Katari dhe Turqia kërkojnë ndërhyrjen emergjente e OKB në Siri

Dy ministrat e jashtëm të Katarit dhe të Turqisë, janë treguar të ashpër ndaj qëndrimit pasiv të bashkësisë ndërkombëtare ndaj krizës dhe vuajtjeve të popullit sirian. Ata kanë kërkuar ndërhyrje emergjente të OKB dhe të Këshillit të Sigurimit për ndaljen e gjakderdhjes së sirianëve nga ana e regjimit të Asad, si dhe dërgimin e ndihmave humanitare për popullatën e rrethuar.

Gjatë konferencës “Cila stinë do të vijë në rajonin e Lindjes së Mesme” në Mynih, ministri i jashtëm i Katarit kërkoi që të përcaktohej kush ishin ekstremistët, kur bëhet fjalë për ndihmën që u jepet ekstremistëve të Sirisë. Ai tha:”A nuk është ekstremist ai që hedh fuçi me lëndë plasëse, gjë e padëgjuar kjo më parë dhe që askush nuk e di çfarë ndikimi shkatërrues kanë mbi fëmijët dhe gratë shtatëzëna?”
Ai e mbrojti qëndrimin e vendit të tij në mbështetje të opozitës siriane, duke shtuar se populli sirian e ka ruajtur në kujtesën e tij të përhershme këtë kontribut.
Sakaq, ministri i jashtëm turk, e ironizoi temën e konferencës, duke thënë:”Nuk ka asnjë vlerë për popullin sirian të cilin regjimi po e vret me raketa, armë kimike dhe uri. Populli sirian nuk njeh asnjë stinë viti, nuk njeh as diell as shi, sepse vdekjen e ka para syve.”
Ai tha se bashkësia ndërkombëtare dështoi më parë në Bosnje, gjë të cilën po e përsërit edhe në Siri, ku janë vrarë me mijëra njerëz, pa e detyruar kjo KS të nxjerrë qoftë dhe një rezolutë të vetme. /aonline/kohaislame

Artikulli paraprakKosova kthehet me Medale nga Kampionati Botëror për Fëmijë
Artikulli vijuesKosovë, e dëgjon ezanin për herë të parë në jetë. *Emocionale