Menjëherë pas sesionit të 70-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, lufta civile në Siri u bë skenë e një dinamike të jashtëzakonshme.
Në epiqendër të kësaj dinamike qëndron fillimi i operacioneve ajrore të Rusisë në Siri. Përveç disa anëve të diskutueshme të operacioneve ajrore ruse nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare dhe luftës antiterror, debati i vërtetë ngrihet mbi pyetjen: Përse Rusia po i ndërmerr operacionet në fjalë dhe cili është qëllimi? Edhe pse Moska thotë se ato bëhen për të luftuar me DAESH-in, në zbatim operacionet ajrore shkojnë përtej qëllimit të deklaruar. Siç është bërë me dije, gjatë operacioneve ruse janë goditur opozitarë, që nuk kanë lidhje me DAESH-in, si dhe kanë humbur jetën një numër i madh civilësh. Teksa bën sikur lufton kundër këtij grupi terrorist, Rusia kapërcen kufijtë e të drejtës ndërkombëtare. Kjo situatë jo vetëm që ka ngjallur shqetësime serioze në opinionin publik botëror, por ka tensionuar edhe 7 vende anëtare të koalicionit kundër DAESH-it. Deklarata e përbashkët, e publikuar nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Katari dhe Arabia Saudite; e paralajmëron Rusinë me pretendimin se operacionet e saj do të përshkallëzojnë edhe më tepër destabilitetin dhe ekstremizmin. Natyrisht që reagimi më i fuqishëm ishte ai i Turqisë, pasi gjatë këtyre operacioneve dy avionë luftarakë rusë kanë dhunuar hapësirën ajrore turke për pak kohë, duke shkaktuar një krizë të vogël. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është shprehur se operacionet ushtarake të Rusisë dhe shkeljet e këtij vendi janë lojë me zjarrin, ndërsa Siria rrezikon sigurinë e rajonit dhe Turqisë.
Situata e krijuar gjatë dhe pas sulmeve ajrore ruse në Siri është mjaft serioze dhe mbart rreziqe konkrete për ekuilibrat e vetë Sirisë dhe rajonit në përgjithësi. Këto mund t’i analizojmë në 3 pika: 1- Cila është baza ligjore e politikës së forcës ushtarake, që Rusia përdori fillimisht në Ukrainë dhe tani në Siri, por edhe cilët janë kufijtë e saj? 2- Çfarë rezultatesh do të sjellë demonstrimi i forcës së vrazhdë ushtarake ruse në Siri, rajon dhe përgjithësisht në sistemin ndërkombëtar? 3- Si do të jetë reagimi i NATO-s dhe koalicionit perëndimor përballë kësaj situate, por edhe çfarë do të ndodhë me besueshmërinë e Aleancës?
Së pari duhet thënë se ligjshmëria e operacioneve ruse është një çështje e hapur për diskutim. Sado që Moska deklaron se bombardimet po bëhen në përgjigje të kërkesës së regjimit të Esadit, të cilin ajo e konsideron ende të ligjshëm; vdekjet civile e rrëzojnë plotësisht legjitimitetin e tyre. Sepse “e drejta e luftës” apo “e drejta ndërkombëtare humanitare” i ndalojnë vrasjet civile edhe në rast lufte. Nga ana tjetër, operacionet ruse duhet të bazoheshin në një rezolutë të OKB-së që të ishin legjitime, por një vendim specifik i Kombeve të Bashkuara mbi këtë çështje ende nuk ekziston. Rusia mund t’i justifikojë operacionet e saj me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër organizatës terroriste DAESH, mirëpo vendimet në fjalë të Kombeve të Bashkuara duhej që të mos zbatoheshin nga një vend i vetëm, por nga një pjesëmarrje kolektive e anëtareve të OKB-së. Për më tepër, kërcënimi i sigurisë së një shteti tjetër është e papranueshme dhe një situatë, që kapërcen kufijtë.
Ndërkohë që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë fjalimeve të tij në OKB dhe jo vetëm, ka deklaruar se lufta civile siriane duhet të zgjidhet me metoda politiko-civile; operacionet ushtarake ruse nuk përputhen aspak me këto deklarata të shefit të Kremlinit. Në fund të fundit, eksperienca e keqe e Rusisë, veçanërisht në Ukrainë, ngjall shqetësime thellësisht serioze në lidhje me operacionet ajrore në Siri. Moska ka pushtuar dhe aneksuar Krimenë, që është një territor ukrainas, ndërsa më pas e ka bërë atë edhe zyrtarisht pjesë të Federatës së Rusisë. Kjo gjendje është katërçipërisht në kundërvajtje me parimet e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Tani ekziston shqetësimi se një diçka e ngjashme mund të bëhet edhe në Siri. Vallë a do të vizatojë Rusia kufij të rinj nëpërmjet një manovre të llojit “fakt i kryer” edhe në Siri?
Pika e dytë ka të bëjë me rezultatet dhe efektet, që do të prodhojnë operacionet ruse në rajon e botë, por edhe në raport me sigurinë ndërkombëtare. Sulmet ajrore të Federatës së Rusisë kanë ngjallur që prej tani shqetësime të mëdha në Siri e rajon. Ato kanë tërhequr reagimin e 7 shteteve dhe fuqive të mëdha, duke tensionuar në veçanti Turqinë fqinje. Brenda Sirisë, operacionet ruse po i kanosen sigurisë së jetës së civilëve dhe të opozitarëve të ligjshëm. Këto zhvillime mund të tronditin ekuilibrat politike dhe ushtarake në rajon, duke prodhuar kështu më shumë destabilitet. Koalicioni, që Rusia ka formuar kundër DAESH-it bashkë me Iranin, Irakun dhe Sirinë, është tregues i një polarizimi të ri në rajon. Çfarë nënkupton bashkëpunimi mes këtyre 4 vendeve; mos vallë një solidarizim kundër terrorit apo krijimin e kampeve të reja? Nëse bëhet fjalë për të këtë të fundit, atëherë në Lindjen e Mesme po merr formë një krizë e re gjeopolotike dhe rajoni po tensionohet akoma më tepër. Polarizimi në fjalë nuk do të sjellë zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme, por kriza dhe luftime të reja nëpërmjet manovrave të balancës së fuqisë.
Dhe së treti, këto zhvillime mund të shkaktojnë një përplasje të re Lindje-Perëndim, ashtu si në periudhën e Luftës së Ftohtë; ku në njërën anë do të qëndrojë blloku i Lindjes së Mesme me bosht Rusinë dhe në anën tjetër blloku i Lindjes së Mesme me bosht SHBA-NATO. Kjo situatë ka vënë që tani në vështirësi aleancën e NATO-s, për të mos folur pastaj lidhur me efektet negative të saj në politikën rajonale e globale. Sepse NATO-ja, si të mos mjaftonte ajo që nuk pati asnjë ndikim përballë pushtimit rus të territoreve ukrainase, s’po mban kurrfarë qëndrimi të konsiderueshëm as në lidhje me Sirinë. Deklarata paralajmëruese, nënshkruar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka prodhuar ende asnjë përfundim të prekshëm.
NATO-ja dhe koalicioni perëndimor nuk po garanton dot shkëshillim përballë forcës ushtarake të Rusisë. Thënë ndryshe, ato nuk po arrijnë ta ndalin Rusinë. Kjo ka një domethënie shumë kritike: Ndërkohë që Rusia është duke rezultuar një fuqi ushtarake në rritje të vazhdueshme, SHBA-të dhe Perëndimi po humbasin çdo ditë e më tepër imazhin dhe pozitën e tyre në rajon e botë. Sa i përket rezultatit, që do të prodhojnë këto zhvillime për rendin botëror dhe njerëzimin, kjo është një temë diskutimi më vete. Por, pa e ekzagjeruar aspak, duket që tani se ky rezultat nuk do të jetë pozitiv.
Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”, Stamboll