Këshilli Opozitar: I falemenderojmë 30 mijë protestuesit e djeshëm (VIDEO)

Pas përfundimit të djeshëm të protestës së organizuar Këshilli Opozitar, jemi sot para jush që të deklarojmë se kjo ishte protesta mbase më e madhe e organizuar ndonjëherë në Shkup nga shqiptarët. Sipas përllogaritjeve tona, në këtë protestë morën pjesë rreth 30.000 njerëz, që erdhën nga të gjitha anët e Maqedonisë.

Përveç këtij fakti të rëndësishëm, sepse kjo masë njerëzish i mbështeti dhe legjitimoi kërkesat e kësaj proteste, po aq e rëndësishme ishte edhe fakti se dje u përdëftua se shqiptarët e Maqedonisë përfundimisht i kanë deligjitimuar dy partitë e deritanishme shqiptare dhe në këtë mënyrë u legjitimua opozita e njëmendtë shqiptare, që dje u mblodh rreth Këshillit Opozitar.

Protesta ishte organizuar në Ditën e Europës dhe përvjetorin e ngjarjeve të Lagjes së Trimave në Kumanovë. Andaj slogani i saj qendror ishte Dita D, që zbërthehej me tri D: Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci.

Mesazhet paqësore të kësaj proteste përcollën edhe një herë qëndrimin e shqiptarëve të Maqedonisë se integrimi në BE është detyrim pa kompromis, se patjetër duhet të tërhiqen vendimet për faljen e kriminelëve, se duhet të vazhdojë me punë Prokuroria Speciale Publike dhe asaj t’i kalojnë edhe rastet e montuara ndaj shqiptarëve, si “Sopot”, “Monstra” dhe “Lagjja e Trimave”, ndërsa protesta përcolli edhe një mesazh të rëndësishëm – që shqiptarët në bisedimet për zgjidhjen e krizës duhet të përfaqësohen nga ky zë opozitar, duke konsideruar se dy partitë shqiptare, që janë pjesë e asaj tavoline, janë vetëm përkthimi shqip i qëndrimeve të VMRO-së.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, në protestë fjalë rasti patën vetëm anëtarët e Këshillit Opozitar, ashtu siç edhe ishte vendosur në mbledhjen e fundit të këtij këshilli.

Këshilli Opozitar konstaton se protesta ishte e qetë, organizimi ishte përtej parashikimeve më optimiste – në të nuk pati as edhe një incident të vetëm dhe protestuesit u shpërndanë në mënyrë paqësore, ashtu siç edhe kishin ardhur para Qeverisë.

Me këtë rast Këshilli Opozitar i falënderon të gjithë shqiptarët që e mbështetën këtë protestë. Në veçanti e falënderon Lëvizjen BESA, që me strukturën e saj e bëri punën më të madhe për suksesin e kësaj proteste. Këshilli i falënderon edhe subjektet e tjera politike që morën pjesë në këtë protestë: Partinë për Prosperitet Demokratik të përfaqësuar nga z. Faton Aliti, Rilindjen Demokratike Kombëtare, të përfaqësuar nga z. Fadil Zendeli, partinë UNITETI, si dhe Lëvizjen për Reforma në PDSH. Kështu u dëshmua se Këshilli Opozitar mund të jetë një strumbullar që e ndërton indin e opozitës shqiptare dhe se ky është një opsion i suksesshëm për shqiptarët e Maqedonisë.

Këshilli i falënderon edhe OJQ-të e vendit dhe të mërgatës, si dhe personalitetet e tjera shqiptare, që nuk identifikohen në emblema partiake, por që janë opozitarë dhe dje ishin aty në atë cilësi.

I falënderojmë po ashtu edhe shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, por edhe të mërgatës, që dje kishin udhëtuar nga skaje të largëta për ta mbështetur këtë protestë.

Për fund Këshilli Opozitar deklaron se mbetet i hapur edhe më tutje që ta koordinojë dhe organizojë opozitën shqiptare, gjithë kjo në të mirë të etabilimit dhe mbarështimit të zërit të shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe për ngritjen e mirëqenies dhe përfaqësimit të denjë të tyre në këtë vend.

Artikulli paraprakIntervistë/ Kim Mehmeti: Heronjtë e vërtetë të protestës janë 30 mijë protestuesit shqiptarë
Artikulli vijuesVetëvendosje: Përkrahim çdo protestë të përbashkët kundër Gruevskit (Foto)