptare. Ky njeri që pretendon se ka kryer funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë paska deklaruar se “pasardhësit e profetit Muhamed janë armiq të cilët duhet të luftohen nga të krishterët”, duke i bërë njëherësh përgjegjës për sulmet terroriste në Bruksel. Jazëk të qoftë Genard Hajdini.

Artikulli paraprakRrëzohet një helikopter ushtarak në Algjeri, 12 të vdekur
Artikulli vijuesA janë myslimanët terroristë?