Çdo njeri në këtë jetë, sipas paracaktimit të Zotit, do të përudhet me lehtësi në rrugën e veprave për të cilat ai është krijuar. Ky realitet nuk vlen vetëm për veprat e mira dhe të këqija, por vlen edhe për prirjen dhe profilin e çdo njeriu në këtë jetë. Duke u nisur nga ky realitet, si dhe nga realiteti, se njerëzit janë qenie shoqërore, të cilët plotësojnë nevojat e njëri-tjetrit arrihet në përfundimin logjik dhe natyror, se njerëzit duan apo nuk duan janë të ndërvarur mes tyre për prirjet dhe profilin e gjithsecilit. Kështu bujku ka nevojë për kovaçin, që ai të prodhojë veglën me të cilën ai punon tokën, kovaçi dhe mbarë njerëzit kanë nevojë për ushqimin që mbjell dhe rrit bujku, e kështu me radhë.
Në këtë botë ka edhe njerëz, të cilët kanë si detyrë udhëzimin e shpirtrave të njerëzve dhe në mesin e këtij rrethi të vogël njerëzish janë edhe hoxhallarët.
Askush në këtë botë nuk është i përkryer, as bujku, as kovaçi, ku të gjithë bëjnë gabime dhe të gjithë kanë mundësi të përmirësohen, por nuk është aspak e udhës që njerëzit të braktisin, qoftë bujkun qoftë kovaçin për gabimet e tyre, përderisa ata vetë nuk janë, as bujq dhe as kovaçë; përtej gabimeve të tyre nevoja për këta njerëz ngelet përhershme. Hoxha nuk bën dallim në këtë drejtim, edhe pse përgjegjësia e tij e kalon përgjegjësinë e shumë prej profileve njerëzore në këtë jetë. Të kërkosh një hoxhë të përkryer, që t’i afrohet Profetit (alejhi salatu ue selam), apo Ebu Bekrit dhe Omerit sot dhe mot është diçka e vështirë, për më tepër edhe kur vetë besimtarët që e rrethojnë janë shumë larg këtyre shembujve, e megjithatë ata kanë nevojë për hoxhën dhe nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin.
Autoriteti i hoxhës në mesin e besimtarëve vihet në pikëpyetje apo tronditet në situata të vështira, në momente kur hyn në veprim jo më aftësia profesionale e hoxhës, si një njeri që jep fetva dhe u mëson njerëzve rregullat e fesë, por në momente kur sprovohet urtësia, mençuria, karakteri dhe natyra e tij, të cilat janë të lidhura ngushtë më së shumti me paracaktimin e Zotit, sesa me dijen apo njohuritë e tij. Nëse bëhet ky dallim i rëndësishëm, mes të parës dhe të dytës arrijmë të kuptojmë pse hoxhallarët nuk duhen braktisur apo bojkotuar tërësisht, sepse gabimet e dobësisë njerëzore janë shumë më të vështira për t’u shmangur dhe aspak të lehta për t’u ndrequr.
Njeriu mund të vihet në situata aspak të volitshme, të atilla që vetëm një ndërhyrje hyjnore e drejtpërdrejtë udhëzimi mund ta nxjerrë atë pa i hyrë një gjemb në këmbë, në mungesë të kësaj ndërhyrje hyjnore, njeriu duhet të zgjedhë atë çka duket për të më pak e dëmshme dhe natyrisht që këtu mundësia për të gabuar është shumë e madhe.
Kur studioja në Mekë, gjatë Ramazanit më binte shpesh të dëgjoja mësimet e një dijetari të shquar të kësaj kohe, shejh Muhamed ibën Salih El-Uthejmin, Allahu e mëshiroftë. Ai u tërhiqte shpesh vëmendjen njerëzve, se nuk duhet të përgojonin njerëzit e dijes, sepse përgojimi i tyre ua ul autoritetin në sytë e njerëzve dhe kjo në fund do të rezultojë në largimin e njerëzve nga feja, pasi gjithsecili do të bëhet hoxhë i vetvetes, pasi ka braktisur më parë hoxhallarët për shkak të gabimeve të tyre.
Një herë shejhu na tregoi një ngjarje nga historia për ta përdorur si shembull sesi njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm në gjykimin e hoxhallarëve. Ai tregoi, se një herë një mbret apo një prijës kishte dënuar një njeri me vdekje dhe me sa duket ai nuk e meritonte këtë gjë, për këtë arsye një dijetar padyshim me reputacion në popull ndërhyri pranë këtij mbreti apo prijësi, që ai të mos e dënonte. Mbreti apo prijësi në fjalë pranoi të mos e ekzekutonte, por vetëm ta rrihte atë në sy të publikut dhe si kusht për këtë kërkoi nga ky dijetar, që të ishte ky vetë ai që do të vinte i pari dorën mbi të. Dijetari i vënë në pozitë të vështirë në mes jetës dhe vdekjes së këtij njeriu pranoi të ishte ai i pari që do të godiste me kamxhik të dënuarin në fjalë dhe kështu u bë. Në sytë e mbarë njerëzve ai ekzekutoi vendimin me të cilin i kishte shpëtuar jetën këtij njeriu të pafajshëm. Masat e njerëzve me të parë një skenë të tillë nxituan të thoshin për dijetarin, se ai ishte një zullumqar dhe njeri i keq, përderisa ai me dorën e tij godiste një njeri, që nuk meritonte të goditej.
Me këtë shejh Ibn El-Uthejmini donte t’u tërhiqte vëmendje njerëzve, që nuk dinë se ç’luhet pas kuintave të mos nxitohen në gjykimin e tyre negativ ndaj njerëzve të dijes.
Është e natyrshme, se cilido prej nesh në ato momente do të zgjidhte të shpëtonte jetën e këtij njeriu, edhe pse kjo do t’i kushtonte atij sakrifikimin e imazhit të tij mes njerëzve. A nuk thotë i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam), se veprat vlerësohen sipas qëllimit? Dhe të shpëtosh një jetë njerëzore nuk është pak.
E gjitha kjo që përmenda deri këtu është një këshillë për besimtarët, sesi ata duhet të jenë të matur para se të gjykojnë për hoxhën e tyre, të cilin e njohin për përkushtimin, ndershmërinë dhe sinqeritetin e tij, se ai është njeri i keq apo u bë i tillë vetëm me një veprim të caktuar.
Tani le t’i kthehemi hoxhallarëve duke përdorur të njëjtin shembull që dhamë më lart, si këshillë për ta. Në situata kur dëmi dhe dobia janë kaq të vështira për t’u dalluar, dhe për të marrë një vendim të prerë, se cilën anë duhet të mbajnë është e domosdoshme, që krahas përgjërimit para Zotit për ta shpënë në zgjidhjen më të mirë hoxhallarët duhet të konsultohen në një rreth sa më të kualifikuar njerëzish të fesë dhe jo të tillë, në mënyrë që zgjedhja të jetë më e mira e mundshme.
Situatat me të cilat përballen hoxhallarët e këtij vendi në këtë kohë është e vështirë të thuash, se i shëmbëllejnë ngjarjes së sipërpërmendur. Sot imazhi i moralit publik të një hoxhe është gjëja e fundit që duhet t’i shkojë nëpër mend atij ta sakrifikojë. Një njeri tinëzar, si mbreti apo prijësi i mësipërm do të bënte gjithçka për të vazhduar në zullumet e tij. Dhe nëse pengesë për këto veprime do të bëhej autoriteti i mirë i një hoxhe në popull, pikësëpari ai do të kërkonte rrënimin e këtij autoriteti me çdolloj mjeti. Për këtë dhe një hoxhë i mençur nuk duhet të bjerë asnjëherë në kurthe të tilla, pasi duke sakrifikuar imazhin e tij publik mes besimtarëve më shumë se një herë, ai rrezikon të etiketohet si njeri me dy fytyra, si njeri i cili u mëson të tjerëve atë që nuk e bën vetë. Për rrjedhojë vetë hoxha do të jetë fajtor në humbjen e njerëzve dhe keq-udhëzimin e tyre. Nëse vetë hoxha fillon dhe e koncepton veprimtarinë e tij jo vetëm si shpirtërore dhe parimore, por edhe si politike dhe administrative, atëherë do ta vendosë imazhin e tij në thepin e pushkës së publikut të mbarë besimtarëve, ku gabimi më i vogël do t’i kushtojë atij një kosto të pariparueshme për imazhin moral, që duhet të paraqesë një njeri i Zotit. Njerëzit për nga natyra e tyre të dobët dhe të lëkundur janë të prirë të anojnë gjithmonë nga ata më të qëndrueshmit, më stoikët, gabim apo mirë qofshin ata. Ata duan të gjejnë tek ta atë që u mungon atyre vetë. Kur ata nuk e gjejnë këtë te lideri i tyre shpirtëror janë të prirë ta braktisin atë nga çasti në çast, sidomos kur në skenë shfaqet dikush tjetër, i cili me dashje apo dashje i servir publikut imazhin stoi
k të kërkuar. Dhe jo gjithmonë ky zëvendësues është më i miri i mundshëm.
k të kërkuar. Dhe jo gjithmonë ky zëvendësues është më i miri i mundshëm.
Zoti na udhëzoftë në atë çka është më e mira.
Justinian Topulli