Kirurgu i akuzuar për rastin “Medicus”, kishte marrë mirënjohje nga Qeveria

Njëri prej mjekëve turq, të akuzuar për transplantime ilegale veshkash në “Medicus”, është nderuar nga Qeveria e Kosovës me mirënjohje.

Kenan Demirkol (1956) i lindur në Prishtinë ka treguar se ka punuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë pa asnjë kompensim financiar.

Demirkol, i cili është i dyshuar për krim të organizuar, trafikim me qenie njerëzore dhe transplantim ilegal veshkash në Prishtinë, ka mohuar se është i përfshirë në ndonjë krim.

Dyshohet se ka marrë pjesë në transplantime më 8 mars, 19 qershor, 20 qershor, 22 korrik, 18 gusht, 19 gusht, 9 shtator, 26 tetor 2008 dhe 31 tetor 2008.

Ai ka marrë pjesë edhe në transplantimin e veshkës nga trupi Yilmaz Altun i cili ishte rrëzuar në Aeroportin e Prishtinës, shkruan Koha Ditore.

Demirkol ka thënë se në “Medicus” ka kryer operacione të përgjithshme e jo transplantime.

“Unë jam lindur në Kosovë. Për këtë arsye, kam qenë gjithnjë në kontakt me Kosovën. Unë kam trajtuar shumë pacientë kosovarë, të cilët kishin nevojë për ndihmë për shkak të luftës në Kosovë”, ka thënë ai gjatë një interviste që u ka dhënë prokurorëve të Prokurorisë së Stambollit.

Demirkol është profesor në Universitetin e Stambollit, Fakulteti i Mjekësisë, Departamenti i kirurgjisë së përgjithshme. Ka qenë profesor i kirurgut të kërkuar nga interpoli, Yusuf Somnez, dhe kanë punuar bashkë në Prishtinë.

Ai është duke u hetuar nga autoritetet turke në bashkëpunim me ato të EULEX-it për transplantim dhe trafikim njerëzish me qëllim të heqjes së veshkave.

Në prill të këtij viti 5 persona janë dënuar me 20 vjet burgim./kohaislame

Artikulli paraprakMe pagë vjetore 36 mijë euro, merr edhe pension invalidor
Artikulli vijuesVendet e BE-së mund t'i mbyllin kufijtë