Varri në kërkim prej 120 vitesh i Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, një prej sovranëve më fuqishëm të Perandorisë Osmane, është gjendur në një lokalitet pranë Kështjellës së Zigetvarit në jug të Hungarisë.
Falë hulumtimeve të përbashkëta turko-hungareze, që filluan në vitin 2012 me nismën e Agjencisë Turke të Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA), është zbuluar se organet e brendshme të Sulltan Sulejman Ligjbërësit, i cili ndërroi jetë gjatë Rrethimit të Zigetvarit në vitin 1566, janë varrosur në Kodrën e Vreshtave, shumë pranë Kalasë së Zigetvarit.
Lajmi i vdekjes së Sulltan Sulejmanit gjatë rrethimit të Zigetvarit ishte mbajtur sekret për të mos shkaktuar demoralizimin e ushtarëve. Organet e brendshme të tij ishin nxjerrë që të mos dekompozohej trupi dhe ishin varrosur në një vend afër çadrës së fushimit të sulltanit, ndërsa trupi ishte transportuar në Stamboll për t’u varrosur më pas në tyrben e tij të sotme, në kopshtin e Xhamisë Sulejmanije.
Sulltan Selimi II, i cili mori drejtimin e Perandorisë Osmane pas vdekjes së Sulejmanit, urdhëroi menjëherë ndërtimin e një tyrbeje dhe përreth saj një kompleks social. Këto objekte i mbijetuan kohës për 150 vite me radhë, derisa u shembën nga ushtritë e Monarkisë Habsburge gjatë pushtimit të Kështjellës së Zigetvarit.