Kisha bullgare: Të largohen emigrantët myslimanë

Kisha ortodokse bullgare, pjesë e besimit të më shumë se 80 për qind të popullatës, i bëri thirrje qeverisë që të mos lejonte hyrjen e migrantëve të fesë myslimane.

“Jemi duke ndihmuar dhe përkrahur të gjithë të ardhurit në vendin tonë, por qeveria nuk duhet për asnjë rast të lejojë hyrjen e një kontigjenti më të madh”, thekson Sinodi i Shenjtë, organi drejtues i Kishës bullgare, në një deklaratë publikuar në internet.

“Ky proces migrator është kthyer në një valë që po kalon në formën e pushtimit”, u shpreh ai.

E pozicionuar në qendër të Ballkanit, Bullgaria është përfshirë nga një fluks emigrantësh që vijnë në Greqi dhe orientohen më pas drejt Maqedonisë dhe Serbisë me destinacion final Evropën Perëndimore.

Ky vend po shërben si vend tranzit për shtetasit sirianë, afganë dhe irakianë që aspirojnë Evropën Perëndimore duke kaluar nga Turqia.

”Problemet në vendet e origjinës të refugjatëve duhet të gjejnë zgjidhje nga shkaktarët e vërtetë dhe populli bullgar nuk mund të paguajë çmimin e kësaj neglizhence”, shtoi Sinodi i Shenjtë.

 

Artikulli paraprakPapa: Liria fetare është në rrezik
Artikulli vijues"Velt": Han i dha shpresë Turqisë për heqje të vizave