Koha pasuria më e çmueshme

0
149

Jeta e njeriut është një periudhë kohe e paditur (nga njeriu) e matur në orë, minuta dhe sekonda.

Çdo moment që kalon shkurton këtë periudhë dhe e sjell njeriun më pranë vdekjes. Çdo moment që kalon i afrohemi ditës së Gjykimit. Çdo gjë që ka fillim natyrisht duhet të ketë mbarim. Është fund i sigurtë, i pashmangshëm. S’ka kthim! As për një sekondë! S’ka shpëtim (nga vdekja)! As që të mendohet! Allahu i madhëruar urdhëron e thotë në Kur’an: “E kush shpreson takimin e Allahut, s’ka dyshim se afati i Allahut (vdekja) patjetër do vijë…” (29:5)

Në një ajet tjetër I Madhëruari Allah thotë: “Janë të humbur Ata të cilët përgënjeshtruan takimin e Allahut (në ditën e gjykimit), derisa tu vijë momenti (shenjat e vdekjes) befas e të thonë: “Të mjerët ne për atë që lëshuam (për punët e mira në jetën e dynjasë), e duke i mbartur gabimet e veta në shpinë, dhe vërtet e shëmtuar është ajo që mbartin.” (Qur’ani, 6:31)

Me siguri, do të përgjigjemi për kohën. Si dhe në cfarë e kaluam? A e shfrytëzuam atë për të realizuar qëllimin kryesor të jetës, apo e humbëm kot, pa ndonjë qëllim? A ishim adhurues të Allahut dhe vepërmirë apo adhurues të epsheve dhe keqbërës? A mendojmë për fundin (vdekjen) që na pret dhe që të gjithë, pa përjashtim, do ta shijojmë apo jemi në një gjumë të thellë dhe nuk duam të përkujtohemi?

Allahu Fuqiplotë urdhëron e thotë: “Ç’do shpirt (krijesë) do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u jepen ditën e kijametit, e kush shmanget nga zjarri e futet në xhenet, ai ka arritur sukses (shpëtim), e jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se një përjetim mashtrues.” (Kur’ani, 3:185)

 

Meqenëse është fund i pashmangshëm atëhërë s’është shumë e rëndësishme se sa kohë jetojmë. Disa e arrijmë këtë fund herët, të tjerë më vonë, por me siguri të gjithë do ta arrijmë. Megjithatë, kjo periudhë kohe që na është dhënë është e një rëndësie kolosale për sa i përket të ardhmes sonë të përjetshme në botën e amshueshme. E ardhmja dhe fati jonë përcaktohet nga kjo jetë. Ç’të mbjellim do të korrim. Çdo gjë që bëjmë, e mirë apo e keqe, qoftë edhe sa grimca, do e gjejmë. Mos të harrojmë momentin e vdekjes, aq më tepër kur e dimë se mund të vijë befas pa paralajmërim.

Allahu, Fuqiplotë, na urdhëron që të kryejmë vepra të mira para se të vijë ajo ditë kur s’bën dobi pasuria as pasardhësit. Atë ditë kur çdo gjë e kësaj bote është e pavlerë, përveç besimit të sinqertë dhe veprave të mira. Atë ditë kur s’ka ndihmues a ndërmjetës përveç Allahut. Atë ditë kur dënimi i Allahut është i paimagjinueshëm i tmerrshëm. Është ajo ditë kur krijesat mblidhen për hesap në prani të Krijuesit, kur çdonjëri merr shpërblimin që meriton, dhe përfundimisht të vendoset në venbanimin e përjetshëm për të mos vdekur më.

Allahu betohet në kohën për të na bërë të qartë rëndësinë e saj në këtë jetë: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës (këshillojnë njëri-tjetrin të kryejnë vepra të mira që Allahu ka urdhëruar dhe tu largohen veprave të liga që Allahu ka ndaluar) dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm (për vuajtjet dhe vështirësitë që mund të ndeshin në rrugën e Allahut).”

Allahu I Madhëruar, për të mirën tonë, na paralajmëron për atë ditë dhe të keqen e asaj: “Sikur ta dinin ata që nuk besuan se atëherë nuk do të mund të largojnë zjarrin nga fytyrat e tyre dhe as nga shpinat, e as që nuk do të ndihmohen (nuk do të ishin jobesimtarë).” ( Kur’ani, 21:39)

Përsëri, në një ajet tjetër në Kur’an, urdhërohemi për vepra të mira para se të vijë vdekja dhe në të njëjtën kohë (po në këtë ajet) paralajmërohemi për mos kryerjen e veprave të mira. Ai, Fuqiploti, thotë: “Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e atëherë të thotë: ‘Zoti im, përse nuk më zgjate edhe pak afatin (e vdekjes) që të jepsha lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve! Por Allahu kursesi askë nuk e shtyn për më vonë, kur atij t’i vijë afati. E Allahu është I Gjith-Dijshëm për atë që ju punoni.” (Kur’an, 63: 10,11)

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Shfrytëzoni pesë gjëra para pesë tjerash: ‘Rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para zënies (me punë) dhe jetën para vdekjes.” (Transmetuar nga Al-Hakim)

Gjërat e përmendura në hadith janë me rëndësi jetike. Rëndësinë e tyre vetëm ai që i ka humbur e din. Lufto në rrugën e Allahut në këtë jetë që të kapërcesh vështirësitë dhe mos të pendohesh për jetën në ditën e gjykimit. Allahu thotë: “Dhe përmbahuni asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos dini. Dhe të mos thotë ndokush: ‘O I mjeri unë që kam lënë mangut respektimin ndaj Allahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!” (Kur’ani, 39: 55-56)

Së fundi, mos të harrojmë qëllimin e krijimit për të adhuruar Allahun, Zot të Vetëm, dhe kohën t’ia kushtojmë këtij qëllimi fisnik. Allahu thotë në Kur’an: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (51:56)/Albislam

Medi Zeqiri