Përhapja e imoralitetit, përmbyllje e mirësive

Allahu ka thënë: ”Ata të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret një dënim i dhimbshëm në këtë dhe në botën tjetër. Allahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini”. (Suretu Nur: 19)

Ibën Arabij- Allahu e mëshiroftë, ka thënë për fjalën e Allahut: ”dëshirojnë” d.m.th. e dëshiron atë dhe e vepron, sepse dashuria është vepër e zemrës dhe se ai që e do një gjë e shfaq atë. Halid b. Ma’dan- Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
”Ai që flet për atë që kanë parë dy sytë e tij dhe kanë dëgjuar dy veshët, është nga ata që dëshiron të përhapet imoraliteti tek besimtarët”.
Aliu- Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: ”Ai që vepron imoralitetin dhe ai që e shpërndan atë janë të barabartë në mëkate”.

Muhamedi alejhi selam ka thënë:
”Nuk është shfaqur imoraliteti te një popull, derisa e kanë bërë publik (imoralitetin e tyre), përveçse është përhapur në mesin e tyre kolera dhe sëmundje (të tjera) që nuk kanë qenë prezente te paraardhësit e tyre të mëhershëm”.

Shumë prej atyre që sot përhapin lajmet se iks sportisti, këngëtari apo përgjegjësi ka vepruar kështu e ashtu, qoftë përmes tv-së, revistës apo rrjeteve sociale dhe kjo bëhet shkak që dikush nga njerëzit të devijojë, s’ka dyshim se ai do të merr mëkatin e shpërndarjes dhe të vepruesit të atij mëkati. Të mos harrojë se kjo vepër është prej mëkateve të mëdha tek Allahu.
Disa shpërndajnë imoralitetin me fjalë dhe kjo bëhet duke akuzuar muslimanët se filani është: hajdut, alkoolist, i dhënë pas harameve etj, edhe pse i akuzuari mund të jetë shumë larg atyre gjërave në realitet.
Disa të tjerë shpërndajnë imoralitetin me vepër, si p.sh.: me shpërndarjen e filmave, fotove, videove të kanalit ‘YouTube’, revistave etj., me anë të cilave mund të nxitësh epshin dhe shfaqjen e turpësisë, dije se ti je nën kërcënimin e Allahut të Lartësuar në dynja dhe ahiret, me turpe në këtë botë dhe me dënim në botën tjetër, duke mos harruar se do të bartësh edhe mëkatin e gjithë atyre që kanë shikuar në ato apo i kanë shpërndarë, qoftë edhe pas vdekjes tënde, deri në ditën e gjykimit.
Jemi dëshmitarë se shumë prej atyre që kanë shpërndarë të keqen në mesin e muslimanëve, Allahu i Lartesuar i ka dënuar me sëmundje nga më të ndryshmet, si kanceri dhe të ngjajshme. Disa prej tyre kanë vdekur si fukarenj, që nuk kanë pasur para as për barnat e tyre, disa të tjerë në ndeshje komunikacioni, e për disa të tjerë vdekja ka qenë turp për atë dhe familjen e tij.

Lus Allahun ta pastrojë shoqërinë tonë nga çdo gjë, qoftë fjalë apo vepër, e cila bëhet shkak për degradimin e moralit të saj. Bëje atë urdhëruese për të mirë dhe ndaluese nga e keqja. Respektuese të detyrimeve ndaj Teje dhe vdekjen shkak për ndërprerjen e mëkateve të secilit prej nesh. Amin!

Përgatiti: Valdet Kamberi/pertymoter/kohaislame

Artikulli paraprakNdalen ndihmat humanitare ndaj kampit të refugjatëve Jermuk në Siri
Artikulli vijuesIsh-kryeministri i Gjeorgjisë dënohet me 5 vjet burg