Kjo është lista e liderëve më të paguar në botë

Lideri më i paguar në mesin e politikanëve të botës është presidenti amerikan, Barack Obama, i cili ka një pagë vjetore prej 400 mijë dollarë, ndërsa lideri komunist kinez, Xi Jinping, renditet në vendin e 12-të me pagën më të ulët vjetore prej 22 mijë dollarë.
Obama, përveç pagës vjetore ka edhe disa lehtësime tatimore në shumë prej 50 mijë dollarësh, raporton CNN, duke shtuar se paga e presidentit të Shteteve të Bashkuara është dyfishuar që nga viti 2001 kur president ishte George W. Bush .
 
Pas Obamës vjen kryeministri kanadez, Stephen Harper, i cili ka pagë vjetore prej 260 mijë dollarësh, ndërsa si i treti në listën e liderëve më të paguar tek vendet më të zhvilluara gjendet kancelarja gjermane Angela Merkel, me të ardhura vjetore prej 234.383 dollarësh, transmeton Telegrafi.
 
Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, merr 223.600 dollarë në vit, ndërsa kryeministri britanik, David Cameron, 214.782 dollarë – përfshirë edhe pagën e deputetit.
 
Vendi i gjashtë i takon presidentit japonez, Shinzo Abe, me 202,700 dollarë në vit, ndërsa presidenti francez François Hollande, do të renditej edhe më mirë nëse paga e tij nuk do të ulej për 30 për qind pas ardhjes në pushtet. Këto të ardhura vjetore të tij arrijnë në 194.300 dollarë.
 
Presidenti rus, Vladimir Putin, gjendet në vendin e tetë, pasi javën e kaluar uli pagën e tij me 10 për qind për shkak të krizës ekonomike. Ai tashti paguhet 136.000 dollarë në vit.
 
Kryeministri italian, Matteo Renzi, fiton 124.600 dollarë; presidentja braziliane Dilma Rousseff – 120 mijë dollarë; ndërsa kryeministri indian, Narendra Modi, pak më shumë se 30 mijë dollarë në vit.
 
Edhe pse menaxhon ekonominë dytë më të madhe botërore, presidenti kinez Xi Jinping renditet i fundit: në vendin e 12-të të kësaj liste. Edhe pse paga e tij është rritur me 60 për qind në fillim të vitit, ai tani paguhet 22 mijë dollarë në vit.
 
Megjithëse, ekonomia kosovare renditet ndër të fundit të Evropës, ajo mund të krenohet se liderët e saj i paguan më shumë se presidenti kinez dhe kryeministri indian.
 
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që ka pagën më të lartë nga të gjithë zyrtarët shtetërorë, paguhet 2.873 euro në muaj për punën e saj, apo me 34.478 euro në vit (36.456 dollarë). Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka një pagë mujore prej 2.700 euro, apo 32.400 euro në vit (34.261 dollarë). Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka një pagë vjetore prej 17.318 euro (18.312 dollarë), apo 1.443 euro në muaj. /Telegrafi/
Artikulli paraprakSeanca zgjat çerek ore! Meta: Më keni në zyrë
Artikulli vijues'Kryetari i PDSH-së dhe kryesuesit e BDI-së janë kufoma politike!'