KEDS plaçkit mbi 700 xhami?

0
202

Mbi 700 xhami, 1147 shkolla dhe 30 kisha anekënd Kosovës KEDS dhe ZRrE i trajtojnë si biznese. Ato paguajnë rreth 50 për qind më tepër se konsumatorët tjerë, pavarësisht se nuk bëjnë kurrfarë biznesi. BIK ndihet i ofenduar dhe kërkon që të lirohen krejtësisht nga pagesa sikur në shumë vende tjera të botës.

Ezanit të Myezinit në xhaminë Haxhi Ibrahim Devolli në Pejë, po i gëzohet shumë bullgari George Karagutoff. Ai nuk falet, e as nuk i përgjigjet kësaj thirrje për lutjet e besimtarëve myslimanë. Por, në mënyrën e vet duket se lutet që Myezini ta zgjasë sa më shumë të jetë e mundur thirrjen e tij me autoparlant.

Për kompaninë që ai drejton xhamia nuk është vetëm një objekt fetar, por një biznes që i paguan çdo muaj një shumë të konsiderueshme të parave konzorciumit turk “Calik&Limak”. George Karagutof është drejtor i përgjithshëm i KEDS-it në Kosovë. Ndërsa, sa më shumë vihet në funksion autoparlanti i “shtëpisë së Zotit” aq më shumë shpenzohet energji elektrike, të cilën KEDS e faturon me tarifë të biznesit.

Fatura e fundit për muajin dhjetor në xhaminë Haxhi Ibrahim Devolli në Pejë, ka ardhur rreth 370 euro. Myezini i kësaj xhamie Gazmir Sahara tregon se kjo shumë është faturuar vetëm për një nxemje që kanë përdorur xhemati për të ngrohur hapësirën 100 metra katror.

“Sikur ti kishim aktivizuar të dyjat, sigurisht deri ka 700 euro kish shku fatura”, thotë ai.

Në këtë xhami, përveç nxemjes, dritave dhe zmadhuesve për ezan nuk ka ndonjë aparat tjetër që punon me rrymë. Ky institucion fetar nuk është i vetmi që paguan energjinë elektrike sikur të ishte biznes. KEDS ngjashëm i faturon të gjitha xhamitë në territorin e Kosovës, objektet edukativo arsimore, ashtu sikur edhe kishat e objektet tjera përcjellëse.

Këtë e konfirmon edhe zëdhënësi i KEDS, Guri Shkodra, duke bërë të ditur se institucionet fetare në Kosovë në përgjithësi janë pagues të rregullt të energjise elektrike. Ndërkaq, faturimi i energjisë së shpenzuar për ta zbatohet për çdo periudhë të faturimit duke u bazuar në të dhënat e lexuara nga njehsori, për konsumatoret me tarifa të rregulluara në bazeë të tarifave të miratuara nga ZRrE. /gazetafjala.com/