91 njohje, por se dimë sa nota verbale janë në MPJ

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosovën e kanë njohur 91 shtete, por nuk e di se sa nota verbale janë në MPJ. Njohjet nuk janë meritë e asnjë zyrtari individualisht e as të Behgjet Pacollit, ndërsa gjatë korrikut do t’i kemi edhe tri-katër shtetet tjera që do të na njohin, ka thënë Hoxhaj.

Ai në një intervistë për “Express”, ka bërë të ditur se planifikojnë t’i hapin edhe pesë ambasada, ndërkaq njoftoi se sivjet nuk do të aplikojnë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

“Numri i shteteve që është prezantuar në ueb-faqe është edhe numri i saktë i njohjeve që ka shteti i Kosovës. Kosova, edhe pse është pavarësuar vetëm pesë vjet më parë, sot gëzon një përkrahje dhe shtrirje globale të njohjes së shtetësisë së saj. Mendoj se në pesë vitet e fundit është bërë punë shumë e madhe në shtimin e njohjeve. Kjo ka ndodhur falë koordinimit të punës së të gjithë aktorëve, nga Qeveria, Presidenca, Kryeministri, Zëvendëskryeministri Pacolli. Në këtë pikë ka ndihmuar shumë edhe Strategjia e hartuar nga MPJ. Në këtë kontekst mund t’ju jap një shembull; nëse i shikoni pritjet për vitin e kaluar në Strategjinë e MPJ, e shihni se po ato shtete tashmë e kanë njohur pavarësinë”, është shprehur Hoxhaj.

Se a janë qartësuar njohjet pa nota verbale të Ugandës dhe Nigerisë, ministri i Jashtëm tha se me këto dy vende ende nuk kanë arritur të vendosin marrëdhënie të plota diplomatike sikurse kanë bërë edhe me vendet e tjera.

“Kemi marrë disa shkresa, realisht, Zëvendëskryeministri Pacolli ka marrë disa shkresa nga presidentët e të dyja vendeve që ato e njohin subjektivitetin dhe shtetësinë e Kosovës”, shprehet Hoxhaj.

Mirëpo, se a janë këto letra të barabarta me notat verbale, ministri i Jashtëm tha “Do të thotë është fjala për shkresa nga dy presidentë të të dyja vendeve, që flasin për atë se shteti i tyre e njeh Republikën e Kosovës”. kohaislame

Artikulli paraprakFSK-ja, me kapacitete për misione jashtë vendit
Artikulli vijuesSHQIPËRI-KOSOVË, PATRULLIME TË PËRBASHKËTA