Klinton vjen në Kosovë për dialogun

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton pritet të vizitojë Kosovën në fillim të tetorit. Burimet bëjnë të ditur se ajo do të jetë një ndër 400 mysafirët e Presidentes Atifete Jahjaga, në një konferencë për rolin e gruas që do të mbahet në Prishtinë. Këtë vizitë, Shefja e diplomacisë amerikane do ta shfrytëzojë edhe për të inkurajuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e diplomacisë amerikane, Hillary Clinton pritet të vizitojë Prishtinën në fillim të muajit të ardhshëm. Sekretarja Clinton vjen në kryeqytetin kosovar me ftesë të Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga.
Përveç të parës së diplomacisë së SHBA’së, në Prishtinë do të vijnë edhe rreth 400 zonja të tjera për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për rolin e gruas.
Në Presidencë ende nuk e kanë konfirmuar mbajtjen e kësaj konference, por burime të gazetës thonë se do të marrin pjesë disa prej grave më të suksesshme të botës.
“Konferenca pritet të mbahet më 4 tetor, ndërkaq zonja Clinton është njëra ndër 400 mysafiret e ftuara”, ka thënë një zyrtar i lartë ndërkombëtar, në kushte anonimiteti.
“Ajo pritet të marrë pjesë në konferencë së bashku me gra lidere nga e gjithë bota, ambasadore dhe ministre të jashtme…”.
Këtë vizitë, zonja Clinton pritet ta shfrytëzojë edhe për takime me liderët politikë të Prishtinës, të cilët do t’i inkurajojë për nisjen e bisedimeve me Beogradin.
“Zonja Clinton do të shfrytëzojë punimet e konferencës që të takojë Thaçin. Ata pritet të diskutojnë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që pritet të nisë në tetorin e këtij viti”, ka thënë burimi./ind/kohaislame

Artikulli paraprakAta që luftuan ata duhet ta nënshkruajnë kapitullimin e Kosovës thonë strukturat e huaja
Artikulli vijuesLimaj pro koalicionit me AAK-në