Kërcënimet e Qeverisë së Gruevskit Ndaj Deputetëve

Një bisedë e re, e publikuar nga opozita maqedonase, që pretendohet se është zhvilluar mes kryeministrit Gruevski dhe koordinatores së partisë, akuzon se deputetët mbaheshin nën fre me kërcënime financiare.
 
Një përgjim i publikuar, i cili përmban atë që pretendohet të jetë zëri i kryeministrit dhe liderit të partisë VMRO DPMNE, Nikola Gruevski, konfirmon pretendimet se deputetët nga partia qeverisëse duhej të firmosnin deklarata boshe të dorëheqjes, që mund të aktivizoheshin nëse ata nuk ndiqnin udhëzimet.
 
Në një bisedë midis atij që duket se është Gruevski dhe koordinatores së grupit parlamentar të VMRO DPMNE, Silvana Boneva, të dy diskutojnë një skemë që është pretenduar gjerësisht se ekzistonte – por që deri më tani nuk ishte provuar.
 
Të dy diskutojnë mungesën e shpeshtë të deputetëve të partisë në seancat plenare dhe se si do t’i ndëshkojnë.
 
“Le të fillojmë aktivizimin e dorëheqjeve. Si thua?” pyet Gruevski Bonevën, duke shtuar: “Ata i kanë dorëzuar dorëheqjet me shkrim. Le t’i aktivizojmë”.
 
“Mundemi. Ata e tepruan,” përsërit Boneva. “Duhet t’i mbledhësh të gjithë dhe t’i thuash që i kanë shkruar dorëheqjet dhe nëse nuk duan të punojnë, do të aktivizohen menjëherë”.
 
Në bisedën e zbuluar nga partia opozitare e Social Demokratëve, SDSM, Gruevski dhe Boneva gjithashtu diskutojnë nëse në një rast të tillë deputetët mund të tërheqin dorëheqjen e tyre.
 
“Epo, ata mund ta bëjnë këtë, nëse nuk u vjen turp përpara njerëzve. Ata mund të vijnë në një seancë dhe të thonë “nuk jam dorëheqjen”, shpjegon Boneva. Gruevski atëherë mendon për një zgjidhje më të mirë për të parandaluar këtë mundësi.
 
“Ne mund ta rregullojmë punën e dorëheqjes ndërkohë që janë në një udhëtim. Atëherë le të vijnë dhe t’ua shpjegojmë,” sugjeron zëri i Gruevskit.
 
Përgjimi i zbuluar këtë javë në konferencën e fundit të opozitës të dedikuar çështjes së mbikëqyrjes ilegale në Maqedoni.
 
SDSM ka akuzuar kryeministrin dhe liderin e partisë qeverisëse Gruevski se ka orkestruar mbikëqyrjen e 20,000 njerëzve. SDSM thotë se e ka marrë materialin nga burimet brenda shërbimeve sekrete maqedonase.
 
Gruevski ka këmbëngulur se përgjimet janë krijuar nga shërbime të huaja në bashkëpunim me opozitën që të destabilizojnë vendin.
 
Disidenti i VMRO DPMNE, Jove Kekenovski – që ka kërkuar prej kohësh që anëtarët e partisë dhe simpatizantët të distancojnë veten nga Gruevski, thotë se mekanizmat e kontrollit të partisë janë ndoshta më të rëndë nga sa zbulojnë bisedat.
 
Ai thotë se deputetët dhe zyrtarët e partisë janë gjithashtu të detyruar të nënshkruajnë dokumente për të rënë dakord të konfiskohen asetet dhe pronësitë e tyre nëse bëjnë parregullsi.
 
“Kjo praktikë duhet ndaluar. Këto janë spekulacione të forta, që unë supozoj se do të zbulohen së shpejti, se shumica e deputetëve duhej të nënshkruanin si premtim për pronësitë e tyre,” tha ai.
 
“Kjo tregon qartësisht se partia politike po përpiqet me çdo mënyrë të mundshme ta mbrojë veten nga veprimet individuale të deputetëve në të ardhmen. Kjo pengon pavarësinë dhe autonominë e deputetëve,” tha Kekenovski.
 
Ai ishte një kandidat i VMRO DPMNE në zgjedhjet presidenciale. Megjithatë partia zgjodhi një tjetër kandidat që është aktualisht në detyrë, Gjorge Ivanov.
 
Një legjislator i dyshuar i VMRO DPMNE tha për Deutsche Ëelle e Gjermanisë nën kushtet e anonimitetit, se një skemë e kontrollit mbi deputetët në fakt ekziston. Ai tha se ishte detyruar të nënshkruante një sekuestrim të mundshëm të 300,000 eurove.
 
“Ata më shpjeguan se kjo ishte për të mbuluar shpenzimet e partisë që kishte investuar në fushatën time zgjedhore,” tha ai në tekstin e publikuar më 10 mars.
 
Pretendimet janë të vështira për t’u provuar sepse asnjë deputet nuk ka dalë nga udha e partisë për të provuar masat.
 
Çështja u ngrit në 2009 në parlament kur Tito Petkovski, kreu i partisë së vogël opozitare të Social Demokratëve të Rinj, bëri mocion për të ndryshuar ligjin në mënyrë që deputetët të mos nënshkruanin garanci financiare për partitë politike.
 
Boneva, zëri i së cilës dëgjohet në përgjim, e hodhi poshtë mocionin si të panevojshëm dhe fyes.
 
“Kjo krizë do të zgjidhet me largimin e Gruevskit. Por nëse deputetët nuk heqin dorë prej këtij obligimi, ata nuk do të votojnë kurrë për largimin e tij,” tha ish-kryetari i parlamentit Stojan Andov.
 
“Këto obligime nuk kanë vlefshmëri ligjore, por i mbajnë deputetët në frikë. Kjo është arsyeja përse duhet të shmangin kushte të tilla,” tha Andov për median.kohaislame
Artikulli paraprakHoxhë Bekir Halimi – El Clasico: Ejani edhe në XHAMI (VIDEO)
Artikulli vijuesPranvera rikthen kërkimet për gjetjen e të zhdukurve gjatë luftës