Katër, shtatë apo tridhjetë? Sa gra i lejohet të marrë muslimani?

0
2103

Shpesh dëgjojmë të flitet për poligaminë në Islam nga ku thuhet se muslimanit i lejohen deri në shtatë gra e nga ku na del se për çdo ditë të javës duhet të vizitojë njërën grua?! Mirë që nuk kanë caktuar për çdo ditë të muajit se atëherë do na lejonin deri në 30?!

Mirëpo ajo që shumë njerëz nuk e dinë është fakti se poligamia është e vjetër po aq sa njerëzimi. Në fakt Islami në një farë mase e ka luftuar poligaminë dhe këtë nuk e themi për t’i bërë qejfin trendit bashkëkohor, por thjesht për të sqaruar një princip të fesë. Ja kush janë disa argumente të faktit që Islami e ka kufizuar dhe nuk e ka parapreferuar poligaminë:

  1. Poligaminë nuk e solli Islami por e gjeti zakon tek arabët.
  2. Islami e kufizoi poligaminë, pasi Profeti a.s i tha Gilanit, një personi i cili kur hyri në islam ishte martuar me dhjetë gra: ‘’Mbaj katër dhe divorcoji të tjerat’’.
  3. Së treti vet në Kuran thuhet: Zoti nuk i ka dhënë asnjë njeriu dy zemra në kraharor (Ehzab : 4) Një nga interpretimet që i kanë bërë këtij verseti në Kur’an është se Zoti njeriut i ka dhënë një zemër e për rrjedhojë ai vetëm një grua mund të dashurojë.

Atëherë – mund të ngre pyetjen natyrshëm dikush – meqë Islami e kufizon poligaminë dhe nuk e preferon atë, pse e ka lejuar atë?

Arsyet e kësaj i sqaron konstitucionalisti dhe një ndër emrat plejadës së jurisprudencës bashkëkohore islame, Dr. Mustafa Buga i cili thotë në librat e tij kur trajton poligaminë:

’Poligamia ka qenë një domosdoshmëri njerëzore, e cila pavarësisht kësaj, ajo lejohet me kritere të rrepta. Por fillimisht le të flasim për funksionin e poligamisë:

Së pari: Ajo është e këshillueshme në raste luftërash, dhe sa të shumta janë luftëra ka bërë njeriu, për shkak të cilave burrat vriten ose bëhen të paaftë për t’u martuar, kështu në mënyrë që të ruhet riprodhimi, lejohet poligamia.

Së dyti: Në rastet e infertilitetit të femrave. Nëse mashkulli martohet me një femër e cila rezulton infertile, atëherë ai nuk mund ta divorcojë atë, sepse së pari askush nuk do ta merrte më për grua atë femër dhe së dyti ajo femër do të gjente metoda të tjera alternative për të përmbushur nevojat biologjike. Shpesh edhe prostitucionin. Në këtë rast burri mund të martohet me një grua të dytë që të riprodhohet dhe ta mbajë të parën. Pra poligamia edhe kësaj here shërben për të ruajtur dinjitetin e gruas së parë.

Së treti: Këshillohet për njerëzit me influencë në shoqëri, siç janë politikanët, të cilët e kanë të nevojshme psikologjikisht ushtrimin e influencës së tyre dhe që poligamia mund t’ia reflektojë këtë nevojë psiko-emocionale. Po ashtu, një tjetër kategori që përfshihen këtu mund të jenë biznesmenët të cilët kanë marrëdhënie tregtare me vende të ndryshme dhe që i duhet të qëndrojnë për një kohë të gjatë atje shpesh edhe me muaj. Martesa me bijat e shtetit ku tregton mund ta ndihmojë në njohjen e traditave, kulturës, gjuhës, etj. Shkurt i vjen në ndihmë si për punën si për anën e vet psiko-biologjike’’. Mbaroi me disa modifikime.

Si përfundim kriteret që vendos Islami për poligaminë janë të tilla saqë pjesa dominante e shoqërisë nuk mund t’i zbatojë, si për shembull çdo bashkëshorte të ketë shtëpinë e saj, që bashkëshorti të martohet me një grua tjetër duhet të marrë konfirmimin e bashkëshortes, të jetë i drejtë dhe i barabartë bashkëshorti me të gjitha gratë në çdo dimension, etj.

Tani dikush mund të thotë: ‘’E morëm vesh poligaminë për burrat, po për gratë pse nuk lejohet poligamia?”

Pyetje me vend, por siç do ta shohim nuk është e drejtë. Kjo për arsyen e thjeshtë se poligamia nuk mund të lejohet për gratë për arsye fizionomike. Nëse një femër e martuar me katër burra lind një fëmijë, atëherë kush do të ishte babai fëmijës? Ndërsa nëse mashkulli bën katër fëmijë, me çdo grua nga një të tillë, atëherë fëmija që lindë do të ketë edhe nënë edhe baba, ndryshe pra nga rasti i parë që do të kishte një nënë, por që nuk do të dihej me egzaktësi se cili është babai.

Siç e shohim pra, poligamia konsiderohet një antidot për raste të caktuara sociale dhe që shpesh janë të nevojshme, në të kundërt mbetemi tek origjina, pra monogamia. Islami nxit për një familje të shëndoshë dhe harmonike, prandaj parapreferon monogaminë, ndërsa poligaminë e nxit në raste kur rrezikohet krijimi familjeve të reja për shkak të sterilitetit të femrave, për shkak të ezaurimit të meshkujve në raste luftërash, për raste specifike që i përmendëm, etj. Poligamia është e hidhur, sepse shërben si ilaç. Monogamia është rregulli, poligamia përjashtimi.

Përgatiti: Enklid Pelari – /tesheshi.com/